Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar Matt Hancock, përshëndeti miratimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca, duke shtuar se deri në pranverë, vendi do të “shpëtonte” nga koronavirusi.
Vaksina, e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit me mbështetjen e gjigantit farmaceutik britanik-suedez AstraZeneca, është bërë e dyta vaksinë që merr miratimin nga Agjencia Rregullatore për Barnat në Britani.
Në një intervistë me Sky News, Hancock tha se Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë popullsinë.
Ministri i Shëndetësisë u shpreh po ashtu se miratimi i vaksinës Oxford / AstraZeneca ishte “një lajm i mirë për të gjithë botën” për shkak të çmimit relativisht të ulët dhe kushteve të lehta të transportit.
“Ky është një lajm i mirë për të gjithë botën, sepse kjo vaksinë është relativisht e lirë për t’u prodhuar dhe mund të ruhet në një temperaturë normale. Mund të përdoret në të gjithë botën.”
Edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson e konsideroi miratimin e vaksinës, një lajm vërtet fantastik dhe një triumf për shkencën Britanike.
Pa.Va/Fjala.al