Gjykata e Hagës, refuzoi të konsideronte lirimin e parakohshëm të kriminelit serb, Milomir Stakiç. Stkiç është dënuar me 40 vjet burg për krime kundër myslimanëve dhe kroatëve në Prijedor gjatë luftës në Bosnje.
Mediat serbe bëjnë me dije se në vendimin e publikuar nga gjykata, presidenti i Mekanizmit, Carmel Agius, ka theksuar se Stakiç nuk ka vuajtur ende dy të tretat e dënimit, që është një kusht i domosdoshëm për paraqitjen e një kërkese për lirim të parakohshëm.
Stakiç do të vuajë dy të tretat e dënimit të tij në vitin 2027. Stakiç nuk paraqiti as një kërkesë, por autoritetet e Francës, ku ai po vuan dënimin e tij, informuan gjykatën në Hagë se sipas ligjeve atje, i dënuari pas gjysmës së dënimit të vuajtur fiton të drejtën të kërkojë lirim të parakohshëm.
Stakiç, ish-kryetari i Komunës së Prijedor, u dënua nga gjykata e Hagës me 40 vjet burg në vitin 2006, duke e shpallur atë fajtor për shfarosje, vrasje, persekutim dhe transferim me forcë të popullatës joserbe në komunë në vitin 1992.
Ndërkohë në vitin 2003, Stakiç u dënua me burgim të përjetshëm me një vendim të shkallës së parë. Fillimisht i akuzuar për gjenocid, Stakiç ka qenë në burg që nga 23 marsi 2001, kur u arrestua nga autoritetet serbe në Beograd dhe u ekstradua në Hagë.