Katër persona të dyshuar si anëtarë të një bande shqiptare do të përballen me akuzat e pastrimit të parave dhe shpërndarjes së drogës, pas një aksioni policor të zhvilluar në Londër dhe Essex.
Oficerët e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), Policia Metropolitane dhe Policia e Essex organizuan të mërkurën kontrolle në disa banesa dhe si rezultat u bë i mundur sekuestrimi i 340 mijë paundëve dhe e një sasie të konsiderueshme kokaine me vlerë 400 mijë paund.
Sipas NCA, Rrustem Dauti, 30 vjeç, dhe Fisnik Kurtucai, 32 vjeç, janë arrestuar për akuzën e pastrimit të parave. Azem Gashi, 26 vjeç, është arrestuar si i dyshuar për shpërndarje droge, njësoj si Florian Mehsi, 22 vjeç, i cili akuzohet edhe për shkelje të rregullave të emigracionit.
Katër shqiptarëve u është caktuar masa e arrestit me burg dhe do të dalin para gjykatës më 12 shkurt.