Fadil Llubani i pyjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Koçi

Gjithmonë njerëzit që janë marrë me mbarështimin e pyjeve, punonjës të thjeshtë apo inxhinierë e mjeshtra për rritje e trajtim shkencor të fidanëve drusorë, i kam respektuar shumë, i kam konsideruar si kontingjentë dhe pjesë të pandarë të natyrës, si mbrojtës të kësaj pasurie të falur nga Zoti. E kam patur dhe e kam ende këtë vlerësim për pylltarët sepse shpesh më ka rënë rasti të njoh njerëz të tillë, të cilët kur gjenden apo bëhen pjesë e debateve, kur bëhet fjalë për shtimin apo ruajtjen e pyjeve nga keqbërësit, çuditërisht “tjetërsohen” dhe në një farë mënyre, për atë apo ata që nuk janë të lidhur shpirtërisht me pyjet, u duken si njerëz që nuk kanë logjikë, që flasin kuturu, sikur kanë dalë e kanë ardhur aty në debat, në kuptimin më të keq, sikur kanë dalë nga pylli.

Por, sigurisht, nuk është kështu. Është krejtësisht e kundërta. Të lëndosh pyjet, të bëhesh pjesë e shkatërrimit të tyre për interesa të çastit, të babëzisë për t’u pasuruar shpejtë dhe në mënyrën më të paligjshme, do të thotë të lëndosh veten tende, do të thotë të të lëndojnë ty e më tej akoma të të gjymtojë shumë rëndë pasurinë më të çmueshme kombëtare, atë që shpesh e quajmë si mushkëritë e natyrës.

Midis qindra specialisteve, që kanë punuar shumë e shumë vite me pasion në fushën e mbarështimit të pyjeve, njoh një inxhinierë me shumë kontribute në këtë fushë, aqsa, për kuriozitet të atyre që e dëgjojnë për herë të parë, ai njihet si Fadil Llubani i Pyjeve. E njohin kështu sepse, ashtu si çdo njeri, ai ka historinë e jetës së tij, histori që e kishte dhe e ka të lidhur historikisht dhe ngushtësisht me pyjet. Gjyshi i Fadilit, Hajdari, në vitet 1914-1915 kryente detyrën e rojtarit të pyjeve të Qafë-Shtamës në rrethin e Krujës, detyrë që ia kishte caktuar organi administrues lokal i qeverisë austriake. Çuditërisht edhe babai, Xheladini, përveç ndonjë pune ndihmëse si tregtar, për shumë vite punonte me pyjet për përgatitjen dhe transportin e druve të zjarrit për banorët në qytetin e Krujës, por që mbahet ende mend si njeriu që nuk bëri qoftë edhe një dëm të padëshiruar ndër pyje. Ai dinte të zbatonte vetëm ligjin. Në këto punë si prerje drush, stivim apo ngarkim-shkarkim të druve të zjarrit me kafshë ngarkese, ai angazhonte edhe Fadilin i vogël që, mesa duket i duhet t’i ketë lindur pasioni për tu bërë pjesë e pyllit, kohëzgjatja e të cilit paska qenë proporcional me rezistencën fillestare për të ndjekur kur të rritej studimet për mbarështimin e pyjeve.

Fadil Llubani lindi në qytetin e Krujës më 5 gusht të vitit 1941. Shkollën fillestare, pra filloren dhe 7-vjeçaren i kreu aty në Krujë dhe, sipas atyre që e kanë njohur e janë rritur me të, nuk është shquar si nxënës që të kishte shkëlqyer në lëndët mësimore.Jo. Fadili shquhej për çapkënllëqe, si djalë çamarrok, i lëvizshëm e që nuk linte dy gurë bashkë në marrdhënie me shokët. Kishte për pasion të ishte i lire në veprime, të ishte i pavarur dhe ndjehej mirë vetëm kur ndihte babanë për punë, në hapësirat e pyllit.

Dhe ja që një ditë, pasi mbaroi 7-vjeçaren, sikur ta kishte zgjedhur vet,  i doli e drejta të vijonte shkollën e mesme bujqësore, degën për teknik i mesëm pyjesh, në Kamëz. Shkonte dhe kthehej në shtëpi përditë mbasi Kamza ishte dhe nuk ishte shumë larg shtëpisë ku ai banonte. Aty qëndroi vetëm një vit. Tre vitet e tjerë, për shkak të një kërkese të xhaxhait, i cili banonte në Shijak, Fadili u transferua për të vijuar në shkollën më me emër të atyre viteve, në Golem të Kavajës, të cilën e përfundoi në vitin 1959. Pas kësaj lidhje të pashkëputur me shkollën i duhej të fillonte punë dhe, sigurisht, aty ku do të kishte punë vetëm me pyjet.

Për Fadil Llubanin zemra paskësh shumë rrugë e arsye për të arritur çfarë dëshironte. Atë që në fillim, pra sapo mbaroi teknikumin si teknik i mesëm, e caktuan të punonte në pyjet e Qafë-Shtamës, aty ku gjyshi i tij kish shërbyer 45 e kusur vjet më pare si rojtar pyjesh dhe kujdestar për mirëmbajtjen e tyre. Dhe mbas kaq vitesh këtë detyrë ia besuan nipit, Fadil Llubanit, tashmë një njeri i arsimuar dhe kompetent për të trajtuar pyjet.  Por, edhe pse ai ndjehej zot i hapësirave të pyjeve me pisha, i plotfuqishëm për mijra hektarë pyje me sipërfaqe të pamata që zinin në zonën e Qafë-Shtamës, përsëri ndjehej e i palumtur. Dhe ndjehej i tillë sepse shkollimin e tij dhe dijenitë e mara në shkollë e mesme për teknik pyjesh ishin gjysmake, e ndante një hendek i madh, i cili krijohej për shkak sepse ai ende nuk ishte në nivelin e inxhinierit, që do të thoshte të kish përfunduar arsimin e lartë të plotë si profesionist.

Por Fadil Llubani ishte nga ata tipa që kudo që ndodhej ndjehej i gjallë, që do të thoshte të ndërmerrte hapa kërcimi jo të zakonta, të cilët dikush mund ti konsideronte të “çmendura”, por që në fakt për dikë që i gjykonte me gjakftohtësi e me këmbë në tokë, ishin vërtetë magjepsëse. Është fjala për inisjativën e Fadil Llubanit, këtij djaloshi 20 vjeçar, i cili mori zemër dhe filloi studimet e larta pranë Institutit të Lartë Bujqësor, në Fakultetin e Pyjeve, pa u shkëputur nga puna. Është diçka për të mbajtur shënim në këtë rast dhe që ka të bëjë me karakterin e pathyeshëm të Fadil Llubanit. Kur njeriut, nëse diçka ia ndez zemrën, e pamundura zhbëhet, krijohet një realitet krejt tjetër që i ushqen optimizmin. Ashtu si ndodhi edhe me Fadil Llubanin. Ai nuk priti radhën, nuk priti të bënte kërkesë tek organet kompetente për të vijuar shkollën e lartë, por qysh atë vit guxoi të regjistrohej dhe të vijonte të studionte për Inxhinier pyjesh, duke vijuar të ishte në krye të punëve në zonën e thellë të Qafë-Shtamës.

Por, siç thuhet në kësi rastesh, pasioni mbi të gjitha, duhet dëshiruar me zemër, për gjëra të mëdha apo të voglat qofshin. Nuk ishte rastësi, por falë vullnetit dhe dëshirës së tij për të mbaruar shkollën e lartë. Leksionet dhe seminaret u ndoqën pa u shkëputur nga puna, por vetëm një tremujor. Në vitin 1960 ai mori të drejtën për të vijuar studimet si student i rregullt. Kjo lëvizje gati si e rastësishme i solli suksesin e ëndërruar, për të fituar titullin Inxhinier Pyjesh. Ishte muaji marsi vitit 1965.

Lexo edhe :  Analiza e votave: A u bindën shqiptarët nga partitë e reja? Mesazhi final është... jo!

Fadil Llubani edhe gjatë kohës që ishte student e ndjente veten “të mangët” në formimin e tij si specialist i mirëfilltë për pyjet dhe kjo gjë e dallonte nga studentët bashkëkohës, gjë që dukej tek etja dhe përpjekjet që ai bënte për të marë informacione të cilësuara nga literatura botërore, aty në bibliotekën shumë të pasur më literaturë të autorëve të ndryshme botërore. Ishte ky pasion dhe ky vullnet, të cilët vinin dhe ishin produkt i dëshirës së tij për të studiuar e për të bërë shkencë. Në një sesion shkencor të Institutit Bujqësor, në kohën që ishte ende student, Fadil Llubanit i erdhi rasti të mbante një referat mbresëlënës tek pjemarrësit në atë sesion shkencor: “Mi procesionaren e pishës në Qafë-Shtamë dhe masat e luftimit të saj në vendin tonë”. Ky rast do të mbahej mend dhe do të shërbente si një fillesë për shpërthimin dhe prirjet e tij për të arritur suksese dhe të bëhej një ndër specialistët më të mirë të pylltarisë shqiptare.

Jeta, siç edhe dihet, është një vazhdimësi mësimesh. Nuk do të thotë se me të marë një diplomë, të mësuarit rreth profesionit i mbyllet dera. Përkundrazi ajo derë sapo është hapur. Inxhinierin Fadil Llubani sapo u diplomua mori emërimin në rrethin e Krujës si përgjegjës zyre që merrej kryesisht me kontrollin dhe shfrytëzimin e pyjeve. Kjo periudhë tre vjeçare i shërbeu më shumë për njohjen e problemeve me pyjet në rreth, të anës ligjore të prerjes dhe shtimit të sipërfaqeve pyjore, por dhe të perspektivës që e priste shtimin i pyjeve, kryesisht ata halorë dhe bimët mjekësore të studiuara tashmë nga specialistë kompetentë.

Në vitin 1968 Fadil Llubani emërohet drejtor i Ndërmarrjes Pyjore të rrethit të Krujës. Aty drejtoi punët për 5 vjet. Ata vite mbahen mend për aksionet masive, me mbështetjen e popullit dhe të nxënësve të shkollave, pra me mijëra vetë, gjë që u arrit që të realizohej një ëndërr e kaherëshme, pyllëzimi i Krastës së Krujës, një terren i xhveshur shkëmbor, e që sot pas kaq vitesh, mbetet vepra monumentale e pylltarisë shqiptare. Është një sipërfaqe prej 1200 Ha, e cilia fillon në kodrat e buta poshtë qytetit të Krujës dhe mbaron në Milot. Për këtë punë madhore, të projektuar dhe të udhëhequr nga Ing. Fadil Llubani, ai është nderuar me Çmimin e Republikës.

Pas kësaj pune madhore ai u shkëput për të kryer një stazhi një vjeçar, praktikë që lidhej me pranimin e tij si antar partie, si kryetar i kooperativës bujqësore të Niklës. U rikthye përsëri, por këtë herë si përgjegjës sektori. Kjo periudhë është nga ato që la gjurmë dhe konsiderohet nga më produktivet ku Fadil Llubani shkriu të gjitha energjitë për të shtrirë mbjelljet me fidana pyjorë, kryesisht me fidana plepi në tokat zallishte dhe pishën e zezë në zonën e Krastës. Ishin këto karakteristika dhe cilësi të një kuadri dhe specialisti të zot që një ditë, fiks në muajin shtator të vitit 1977, të emërohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve me detyrën e specialistit të pullëzimeve. Gjatë asaj periudhe, gati për 5 vjet, ky specialist i mirënjohur kombëtarisht, i dha një impuls të ri, zhvillim cilësor dhe sasior, të përparimit të sektorit pyjor dhe kullosor në shkallë vendi.

Ing. Fadil Llubain ishte jo vetëm njeri dhe specialist i zoti, por edhe intuziast e besimplotë për punën që bënte. Këtë veti të tij ai e shfaqi kur mori detyrën e Drejtorit të Institutit të Pyjeve dhe të Kullotave. Ishte viti 1982, vit që shënoi kthesën që ky institucion shkencor të merrte drejtimin e duhur për tu drejtuar e menaxhuar me kompetencë. Hopi dhe ndryshimi që pati ky institucion shkencor në rritjen e kërkesës për t’i konsideruar pyjet dhe kullotat pasuri kombëtare të pazevëndësueshme, ishte i dukshëm. Ishte koha kur u ngritën probleme për të mos toleruar balancimin medis prerjes dhe mbjelljes te fondit pyjor, por dhe përcaktimin e rrugëve për mbarështimin dhe shfrytëzimin racional të kullotave.

Është rasti gjithashtu, të sjellim faktin që në ata vite funksiononin, punonin me objektiva të caktuara 4 sektorë shkencorë, 3 laboratorë të cilët ndiqnin dhe studionin në teren 33 tema shkencore e më shumë se 100 eksperimente që lidheshin vetëm me mbarështimin e pyjeve. Institucini mori emër të mirë dhe u bë edhe objekt për marrje përvoje nga shtete që kishin interes për të parë e marrë eksperiencë si Greqia, Korea, Gjermania Perndimore, Austria si dhe konsulentë nga Franca e Finlanda.

Bashkëpunëtore shkencorë nga Stacioni i Pyjeve morën pjesë në konferenca e simpoziume ndërkombëtare për të marrë përvoje si në Itali, Francë, Finlandë, Greqi e Spanjë. Po sot ç’po ndodh, apo ku janë këta institucione shkencorë të cilët u dhanë shtysë të jashtëzakonshme shtimit dhe disiplinimit të shfrytëzimit të pyjeve? Përgjigjen le të na e japë vetë lexuesi, i cili ka informacion të bollshëm sesi po sillemi me pyjet, me këtë pasuri kombëtarë që jo rrallë ka rënë viktimë e drejtuesve kopukë.

Ing. Fadil Llubani është autor i shumë punëve, të cilat patën dhe kanë ende ndikim në vënien e zhvillimit të pylltarisë të vendit tonë mbi baza shkencore. Njëra ndër to është ndihmesa e tij e çmuar në përgatitjen e hartës pyjore (1971) dhe asaj kullosore (1973) të Shqipërisë. Si bashkëautor për përgatitjen e këtyre hartave, të njohura tashmë nga organizata homologe ndërkombëtare, Ing. Fadil Llubani është lauruar për herë të dytë me Çmimin e Republikës. Por për Krujën dhe krutanët ai mbetet simbol i shtimit të pyjeve, simbol i Krastës së gjelbëruar, që tashmë dora e shkatërrimtarëve e ka kthyer në simbolin e shëmtisë të asaj zone. E megjithatë ky specialist pasionant është njohur dhe njihet si Fadil Llubani i Pyjeve.

 

Të fundit

Lezha ndahet me një grusht votash, tension deri në përplasje fizike për fletën e fundit

Tension i lartë tek Parku Olimpik teksa po numërohen votat e Diasporës. Kjo pasi, qarku i Lezhës është ndarë...

Sinjal për vrasjen e Trump? Ish-drejtori i FBI merret në pyetje pas mesazhit të koduar

Ish drejtori i FBI-së James Comey u mor në pyetje nga Shërbimi Sekret Amerikan pasditen e të premtes pasi publikoi një foto në rrjetet...

“Shqipëria e ka vendin në BE”/ Macron falënderon Ramën për mikpritjen

Presidenti francez Emmanuel Macron ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për mikpritjen gjatë samitit në Tiranë. Përmes një postimi në platformën X, Macron shprehet se Shqipëria...

A do të jetë Gonxhja kandidati i PS për të drejtuar Bashkinë e Tiranës?

Blendi Gonxhja, kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, u pyet gjatë një interviste në...

Berishës do t’i dalin miliona euro të padeklaruara, do fundoset edhe Flamur Noka…

Juristi Romeo Kara shprehet se një tjetër skandal do të përfshijë ish-kryeministrin Sali Berisha, deputetin Flamur Noka dhe vetë Partinë Demokratike lidhur me miliona...

Lajme të tjera

Web TV