Ljuis Hemilton ka hequr dorë nga një prej pikave të kërkesave të tij, drejtuar “Mercedes”-it, mbi mundësinë e rinovimit të kontratës së tij. Piloti britanik ka pranuar të rinovojë për 1 vit, nga 4 që kishte kërkuar më parë. Por ai nuk heq dorë nga kërkesa për 40 milionë euro në vit. Kur kanë mbetur më pak se dy muaj deri në nisjen e Botërorit të Formulës 1, kampioni aktual është ende pa kontratë. Marrëveshja e rinovimit midis Ljuis Hemiltonit dhe “Mercedes”-it ka hasur në më shumë probleme se sa parashikohej fillimisht, duke u bërë telenovela e parasezonit, plot deklarata, mendime, thashetheme, spekulime dhe vështirë se ka ndonjë siguri për momentin.
Afatet po mbarojnë, e 2 marsi është dita e planifikuar nga ekipi gjerman për makinën “W12”-ën e tyre të re, që të dalë në pistën e Silverstounit. Dhe siç ka ndodhur gjithnjë, përpara kësaj date, piloti që do ta drejtojë atë, duhet të ulet në timon, ta provojë më parë makinën e re, si dhe të jetë njohur me risitë nga mekaniku përkatës. Por duket se të dyja palët, ende nuk kanë asnjë nxitim për të nënshkruar. Raportohet se 7 herë “kampioni i botës” ka kërkuar 40 milion euro në sezon dhe kohëzgjatjen e kontratës deri në 4 vjet.
Por përveç këtyre, më spekulative kanë qenë kërkesat e britanikut për ta bërë ai grupin e mekanikëve që do të punojnë me të, mundësinë e vetos, të marrë një pjesë të shpërblimeve të ekipit dhe qershia mbi tortë, të marrë si dhuratë një nga super veturat e markës “Mercedes”. Por ajo që është e padiskutueshme në të gjithë këtë proces është se ekzistojnë dallime midis Hemiltonit dhe synimeve të “Daimler”-it, gjigandit të automobilave që zotëron “Mercedes”-in, i cili po përballet me një kohë kursimesh për shkak të efekteve të epidemisë në bizneset e tij.
Megjithatë, marrëveshja duket shumë e afërt, pasi Hamilton ka qenë i vetëdijshëm për situatën e krijuar. “Motorsport.com” ka siguruar se piloti britanik ka pranuar të heqë dorë nga një prej kushteve, për të nënshkruar një kontratë me kohëzgjatje më të vogël, vetëm për këtë vit, me mundësinë e zgjatjes për tjetrin. “Daimler”-i, nga ana tjetër, refuzon të pranojë angazhime me kohëzgjatje të madhe në situatën aktuale, për të mos krijuar pasiguri të mëdha për evolucionin e biznesit të tij.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H