Nga Lorenc Vangjeli
Kushdo që kërkon të njohë Evropën e sotme të Bashkuar, thelbin e saj dhe mënyrën sesi ajo funksionon dhe projektohet drejt të ardhmes, nuk mund ta bëjë pa kuptuar më parë ndarjen e thellë të së shkuarës, luftën dhe pastaj bashkimin në luftë kundër rrezikut, traumës tragjike dhe të keqes së përbashkët. Duhet të kuptohet më parë ajo faturë e jashtëzakonshme tmerri dhe gjaku në atë që ndodhi rreth tetë dekada më parë për të kuptuar më pas se shpesh paqja është më e vështirë se lufta dhe se çmimi i paqes vjen kryesisht vetëm mbasi mësohet pësimi më i thellë nga lufta.
Lufta e Dytë Botërore ishte Big Bang-u moral, politik dhe ekonomik i gjithë shoqërisë njerëzore, ishte shpërthimi i madh që rikonfiguroi ide dhe parime, që shuajti dhe vizatoi kufinj të rinj, që izoloi dhe fiku një konflikt botëror për të rinisur ciklin e një konflikti tjetër po në përmasë botërore, me një antagonizëm ekstrem që shkallmoi dhe që tronditi jetën e gjithë shoqërisë njerëzore. Në të gjitha kuptimet, Lufta e Dytë Botërore është padyshim ngjarja që ka shënjuar më së shumti të djeshmen dhe të sotmen e gjithë planetit. Ajo luftë epike është konstelacioni më i përgjakshëm në kuptimin e viktimave, dëmeve dhe pasojave që la pas.
Ajo është gjithashtu, konflikti më i dokumentuar dhe më i komentuar, konflikti më i debatuar dhe më i studiuar në kuptimin e mekanizmave sociale, ekonomikë e kulturorë, e ngjarjeve që u bënë shkas dhe atyre që shndërruan në pasojë, e rastësive fatale dhe e domosdoshmërive që i përgjigjeshin si pasojë shkaqeve më të hershme. Si e tillë, një gotë më shumë në oqeanin e informacionit, ngjan se ka fatin e ujit të rrëkesë së rradhës që humbet në oqeanin e pafund. Rreziku i përsëritjes, i vështirësisë në orientim apo dhe zgjedhjeve subjektive është më shumë se real dhe kërkon një guxim të thellë që të hysh në një fushë me pafund spektatorë kureshtarë në tribuna, por dhe me lojtarë të klasit të parë në vite në të njëjtën hapësirë.
Bashkim Zeneli, Mjeshtër i Madh, ka dëshmuar një aftësi befasuese për të hyrë në këtë nebulozë historike, për t’u shndërruar nga spektator i kualifikuar në tribunën e zgjedhur të lexuesve dhe studiuesve, në një lojtar e protagonist që mbledh, rrëfen dhe analizon dëshmi e të dhëna për ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ai tregon detaje të dorës së parë në rishkrimin e një historie jete, të rishkruar me miliona herë. “Berlin 1945 – Maji i fitores”, është një libër dashurie shkruar për ditët e urrejtjes së madhe. Eshtë një himn për ndoshta kryeqytetin e sotëm të Evropës së Bashkuar, duke kujtuar bashkimin nën armë të të gjithëve kundër Berlinit si qendra e fundit e nazizmit në pushtet.
Ambasador Zeneli është sjellë si një prodhues vere të mirë, që zgjedh kokërr më kokërr rrushin më të mirë dhe e trajton atë me dashuri kokërr mbas kokrre. Ka lexuar me mijëra faqe dokumenta, libra, analiza dhe ka shtrydhur prej tyre të përbashkëtën, të veçantën, idenë, por dhe vetë aromën dhe shijen e papërsëritshme të ngjarjeve tronditëse në atë kohë tronditëse. Ai dokumenton kohën kur ëndrra e çmendur e Adolf Hitlerit, ishte kthyer në makth për të gjithë botën dhe ishte epilogu i asaj kohe që po tentonte të ngrinte mes gërmadhash ëndrrën për një botë ndryshe. Aleatët e mëdhenj, anglo-amerikano-sovjetikët, po i afroheshin Berlinit, në qendër të të cilit, demoni i madh jetonte në marrëzinë dhe absurdin e tij të përgjakshëm.
Kurrë ndonjëherë më parë, kaq fort dhe kaq qartë një individ dhe roli i tij nuk kanë ndikuar kaq egërsisht mbi fatin e qindra milionë njerëzve të tjerë. Kurrë ndonjëherë si atëherë, kombinimi i rrethanave, zinxhiri i rastësive dhe domosdoshmërive, rrjedha e pandërprerë e shkakpasojave të njëpasnjëshme, dobësitë njerëzore dhe dramat vetjake, egoizmi i vogël dhe projektet gjigante të hakmarrjes, mendjet e sëmura në veprim dhe indiferentizmi i mendjeve të shëndosha, nuk ka arritur të prodhojë ngrehinën e pistë e të pafundme të së ligës në ekstrem. Kurrë ndonjëherë më parë, historia nuk ka shënjuar rast si ai për të gjykuar dhe arsyetuar çfarë ka ndodhur, me pasojën e asaj që ka ndodhur: si do të ishte bota nëse nuk do të ekzistonte Adolf Hitleri?
E po kështu, askush nuk ka rreshtur së menduari dhe mahnituri për të kuptuar se cila është ajo alkimi misterioze që e shndërronte pjesëtarin e një kombi të madh si Gjermania, atdheun e filozofëve, shkrimtarëve, muzikantëve e shkencëtarëve gjeniale, cila ishte ajo shtysë djallëzore që, mësuesin e pasionant të gjimnazit, llogaritarin korrekt të një biznesi të vogël, pianistin virtuoz në skenë, bariun e duruar në mal apo teknikun e makinave të përsosura, i shndërronte në një makineri të pamëshirshme vrasjeje në masë.
Kush lexon librin e Mjeshtrit Bashkim Zeneli, do të kuptojë diçka më mirë pikërisht këtë mozaik gjigant që e bën të paparashikueshme shoqërinë njerëzore. Mëson se çfarë është pësimi për të kuptuar mësimin. Provon etjen për të kuptuar shijen e ujit, ndjen urinë për të shijuar tryezën e shtruar.
“Berlin 1945 – maji i fitores”, është një libër i shkruar me një frymë në kohën kur bota mbante frymën nga vala e parë e pandemisë së Corona Virusit. Një kohë e zymtë, të cilën shoqëria modern e konsumiste po e provon si një tragjedi fatale. Por mjafton që ajo të vendoset në një sfond të zi si ai i Luftës së Dytë Botërore që të kuptohet se çfarë po ndodh sot, është vetëm një shëtitje në pyll në krahasim me atë të djeshme tragjike, humbur në pyje të errët gjaku.
Mjafton ky sistem krahasimi që na afron Zeneli për të gjykuar befasisht se sa e llastuar, e brishtë dhe delikate është shoëria e sotme në krahasim me atë shoqëri që ka tre breza që ka shkuar. Mjafton kaq për të kuptuar se e liga nuk ka fund dhe se të shijosh me mirënjohje të mirën modeste të përditshmërisë së jetës, është një dhuratë e perëndishme për individin! Për një koincidencë fatlume, siç thotë vetë autori, ky është një libër që në mënyrë metaforike është shkruar nga dy breza skajorë, gjyshi i lindur në kohën e luftës dhe nipi Dario në mijëvjeçarin e ri. Të dy të njehsuar jo vetëm në AND-në e përbashkët, por edhe në energjinë e njëjtë për të rrëfyer historinë e vjetër të së nesërmes sonë. Të dy bashkë si një qortim dhe mësim i rrallë për të mos harruar se në fund të fundit, lufta është fatura e vetme që detyrohet të paguajë gjithmonë paqja.