Departamenti i Shtetit nderoi të martën individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani.
Nga ana tjetër reagoi ashpër kreu i shtetit Meta: Shqipëria e shqiptarëve dhe kurrë e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare
Ish-kreu i KED (Këshillit të Emërimeve në Drejtësi) Ardian Dvorani merr çmimin si “Kampion Ndërkombëtar Anti-Korrupsion” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky vlerësim nuk ka kaluar pa komente dhe reagime, duke përfshirë edhe kryeministrin dhe presidentin, të cilët këtë rast e shfrytëzuan për të dhënë mesazhet e ashpra politike, sidomos në javët e fundit. Çmimi i ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Anti-Korrupsionit”, siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, “vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre”. Zoti Blinken tha se ky çmim tregon se administrata e Presidentit Biden e kupton se “do të jemi të suksesshëm në luftën ndaj korrupsionit vetëm duke pasur partnerë të përkushtuar”.
Në motivacionin e Departamentit të Shtetit për nderimin e Dvoranit, thuhet se ai është “një mbështetës kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë.” “Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit. Po ashtu në motivacion thuhet se Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016.
Përveç Dvoranit, Departamenti i Shtetit vlerësi individë nga vende të ndryshme përfshirë nga Ekuadori, India, Iraku, Sierra Leone dhe Ukraina. I pyetur nga Zëri i Amerikës se si e priti çmimin dhe cili është mendimi i parë, Dvorani e konsideroi një vlerësim të madh. “Reagimi im i parë… Në fakt isha në sallën e gjyqit kur bashkëpunëtorë, kolegë edhe miq më njoftonin për këtë çmim. Sigurisht që kisha një dijeni paraprake se diçka po ndodhte, për një nominim. Sinqerisht ndjehem shumë i vlerësuar dhe jashtëzakonisht krenar që çmim i tillë, me këtë dedikim dhe me këtë përmbajtje më jepet mua nga Departamenti i Shtetit, nga Sekretari i Departamentit të Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjëja e dytë që më vjen më mendje është që këtë vlerësim të jashtëzakonshëm nuk dua ta mbaj vetëm për vete, por e quaj si një vlerësim dhe dua ta ndaj edhe me shumë kolegë të tjerë, gjyqtarë, prokurorë, magjistratë, të cilët në vite kanë bërë përpjekje dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje, që në Shqipëri të krijohet mundësia për të dhënë drejtësi, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale”- u shpreh Dvorani. Me anë të një postimi në “Tëitter”, kryeministrit shkruan se vlerësimi i bërë nga Sekretari i ri i Shtetit Amerikan për Dvoranin është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë Reformën në Drejtësi.
Kryeministri theksoi se Dvorani u godit harbutërisht, pasi nuk iu dorëzua presionit të së keqes. “Vlerësimi i lartë i Sekretarit të ri të Shtetit për Ardian Dvoranin, është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për Reformën në Drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të Keqen ku ka hyrë reforma dhe një riafirmim i angazhimit të SHBA në luftën për Reformën! Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, shkroi Rama, duke kujtuar me “presionin e së keqes” pikërisht kreun e shtetit i cili e ka kallëzuar edhe në SPAK për shpërdorim detyre Dvoranin. Meta e akuzoi Dvoranin se po zvarriste qëllimisht, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën e vendit plotësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Edhe Komisioni i Venecias në atë rast i dha të drejtë Metës, por tashmë me “vlerësimin” për Dvoranin duket se diçka ka ndryshuar dhe më shumë se çështje jurdike është politike. I ndodhur përpara një fakti që nuk zhbëhet dhe pavarësisht qëllimit vjen nga DASH, kreu i shtetit reagoi ashpër, ndoshta edhe emocianalisht. “25 prill – Shqipëria e shqiptarëve dhe kurrë e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare”, shkruan Meta, pak minuta pasi ambasada e SHBA-ve solli deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, ku shpallte mes 12 kampionëve të luftës kundër korrupsionit dhe ish-kreun e KED, gjyqtarin shqiptar Ardian Dvorani. Presidenca ka reaguar gjithashtu edhe pas mesazhit në “Tëitter” të kryeministrit Edi Rama, për ish-kreun e KED, Ardian Dvorani, i cili u vlerësua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një ndër 12 kampionët në luftën ndaj korrupsionit. Zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi, e ka cilësuar kryeministrin si “faqezi” duke shtuar se Ramaforma do të ngordhë më 25 prill me 3 milionë shpulla dhe shkelma të shqiptarëve. “O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milion shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë”, shkroi Blushi. Tashmë në këtë fushatë të ndezur politike para zgjedhjeve kjo çështje pritet të marrë edhe më shumë vëmendje.