PE thirrje 5 shteteve që s’kanë njohur ende Kosovën: Pavarësia e saj është e pakthyeshme

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me 50 vota pro, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.

Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.

“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

Lexo edhe :  Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Në raport përmendet se Kosova ka një “mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik”, por kërkohet që të garantohet transparencë e plotë e pronësisë së mediave dhe pavarësia dhe liria nga ndikimet politike.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.

Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut. Nga Kosova është kërkuar që të përballet edhe me problemet e brendshme në qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Të njëjtën ditë në Komisionin e politikës së jashtme është miratuar edhe Raporti për Serbinë. Edhe Serbisë i është dërguar porosia që të jetë konstruktive në dialog me Kosovën.

Deputetët kanë kritikuar fushatën kundër BE-së në Serbi, përfshirë edhe në mediat e financuara nga shteti. Ata kanë kërkuar që udhëheqësit politikë në Serbi të shprehen qartë dhe pa hezitim për orientimin pro-evropian të Serbisë. Po ashtu, eurodeputetët kanë kërkuar nga Serbia që t’i bashkohet qëndrimeve të BE-së në çështjet e politikës së jashtme.

Raportet për Serbinë dhe Kosovën, të miratuara në Komisionin e politikës së jashtme, do të barten në formën e propozimeve për rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Të fundit

Piramida / Hap dyert “Ecole 42”, Rama dhe Macron përurojnë shkollën franceze

“Ecole 42”, shkolla prestigjioze franceze e kodimit do të jetë tashmë edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të Samitit të...

Goditet grupi i narkotikëve italo-shqiptar, shpërndanin drogë në qytetet italiane

Një operacion i zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik të Astit ka çuar në goditjen...

Aksident në rrugën Laç–Patok, plagoset njëri nga shoferët

Në aksin rrugor Laç–Patok, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete. Si pas njoftimit të policisë, si pasojë e aksidentit, njëri nga drejtuesit e...

Luçiano Boçi: Fatet e shqiptarëve nuk varen nga samitet, por nga vota e lirë

Luçiano Boçi, në deklarata ekskluzive për A2 CNN, shpjegoi pse opozita vendosi të dalë në protestë ditën kur në Tiranë erdhën ndërkombëtarët për Samitin...

CNN vlerëson këngën e Shqipërisë si këngën më të mirë në Eurovision 2025

Një ditë para finales, CNN ka botuar një artikull të gjatë kushtuar Festivalit Europian të Këngës, ku ka vlerësuar këngët pjesëmarrëse dhe mesa duket...

Lajme të tjera

Web TV