Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Një sentencë popullore thotë se: “ku flet e s’të dëgjojnë, mos fol, ku hanë e s’të ftojnë, mos qëndro”. Kjo filozofi e popullit, është tepër kuptimplote për situatën që kalon Shqipëria në vitet e pseudodemokracisë. Kritiku i madh rus Bjelinski, thekson se ka dy filozofi që na shoqërojnë në jetë, filozofia e popullit dhe e librit. Por filozofia e popullit është primare, se ka akumuluar tërë eksperiencën disa vjeçare.
Megjithë reagimet popullore dhe publikimet e shumë intelektualëve, se Shqipërisë nuk kanë ç’i duhen 140 deputet, përsëri politika shqiptare ka vepruar sipas oreksit të liderëve të forcave kryesore. Kur përballesh me këtë situatë groteske, i thua vetes,pse ta harxhoj fjalën kot, se ky vend “ka zot”, që topi se lot. Por më vijnë në mend fjalët e akademikut kosovar,Profesor Rexhep Qoses, që thotë se: “ intelektuali nuk duhet të rrijë duar kryq, ai duhet ta thotë fjalën e vet”.
Edhe ky parlament do mbushet me 140 deputet, që kryetarët e partive të kënaqin miqtë e vet dhe të bëjnë qoka duke futur “relike”, kryetar pa anëtar, siç kanë vepruar dhe më parë, për të mbushur hambarë.
Parlamenti është bërë rifuxhio begatori, ku futen si paraziti dhe punëtori, se kështu e do tutori. Kemi parë për katër vjet, që ka deputet që vegjetojnë, vallëzojnë dhe që punojnë. Kur shikon që për 30 vjet, votojmë këto mostra deputet, zëri i ndërgjegjes thërret: “o milet!, përsëri do votojmë 140 deputet”. Por mesa duket liderët e partive, e kanë psikologjisur mentalitetin e popullit, që në vend që të bëhen bashkë të majtë e të djathtë dhe të protestojnë e bojkotojnë zgjedhjet për këtë kope deputetësh, prej 140 vetësh, mezi presin që të takojnë “Zeusit” e politikës nëpër sheshe, e t’i falënderojnë për këto peshqeshe. Kjo është mungesë qytetarie, që në aventura groteske të shpie. Po sjell një shembull nga jeta sociale, nga një reagim i qytetarëve zviceran për një akt që s’mund të bësh analogji për nga pesha e problemit, por që do shohim sa larg qytetërimit europian është populli shqiptar për çështje madhore.
Një ditë tregtarët zviceranë, rritën çmimin e qumështit krejt pa pritur. Kur blerësit u përballën me këtë fakt që e quajtën të pa drejt, reaguan unanimisht duke mos blerë asnjëri prej tyre dhe tregtarët u detyruan ta derdhin qumështin atë ditë dhe të nesërmen e shitën me çmimin e zakonshëm. Kostua dhe dëmi i një litri qumësht që refuzuan zviceranët, është e papërfillshme, me koston dhe dëmin që i sjellin popullit shqiptar, liderët tanë parlamentar. Po të llogaritësh rrogat, makinat, karburante e dieta, rëndohet shumë kuleta. Pa folur këtu që i qarkullojnë një pjesë të mirë të tyre një herë në katër vjet dhe ky kontingjent që del jashtë lojës parlamentare, marrin pensione të majme. Ky cirk parlamentar,është në kurriz të popullit shqiptar, që për 30 vjet s’po gjen karar, nga një klasë politike që peng e ka marrë.
Kur dëgjon emrat e kandidatëve për deputet nga e majta dhe nga e djathta, ke mall të njohësh ndonjë me performancë të spikatur intelektuale, se një pjesë e tyre janë të tipit babale, për të mos thënë ndonjë fjalë banale. Si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, listat janë bajate, përfshirë këtu dhe skuadrën aleate, fytyra groteske, që ngjajnë si kukulla prej balte. E majta ka hequr deputet me integritet dhe ka prurë emra pa identitet. Parlamenti ka nevojë, që të ketë deputet me përvojë,me të rinjtë t’i kombinojë, por jo emra miqsh, që kryetari t’i urdhërojë.
Ka deputet që kanë treguar vullnet dhe kanë ndihmuar elektoratin e vet, që duhen të jenë në parlament. Por ka të tjerë që kanë vegjetuar, kanë hyrë në parlament për të përfituar, elektoratin e kanë harruar, në fund të mandatit janë zgjuar e kujtuar, e tani janë duke i kërkuar votën, për t’u ricikluar. Kjo racë deputetësh duhet penalizuar.
Kryetarët janë bërë pashallarë, partitë peng i kanë marrë dhe sillen si bajraktarë, si ata në pushtet dhe ata opozitar.
Ndërsa opozita, ka përgatitur “foto-ekspozita”, me përfaqësues partish pa anëtar, por që kanë vetëm kryetar, me jetëgjatësi 30 vjeçarë, që kanë ngrënë e kanë marrë, kanë vjedhur e kanë vrarë, e përsëri janë fitimtarë. Nuk dua të futem në emra konkret, se po t’i shfletosh prej tyre çfarë nuk pret. Ka shumë meshkuj e femra, që kur i kujton, të rreh zemra. Ka nokër, palokër e mediokër, që hanë prej vitesh në këtë sofër. Por çifti i rritur me pekule, sa majtas-djathtas, ngule e shkule, është Idrizi i çamërisë dhe greku, qirjes Dule. Skuadra opozitare me shumë aleatë, nga të gjitha ngjyrat një konglomerat, që deri dje njëri tjetrit i hidhnin baltë, tani janë vendosur në të njëtën barrikatë. Nuk kanë as ideale e as parime, veç shikojnë për përfitime. Nuk dinë as vetë çfarë përfaqësojnë, në ujëra të qelbura notojnë, veç qëllimin e tyre synojnë, që sa më shumë të gllabërojnë. Kryetarët e partive parlamentare, nga e majta në të djathtë bëjnë pazare,për hallet e popullit s’duan të dinë fare.
Populli shqiptar 30 vjet e ka paguar, është përbuzur e nënvleftësuar, por mesa duket ende s’është zgjuar, për derisa kësaj klase politike është duke i besuar.
Këtë klasë politike që premton se ka për ta ndryshuar, nga të dy krahët e kemi provuar, se në këto 30 vjet ka qarkulluar dhe e dimë fare mirë se kush është më pak e inkriminuar. Opozita me të madhe flet,se do luftoj krimin nëpër mitingje thërret, kur katër vetë i vrau në bulevard kur ishte në pushtet. Flet se do luftoj korrupsionin, duket se harroi Gërdecin dhe rrugën e Kombit. Urojmë që të ketë ndryshuar timoni, por mos besoni.
Trishtueshëm duhet të thërrasim fort: O milet! Prapë do votojmë 140 deputet?!…, Mirë ndërgjegjja që nuk na vret, por kjo është fyerje, është qamet. Vaj medet, çfarë na pret.