Covid-19 i ka marrë jetën mjekes endokrinologe, Valentina Lile. E shtruar prej ditësh në spitalin Covid 2, mjekja nuk ka arritur që ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga të afërmit e saj nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
Postimi i të birit
Të dashur miq ë shokë . Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tim me të afërt e më të dashur, mamasë time Valentina Lile.
Ceremonia e lamtumirës në nderim të saj dhe përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohen më datë 20.03.2021, ora 15.00. Nisja bëhet nga Funerali Alba2000 për në Varrezat “Sharrë”
U prehsh në paqe nënë do na mungosh jashtë mase!
Postimi i mbesës
Flama e copëtoi dhe familjen tonë. Një mjeke endokrinologe më pak për Shqipërinë, një vend bosh në familjen tonë, në zemrat tona.
Dr. Valentina Lile, halla ime e dashur, humbi betejën e tmerrshme dhe plot vuajtje me Covid.
Halla jonë gojëmbël me të gjithë, doktoresha e apasionuar pas leximit dhe studimit, që nuk humbiste asnjë konferencë ndërkombëtare, që punonte dhe ishte aktive, shoqëroi dhe kuroi me buzëqeshjen, qetësinë, mirësjelljen e saj shumë pacientë, që sot janë të hidhëruar bashkë me ne.
Mes lotësh ne përcjellim një njeri të dashur: Babi im, halla Leta dhe xhaxhai, zemërthyer sot shkëpusin një pjesë të shpirtit, motrën e tyre. Iliri me Albanin humbën mamën e shtrenjtë, gruan e rrallë që dha dhe bëri çdo gjë për ta.
Sot familja jonë e madhe humbi njeriun e shtrenjtë, që i ndihmoi të gjithë pa u kursyer, me zemrën flori, me bujarinë e pashoqe.
Personazh i familjes sonë, shoqe dhe mike e dashur, kolege e nderuar mes mjekëve.
Kaq e pabesueshme dhe e rëndë kjo që i ndodhi familjes sonë, kaq të pafuqishëm ne për ta ndihmuar hallën tonë.
Një ikje e padrejtë, e parakohshme, një dhimbje e papërshkrueshme, një humbje e madhe.
Kur një mjek ikën, humbet e tërë shoqëria. Me ikjen e doktorreshë Valit shkenca humbi një mendje, mjekësia një pasuri, kolegët një hallkë të punës së tyre, një krah të djathtë, pacientët një engjëll mbrojtës. Sa pacientë ka ndjekur, sa ka shëruar, sa e kanë uruar. “Vali të shëron me fjalë” thoshte nëna jonë.