Nga Plator Nesturi
Pa filluar ende zyrtarisht fushata elektorale, në qytetin e Elbasanit dhe Fierit janë shënuar incidentet e para, çfarë parashikon në optikën tuaj kjo situatë? Cilët qarqe i shihni me probleme gjatë fushatës?
Ajo çfarë u gjykua si e dëmshme në fillimet e fushatës ishte gjuha e ashpër e përdorur dhe anatemimi i kundërshtarëve. Ky si element sidoqoftë ka qenë i pranishëm në të gjitha fushatat e zhvilluara në Shqipëri. Problematikë e vërtetë mbeten incidentet dhe ajo çfarë vjen pas tyre, përshkallëzimi. Në këtë aspekt, ndërsa kemi rastet e para në Elbasan dhe në Fier, çështja që shtrohet është nëse ato janë pragnisje e një përshkallëzimi dhe në zona të tjera apo mbeten si incidente sporadike. Tensioni që ekziston ndërsa ka filluar kjo fushatë, do te ndikoje që të shohim dhe raste të tjera dhe në zona të tjera. Kryesisht në rajonet që kanë dhe një rivalitet më të madh, siç është Elbasani, Durrësi, Lezha. Por këto tensione mund të shfaqen dhe në zona ku ka një ndryshim të raporteve politike si rezultat i kalimit të eksponentëve te një subjekt tjetër politik, sic është rasti i Beratit. Këto mund të quhen vatra eksponenciale, por një incident mund të ndodhë kudo, madje dhe në zonat ku parcelat politike rezultojnë të ndara dhe nuk pritet asnjë gjë e re apo përmbysje rezultati.
Ky lloj tensioni ku palët politike duken sikur nuk kanë shumë avantazh të dukshme elektoral, a e agravon më shumë konfliktin ditën e zgjedhjeve dhe procesin më pas?
Tensioni varet nga pritshmëritë por dhe ballafaqimi me realitetin. Duhet thënë se ato forca politike që nuk u rezultojnë shifrat për të arritur fitoren, atëhere janë të prirura në veprime të dëshpëruara dhe drejt akteve të dhunës. Në rastin konkret, pas qëndrimit 8 vjet në opozitë dhe shohin ndërkohë se janë larg pushtetit, kjo mund të përbëjë bazë për acarime të brendshme. Vetë shifrat e sondazheve tregojnë se PS ka ende një avantazh të dukshëm ndaj demokratëve ndaj kush ka pritur thjesht me idenë se mjafton të presësh dy mandate për të patur rradhën për të marrë pushtetin, natyrshëm që është i prirur për tensionim të mëtejshëm të situatës. Pasi vetëm në këtë formë, pra me përshkallëzim konfliktualiteti, mund të nxjerrë justifikimin nesër se humbja i ka ardhur nga dhuna e pushtetit apo se ia kanë vjedhur votat. Besoj se ky element, me të cilin kanë luajtuar të gjitha opozitat në vend, sa herë ka patur zgjedhje, është i dalë boje dhe i pabesueshëm. Patitë, dhe sidomos ato të mdha, janë bërë aq mjeshtre në betejat e ashpra elektorale që zhvillohen këtu, sa që do të ish naivitet të mendohej se votat arrijnë tu vidhen nga kundërshtarët direktë. Më së shumti votat u janë vjedhur aleatëve më të vegjël që janë rreshtuar me secilin kah, ku komisionerët ua kanë llogaritur votat në emër të partisë më të madhe. Gjë e cila mund të ndodh lirshëm dhe me votat e koalicionit të tanishëm opozitar, pasi siç dihet komisionerët që do ti numërojnë janë të PD. Nëse kujtojmë fushatat e kaluara, përgjithësisht ditët e fushatë kanë qenë të mbushura me tensione dhe provokime, çcka jepnin përshtypjen se në ditën e zgjedhjeve mund të përshkalëzohej më keq. Por kjo nuk ndodhte, përveç ndonjë incidenti të izoluara e periferik përgjithësisht dita e zgjedhjeve ka shkuar normalisht dhe pa eksese. Këtë gje parashikoj dhe në këto zgjedhje. Pra dita e votimit mund të kalojë më e qetë sesa ngarkesa e fushatës. Por ajo çfarë e bën të lodhshme procesin zgjedhor tek ne është periudha e numërimit të votave dhe nxjerrja e rezultateve që zgjatet tejskashmërisht. Kjo zakonisht është periudha më me ngarkesë dhe rrezikshmëria e lëshimit të nervave mund të gjenerojë eksese.