50 pyetje për Bashkim Finon: Nano e Meta, kryeministrat më të mirë që nga 1912-ta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervistën e fundit të gjatë mbi jetën dhe karrierën e tij, Bashkim Fino e dha me gazetarin Roland Qafoku në gazetën “Tirana Observer” në vitin 2008. Ish-kryeministri “jëtëshkurtër” i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, do të mbahet mend për sfidën më të madhe të historisë së shtetit shqiptar ku ktheu shpresën se vendi mund të bëhej pas trazirave të vitit 1997.

 

Nga ROLAND QAFOKU

E ka vuajtur shumë mungesën e babait. Qetësohet kur e bija Megi luan në piano. E ëma është njeriu që ka ndikuar më shumë në jetë. Puna më e keqe që ka bërë ka qenë kamarier. Kë ka puthur dhe me kë është dashuruar për herë të parë. Ka dëshirë që të ftojë për darkë O’Bamën dhe McCain. Çdo të bëjë nëse nuk do të ketë emrin në listën për deputet në Berat. Përse mendon se Rama duhet të lërë Bashkinë për tu bërë kryeministër dhe përse mes 32 kryeministrave në historinë e Shqiëprisë vlerëson Fatos Nnon dhe Ilir Metën. Ish-kryeministri Fino në “50 pyetje nga “Tirana Obsever”.

 

Rubrika me “50 pyetja nga Tirana Observer” nuk ka shërbyer për Bashkim Finon thjesht si një intervistë. Por edhe si e qeshura më e fundit që ai ka nxjerrë nga shpirti kur ka lexuar pyetjet. Sa për të qarën e fundit, ajo është shumë e largët pse zakoni e ka dashur që kultura jonë nuk i kultivon lotët tek burri dhe kështu Bashkim Fino më së shumti i ka gëlltitur ato.

Po le ti lëmë të qarat dhe të qeshurat. A e dini se kë vlerëson më shumë ish-kryeministri Bashkim Fino nga 32 kryeministrat e shtetit shqioptar që nga viti 1912? Për njeriun e pajtimit kombëtar, ata janë dy dhe quhen Fatos Nano dhe Ilir Meta. Ka shumë arsye për Finon që emëron këta më të mirët, porse mendimi politik i Nanos dhe pragmatizmi i Metës janë më kryesorët. Po cilët persoanzhe Fino do të donte ti ngjante. Ai nuk është as një e dy, por cilësitë e mbledhura të disave. Me shumë finesë, Bashkim Fino thotë se i pëlqen trimëria e Skënderbeut, këmbëngulja e Napoleonit, urtësia e Fan Nolit, karizma e Bill Klinton dhe zhdërvjelldësia e Miterranit. Po hajde i themi ne e gjej tek një njeri i vetëm gjithë këto alamet cilësish! Për Finon kjo s’ka rëndësi, e rëndësishme për të është këshilla më e vjetër në jetën e tij që ia ka dhënë nëna: respekto veten për atë që je! Kjo e kondicionuar edhe për faktin që i ati i kishte vdekur kur ai ende nuk kishte lindur.

Vijmë tek pika më delikate, PS-ja e tanishme dhe zgjedhjet parlamentare. Plot sinqeritet, një nga “senatorët” e parlamentit shqiptar thotë se do ti dhimbte shumë nëse Edi Rama nuk do ta përfshinte emrin e tij në listën për kandidat për deputet në Qarkun e Beratit. Po ama kësaj i shton plot politesë frazën se ka ndodhur kështu pse “nuk është gjykuar se ai duhet të kontribuojë në parlamentin e ri”. Gjithsesi, vendimin që kanë marrë ata atje lart në PS, Fino di ta respektojë duke u tërhequr por ama për tu kthyer një ditë duke u ringritur, një lëksion ky që e ka shoqëruar gjithë jetën Bashkim Finon. Ja dhe më e diskutueshmja e fundit: Çduhet të bëjë Rama me bashkinë nëse fiton zgejdhjet. Fiono përgjigjet qartë: Kryetari i PS-së duhet të lërë kreun e Bashkisë dhe të zgjidhte kryeministër. Një këshillë kjo apo një lajm për ne të gjithë që e votuam Ramën për të qenë në krye te kryeqytetit? Këtë nuk e dimë, këtë këshillë ia jep një nga politikanët më me emër dhe më të rëndësishmë në Shqipërinë e pas ‘97-ës. Një politikan që në ato kohë që vendi binte erë baruti e morën me urgjencë me një helikopter nga Gjirokastra dhe e ulën në karrigen e kryeministrit duke i thënë: na duhesh këtu.

 

  1. Cili është kujtimi juaj më i hershëm?

Kujtimi më i hershëm që më vjen në vëmëndje është një natyrë e bukur me shumë diell, ngrohtë dhe gjelbërim. Mbaj mend veten ne ketë panoramë me nënën time e cila atë ditë kishte gatuar biskotat e mia të preferuara

 

  1. Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ta mësoi?

 Ajo që duhet të kem mësuar për herë të parë ka qenë fytyra dhe era e nënës sime, por kam qene i vogël dhe natyrisht që nuk e kujtoj. Kur u rrita një ndër mësimet e para që më dha nëna ka qenë ndarja e përgjegjësive në familje. Në ishim vetëm të dy sepse im atë ka vdekur kur unë ende nuk kisha lindur dhe meqë nëna punonte dhe mbante familjen unë mësova të jem përgjegjës për veten dhe detyrimet në shtëpi. Besoj se është një leksion që ma ka mësuar jeta përmes fytyrës së nënës sime.

 

  1. Kush ka ndikuar më shumë kur ishe fëmijë?

Mungesa e babait ka ndikuar pikërisht me mungesën e tij. Më dhimbte fakti që unë nuk kisha figurën që është burim sigurie për një fëmijë. Ime më ka qenë personi që më ka rritur dhe dhënë gjithë çfarë ajo dinte për jetën.

 

  1. Cila ka qenë këshilla më e mirë e nënës apo babait tuaj? 

Respekto veten për atë që je… Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e saj, sidomos kur unë nuk ndihesha mirë sepse nuk kisha baba. Këtë gjykoj si më të rëndësishmen që kam mësuar prej saj.

 

  1. Kush ju ka nxitur më shumë në jetë?

 Sërish ime më, përsa i përket pjesës së fëmijërisë. Në adoleshencë dhe tutje përveç saj ka pasur edhe njerëz që kanë ndikuar zgjedhje të ndryshme të miat. Përshembull prej 20 vitesh janë fëmijët e mi që më nxisin të jem një figurë udhëheqëse për ta.

 

  1. Çfarë nuk ke mësuar në shkollë?

 Nëse pyesni për ndonjë lëndë, kjo nuk më kujtohet. Kam qenë nxënës sistematik dhe modestisht shumë i mirë. Të mësuarit ka qenë aktiviteti më i rëndësishëm i fëmijërisë.

 

 

  1. Çfarë të është dashur të mësoje vetë?

Të administroj emocionet e mia, të ngrihem në këmbë edhe kur rrëzohem, të shoh të shkuarën vetëm për tu frymëzuar për të ardhmen…këto janë gjëra që i kam mësuar vetë në jetë.

 

 

  1. Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë?

 Nëse më pyesi për punë të paguar, kam punuar në moshën 16 vjeç si kamarier, punë që më ka pëlqyer shumë sepse kontakti me njerëzit më ndihmoi të elaboroja stilin tim të komunikimit, gjë që nuk ka stopuar asnjëherë. Jam natyrë pozitive, përpiqem të gjej të mirat edhe atje ku ajo është shumë e fshehur, në këtë kontekst nuk kam asnjë punë të keqe, të gjitha më kanë ndihmuar të jem ky që jam.

 

 

  1. Kur vendose ti hyje karrierës dhe çdo të bëje në mungesë të saj?

Karriera erdhi natyrshëm, nuk kam pasur pikësynime agresive për të arritur gjithë atë që mendoja. Karrierë do të bëja në çdo rrethanë apo profesion që do të kisha zgjedhur, karriera politike është edhe produkt i kohës dhe situatave që jam gjendur. Njeriu lind për të bërë karrierë në jetën e tij, pak rëndësi ka në cilën fushë. Duke njohur veten, besoj se do të kisha ndërtuar karrierë në një profesion tjetër po të kisha mundësi të tjera.

 

 

  1. Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë?

 Në moshën 16 vjeç kënaqësia e lekëve në dorë është t’i shpenzosh ato me shokët dhe shoqet. Në atë kohë shkuarja në lokal apo pastiçeri ka qenë kënaqësi shumë e madhe, nuk mbaj mend ç’kam blerë me lekët e mia, por di që jam dëfryer me shokët dhe shoqet e mia.

 

 

  1. Çfarë makine ke pasur për herë të parë, e bleve vetë?

 Makina kam pasur për herë të parë ka qenë kur kam qenë kryetar bashkie, një makinë tip “Ford”, u ble me fondet e familjes. Në atë koha isha i martuar dhe makina u ble me të ardhurat e mia dhe të gruas sime, Dianës.

 

  1. Çfarë bën kur je nervoz?

 Varet nga rrethanat dhe personat që më bëjnë nervoz, ajo që i bashkon të gjitha këto është ndezja e një cigareje. Një ves i keq, por shtensionues në kushte nervozizmi.

 

  1. Çfarë të bën të mos rezistosh?

 Një gatim i shijshëm i gruas sime ose nënës sime, dhe një pjesë e luajtur në piano nga ime bijë, Megi, janë tërësisht të parezistueshme për mua.

 

  1. A je tip inatçi?

 Nuk besoj, pavarësisht nga dhimbjet që mund të më shkaktojnë, inati është momental dhe nuk ruhet për t’u shërbyer atëherë kur tjetri nuk e pret.

 

  1. Çfarë gatuan vetë?

Gratë e jetës sime (nëna dhe gruaja) më kanë përkëdhelur shumë duke gatuar për mua, në ato pak raste që më është dashur të gatuaj vetë kam skuqur vezë ose kam bërë makarona.

 

  1. Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar? Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?

 Duke gjykuar edhe nga ajo që dukem, nuk jam tip me naze në të ngrënë, më pëlqen të ha në shtëpi kryesisht gatimet e detit. Një gotë verë e kuqe më shijon në drekë ose darke me bisedat tim biri kur ai vjen në Shqipëri.

 

  1. Cili është ai personazh i historisë shqiptare apo botërore që do të donit ti ngjanit?

 Nuk mendoj se kam një personazh në mendje, por tipare personazhesh botërore, si: trimëria e Skënderbeut, këmbëngulja e Napoleonit, urtësia e Fan Nolit, karizma e Bill Klinton, zhdërvjelldësia e Miterranit… Ka edhe plot të tjerë që kanë lëne gjurmë tek unë.

 

  1. A e ke dëshirën për të parë me sytë e tu UFO e alienë dhe çfarë mendimi ndani për jashtëtokësorët?

Jam dyshues nëse UFO-t apo alienët ekzistojnë. E panjohura aq e largët më tremb, do të preferoja mos t’i shihja.

 

  1. Nga Ismail Qemali tek Sali Berisha, cili është kryeministri në historinë e Shqipërisë që ish-kryeministri Bashkim Fino vlerëson më shumë dhe përse?

Sërish, nuk kam vetëm një njeri të cilin vlerësoj. Ka disa syresh që vlerësoj për tiparet që ata kanë. Vlerësoj thellësinë e mendimit politik të Fatos Nanos dhe pragmatizmin në udhëheqje të Ilir Metës, për të tjerët kam më shumë rezerva se vlerësime.

 

  1. Po të ishit ju aktualisht kryeministër, si mendoni, punët e Shqipërisë do të ecnin më mirë apo më keq dhe përse?

Padyshim që do të ecnin ndryshe. Bazuar në shprehitë e përdorura nga unë si kryeministër në një periudhë shumë të vështirë si ’97-ta, në përvojën politike gjatë këtij 11 vjeçar dhe mbështetjen e faktorëve politikë të majtë padyshim që situata do të ishte ndryshe, më mirë.

 

  1. Nga ndryshon Partia Socialiste e Fatos Nanon me Partinë Socialiste të Edi Ramës?
Lexo edhe :  Shakira në një lidhje dashurie me aktorin e njohur?

Partia Socialiste ka qenë dhe është institucioni në të cilin lindin dhe zhvillohen ide demokratike. Ndryshimi i udhëheqjeve ka sjellë ndryshim në mënyrën sesi shtrohen apo trajtohen këto ide. I rëndësishëm është fakti që atje gjenerohen ide dhe politika funksionale.

 

  1. Çfarë i falni dhe çfarë nuk i falni Fatos Nanos me veprimet e tij?

 Unë nuk mund të gjykoj në këto kushte, për të gjykuar dikë duhet të vlerësojmë edhe kontekstin me prurjet historike në të cilin kanë ndodhur ngjarjet. Nëse ka gjëra që Fatos Nano nuk i fal vetes, ateherë ato janë ato që edhe unë me qytetarë të tjerë shqiptarë nuk i falin atij.

 

  1. Këta të rinjtë e PS-së ku ju kanë futur juve personalisht tek xhaketat e vjetra apo të reja të PS-së?

 Nuk mendoj që të rinjtë e PS-së janë aq sipërfaqësorë sa të ndajnë xhaketat cekësisht. Vetë koncepti xhaketë e vjetër është i shëmtuar sidomos në Partinë Socialiste ku janë prodhuar dhe prodhohen politika shumë avanguarde.

 

  1. Deputeti Ben Blushi në të njëjtën rubriknë ne “Tirana Observer”, ka deklaruar se në PS nuk ka ndryshur asgjë, i vetmi ndryshim është se mungon Fatos Nano. A ndani ju të njëjtin mendim me kolegun Blushi?

 Respektoj këndvështrimin e kolegut Blushi, megjithëse nuk kam të njëjtën perspektivë. Ndryshime ka, nëse më pëlqejnë ose jo ndryshimet kjo duhej të ishte një pyetje tjetër.

 

  1. Më shumë se një herë Edi Rama ka deklaruar se politika ka dështuar në këto 18 vite qeverisje duke fajësuar edhe PS-në. A mendoni edhe ju se PS nuk ka bërë asgjë pozitive gjatë qeverisjes së saj?

 Retorika e përdorur nga politikanët në fjalime dhe fushata nuk mund të merren në kuptimin e tyre të parë, sidomos mënyrën e shprehjes së Edi Ramës që është e sofistikuar. Kryetari i PS, Rama, sigurisht që e di që PS në ’97-ën rindërtoi strukturat e shtetit që u lëshua nga qeverisja e djathtë. Vetë Rama ka qenë pjesë e qeverisjes së majtë, Rama është fort i mençur për të mos hedhur baltë mbi shpatullat e veta. Natyrisht që ka gjëra që mund të bëheshin ndryshe, i takon Ramës që në 2009 të tregojë sesi mund të bëhen gjërat më mirë.

 

  1. Na thoni ju lutem, për cilën tezë apo mendim keni debatura apo kundërshtuar kreun e PS-së Edi Rama?

Kur kam qenë sekretar organizativ në PS me Edi Ramën kemi diskutuar shpesh dhe fort pikërisht lidhur me strukturat organizative të Partisë. Rama është njeri më ide të reja por kishte nevojë për ndihmën e dikujt që njihte strukturat e partisë në mënyrë që ai vetë të mbillte me sukses idetë e tij. Pavarësisht debateve, Rama është njeri që di të dëgjojë dhe të kuptojë, një cilësi shumë e vlefshme për një udhëheqës.

 

  1. A do të jetë emri juaj në listën për kandidat për deputet në Qarkun e Beratit?

Nuk është diskutuar ende kjo çështje për aq sa unë unë di. Jam i bindur që kryesia e PS-së do të dijë të marrë vendimet më të mira të mundshme për të kontribuar në qeverisjen cilësore të Shqipërisë

 

  1. Nëse emri juaj nuk do të jetë në fillim të listës çfarë do të thotë kjo dhe si do të reagoni?

 Do të thotë që nuk është gjykuar që unë mund të kontribuoj më në Parlamentin Shqiptar, kjo do të më dhembi shumë. Por, unë di të tërhiqem duke respektuar prurjet e reja në politikë. Di gjithashtu, të ngrihem sërish, një nga leksionet e jetës sime.

 

  1. Çfarë do të jeni ju në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE?

 Qytetar i Republikës së Shqipërisë që do të shijojë anëtarësimin në BE si zhvillim i vendit të tij.

 

  1. Për cilën arsye do tërhiqeshit nga politika?

 Nëse do të ndjeja se nuk kam më gjë për të ofruar për votuesit e mi dhe zhvillimin e vendit. Dhe, nëse politika do të më lodhte.

 

  1. Gjirokastra ka nxjerrë shumë politikanë të njohur, kryeministra, figura të shquara të shkencës dhe letërsisë. Ka nxjerrë edhe gjeniun Ismail Kadare por edhe diktatorin Enver Hoxha. Përse sipas jush mes këtij bollëku figurash ka dalë edhe një diktator si Enveri?

 Thjesht parimi i të kundërtave. Që të njihen vlerët, padyshim që duhet të njihen dhe antivlerat, ndryshe vlerat nuk di të ishin më të tilla. Që bateria të funksionojë duhet të ketë polin negativ dhe atë pozitiv, ndryshe ajo  nuk punon. Pra, Gjirokastra ka prodhuar figura, pavarësisht se ata i përkasin poleve të kundërt.

 

  1. Nëse do tu jepnin të drejtën mbi bazën e një ligji përkatës dhe kjo të ishte në dorën tuaj, kë person do të donit të dëbonit nga Shqipëria?

 Nuk mendoj se do të dëboja një person, por, do të doja të dëboja  të gjithë ata që nuk duan zhvillimin dhe favorozojnë injorancën. Injoranca është mëkat i madh. Me pushime, shumë larg Shqipërisë do të më pëlqente të çoja kryeministrin Berisha.

 

  1. Nëse do të dinit kodin e një bombe bërthamore, me kë person do ta ndanit këtë sekret?

 Nuk do ta ndaja me askënd, madje do të përpiqesha ta harroja edhe vetë. Një informacion i tillë, të prish qetësinë e jetës.

 

  1. Kë ke mik më të ngushtë?

 Atë që më gjendet kur unë kam nevojë për të. Atë që pavarësisht gjithçkaje di të falë dhe të kuptojë.

 

  1. Cili është huqi juaj më i keq?Çfarë zakonesh të mira ke?

 Si njeri pozitiv që jam preferoj të them zakonet e mira që janë leximi i përditshëm i materialeve profesionale dhe artistike dhe kafeja me gruan time Diana çdo pasdite. Huqi…jam nepsqar. Ndonjëherë shumë i ndjeshëm ndaj disa gjërave që kur ilaçi kohë e shëron, më vjen keq për sensitivitetin e momentit.

 

  1. Kur ke qarë dhe kur ke qeshur për herë të fundit dhe përse?

 Kam shumë kohë që nuk qaj, sepse kultura jonë nuk kultivon lotët tek burri, kështu që më është dashur t’i gëlltis ato. Në varrimin e viktimave të Otrantos lotët nuk i kisha dot në kontroll. Për herë të fundit kam qeshur me dashamirësi kur lexova pyetjet tuaja.

 

  1. A e ke ndjerë ndonjëherë se ta kanë hedhur?

Kur kam qenë fëmijë. Kam qenë dhe jam tip i drejtë, kështu që kur luanim kishte nga ata fëmijë që arrinin të bënin me hile dhe të fitonin lojën. Padyshim, që duhet të ketë pasur momente edhe si student apo i rritur, nuk më kujtohen.

 

  1. Kur has në pengesa si kundërvepron? 

Përpiqem të analizoj situatën në disa këndvështrime dhe të gjej zgjidhjen që më dëmton më pak në terma kohorë afatshkurtër dhe afatgjatë. Gjithashtu, di edhe të pres.

 

  1. Ku do të arrish pas një viti?

 Synimi im në jetë është zhvillimi i vetes sime personale dhe profesionale, pavarësisht pozicionit politik, pas një viti do të dua të kem arritur pikërisht këtë synim.

 

  1. A është e prekur Shipëria nga kriza financiare botërore dhe çduhet të bëjë shteti?

 Padyshim që po, jemi një vend në zhvillim, shumë segmente të ekonomisë tonë varen nga importi dhe investitorët e huaj, varësia ndaj politikave të vendeve të anëtarësimit do të tendosi edhe më situatën ekonomike në vend. Gjykoj, duke u bazuar në lexinim e gazetave profesionale financiare që SHBA ende nuk ka provuar fundin  e krizës së vet financiare. Rezonaca e asasaj krize ende nuk është ndjerë saç realisht ajo është në vendin tonë.

 

  1. Si mendoni ju Edi Rama duhet të lërë bashkinë për tu bërë deputet, apo duhet ti mbajë të dyja?

 Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Ramës i duhet të drejtojë fushatën elektorale për zgjedhjet e 2009. Zgjedhje të cilat padyshim që do të fitohen nga e majta si e vetmja alternative për të nxjerrë vendin nga krizat morale dhe financiare që e ka degdisur qeverisja e djathtë. Pas fitimit të zgjedhjeve mendoj se ai duhet të jetë kryeministri i ardhshëm, si i tillë ai nuk mund të jetë edhe kryetar bashkie edhe kryeministër. Pra, detyrimi politik i ardhshëm i tij është të jetë kryeministër.

 

  1. Kë ke dëmtuar gjatë rrugës tënde?

Shpresoj të mos kem dëmtuar shumë. Por, me bindje them se personat që janë dëmtuar më shumë janë fëmijët e mi dhe gruaja ime. Kam vjedhur nga koha e tyre për përgjegjësitë e mia si qytetar dhe politikan. Pikërisht atyre u kërkoj ndjesë të thellë.

 

  1. Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?

Kam puthur atëherë kur e kam ndjerë se mund të puthja, kam puthur atë që më frymëzoi të puthja, dhe ka ndodhur siç i ndodh gjithkujt, në një moment që është regjistruar si pjesë e privatësisë.

 

  1. Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri?

 Jam dashuruar me dikë që kishte tiparet e mirësisë dhe durimit. Është një dashuri që do të jetojë me mua, sepse pavarësisht sa zgjasin dashuritë ato janë pjesë e ndërtimti të individit, nuk harrohen.

 

  1. Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?

 Duke u ndikuar nga intensiteti i informacionit dhe gati familiariteti me figurat e tyre do të doja të ftoja Barak O’Bamën dhe McCain.

 

  1. Cila është shprehja steriotipe që të pëlqen më shumë?

 Përpiqem që shprehjet dhe mendimet stereotipe t’i shmang për aq sa mund të shmangen duke u dhënë vlerën unikale  momentit ngjarjeve apo situatave. Megjithatë ajo që shpesh përdor në raste apo ngjarje të vështira është “Jeta është e bukur”.

 

  1. Cili është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar?

 Filmi që më ka impresionaur shumë së fundi është “Trishtimi i zonjës Shnaider” i Pirro dhe Eno Milkanit të cilët i uroj edhe për përzgjedhjen e filmit të tyre në listën e filmave të huaj që konkurrojnë për Oskar. Librat dhe këngët janë shumë sepse varen nga momenti që i lexon dhe ndikimi që kanë në jetën tënde.

Poeti im i preferuar është Dritëro Agolli, këngëtari Ardit Gjebrea. Padyshim që ka shumë të tjerë që i vlerësoj, por në këtë moment këta me pluskojnë mendjen.

 

  1. Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë?

 Të lëndoja dikë me dashje.

 

  1. Ku do të jetoje po të ishte plotësisht i lirë për të zgjedhur?

 

Do të doja të jetoja këtu në Tiranë, por po të isha i lirë do të doja të njihja kulturat e ndryshme si ajo arabe, kineze etj.

 

  1. Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë?

Çufo dhe bubi kaçurel, personazhe që i shihja me fëmijët.

 

 

 

Të fundit

Publikohet lista me 28 aplikacione që duhen fshirë nga celularët, mund t’ju rrezikojnë

Këto aplikacione kanë qenë në Play Store për më shumë se 9 muaj. Konkretisht, ata kanë qenë në Play...

“Erdhi fituesja e Big Brother…”, deklarata nga jashtë ndez debatet mes banorëve

Big Brother Vip Albania është një fenomen social që mbërthen fort jo vetëm vëmendjen por edhe debatin publik. Këtë vit synimet janë akoma më...

Meloni zbulon bisedën me Makron për propozimin e dërgimit të trupave në Ukrainë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zbuluar se i shprehur presidentit francez Emmanuel Macron mospajtimin e saj me komentet e tij të para disa javëve...

Itali/ Ngarkesa 1 ton shkëputet nga vinçi dhe zë poshtë shqiptarin , humb jetën në vend

Një shqiptar 52-vjeçar ka humbur jetën në Itali ditën e sotme pasi një ngarkesë me materiale elektrike, me peshë rreth një ton, u shkëput...

‘Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo’/ Avokati për Ilir Metën: I sëmurë psiqik…

Avokati Idajet Beqiri tha në Studio Live se Ilir Meta mori floririn e Kërrabës dhe tashmë ka blerë një minierë zinku në Kongo, me...

Lajme të tjera

Web TV