Plator Nesturi
Janë fazat e fundit për përcaktimin se si do të jetë fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Ndryshimet në ligj kanë përcaktuar rregulla të reja dhe mënyrë të ndryshme përsa i përket kandidatëve për deputetë të cilët mund të prishin renditjen partiake dhe të gjejnë mundësi për kapje mandate nëse grumbullojnë vota individuale. Kjo mënyrë e re ka futur në një tension të brendshëm marrëdhëniet midis kandidatëve të së njëjtës listë dhe ku të gjithë janë rivalë mes tyre për poltronin e deputetit. Sidoqoftë partitë politike më së pari janë interesuara jo për fatin e secilit sesa për vetë rezultatin dhe mënyrën më te efektshme për të përthithur vota. Tashmë kemi tre propozime për fletën e votimit. PS mjaftohet që në listë të paraqiten numrat sipas listës, ndërkohë që PD këmbëngul që në listë të pasqyrohen emrat e të gjithë kandidatëve për deputetë. Dhe kjo pavarësisht se fleta e votimit do të ish më e madhe sesa po të ishte thjesht me numrat sipas renditjes. Sidoqoftë ekziston dhe një propozim I tretë, dhe kjo nga partitë më të vogla aleate e të përfshira në listën e PD. Sipas tyre, përveç emrit të kandidatit, duhet që përkrah tij të vendoset edhe sigla e partisë kur ai u përket aleatëve.
Në këtë mishmash që duket se do hajë debat, KQZ ka ftuar qytetarët që të votojnë në faqen zyrtare të Komsionit Qendror se cilin variant parapëlqejnë. Dhe sipas shifrave, fitues del variant ku fleta e votimit të ketë edhe listën emërore të kandidatëve. Por sërish nuk mbaron me kaq. Nëse në votim qytetar del votues do të duhet të kalohen të tjera shqyrtime që të vendoset se cili variant do të sanksionohet. Së pari çështja do të shqyrtohet nga Komisioni Këshillimor i KQZ I cili duhet të ketë aprovimin e të 4 votave që ka në dispozicion që të kalojë. Pra, vendim unanim dhe jo votim shumice, çka vërtet e bën të vështirë vendimin. Por dhe pas kësaj do të duhet aprovimi nga kryekomisioneri, që është vetë zoti Celibashi. Një seri hallkash e procedurash pra që kanë rrezikun e zvarritjes dhe hapjes së debateve të panevojshme politike. Sidoqoftë, çështja e fletës së votimit duket si më e thjeshta përpara vendimeve që duhet përballen komisionerët. Ajo çfarë duket si thembra e Akilit është përcaktimi se kush do të numërojë votat e partive pasi të kenë dalë rezultatet e përgjithshme sipas subjekteve në zgjedhje. Pasi numërimi I tyre do të përcaktojë se kush do të dalë kandidat e kush jo dhe këtu vonesat apo akuzat për manipulime të brendshme mund ta çojnë përfundimin e procesit të numërimit në cikle të panjohur.