Nga Fernada Cenko
Kandidat i Aleancës për Ndryshim, nënkryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Arben Tafaj, ka folur në një intervistë për gazeta “Fjala” se pse duhet të votohet Aleanca e Ndryshimit më 25 prill. Ai thotë se: “Kjo është një betejë politike për të ardhmen e shqiptarëve, për të braktisur të sotmen e trishtë dhe të shkuarën e pashpresë”. Tafaj është ndalur më së shumti në ndryshimin e Tiranës. “Tirana ka njerëz punëtor të jashtëzakonshëm. Ata i përkushtohen punës, djersës së tyre dhe kështu kanë ndërtuar shtëpitë e tyre ekonominë e tyre, por njëherësh janë edhe shtëpia e ardhme e shqiptarëve”, thotë Tafaj duke ngritur edhe të gjitha problemet që ka sot Shqipëria. Tafaj ndihet i zhgënjyer nga kjo qeveri për shkakun se shumë vepra që identifikoheshin me Tiranën nuk janë më. “Stadiumi, Teatri, Materniteti Mozaiku, vilat e vjetra, kinematë, më thoni ju çfarë ka mbetur nga Tirana ikonë trashëgimie. E gjitha kjo Tiranë e kujtesës dhe memories sonë, është betonuar”, thotë Tafaj
Tafaj, kanë mbetur edhe 12 ditë nga data zgjedhore, 25 prilli, një betejë elektorale për Tiranën apo për gjithë Shqipërinë?
Kjo është një betejë politike për të ardhmen e shqiptarëve, për të braktisur të sotmen e trishtë dhe të shkuarën e pashpresë. Natyrisht Tirana ka peshën kryesore, orientimi politik i së cilës, tërheq vendin, duke bërë diferencën por njëherësh duke qenë përcaktuese në pritshmëritë e fituesve nesër. Kudo që të gjendesh në takimet e shumta, të gjithë pyesin, ç’thotë Tirana, ç’bëhet në Tiranë, është një lloj kutie shpërndarëse në mesazhe. Nëse do konkludonim qëndrimin vërtetë trupi është anembanë, por koka është në Tiranë. Janë ditë intensive, shqiptarët po qartësohen çdo ditë e më tepër, vendosmëria e tyre ka një qasje të kthjellët, pro opozitës. Ne shohim se e diela e 25 prillit është një orë vendim-marrjeje përtej partive politike. Është një pikë takimi, të cilën qytetarët e shohin si një prag kapërcimi, drejt një ndryshimi deri në padurim.
Nënkryetar i PAA, kandidat i Aleancës për Ndryshim, kryetar i shoqatës Tirana, jeni një kandidat gjithëpërfshirës thuajse…
Relativisht po. Unë dhe zoti Duka kemi një kimi politike, dhe ajo çfarë na ka bashkuar në këtë projekt prej vitesh është premtim-mbajtja, fjala dhe kontrata e besimit nuk janë cenuar asnjëherë. Është një lloj marrëveshje e cila ruhet nga paprekshmëria e të qënit korrekt, dhe bashkë me qytetarët, votuesit, mbështetësit, jemi aksionerë të përbashkët. Prej vitesh në politikë, e shoh veten të përfshirë në një rrugëtim gjithnjë e më tepër përgjegjësi. Jam konservator në bindjet e mia, formimin tim dhe atë familjar. Besimi në Zot, pronë, familje, liria e individit, sipërmarrja dhe tregu, janë kolona e kulturës politike, të cilat janë njëherësh shtrat program dhe qeverisjeje. Shoqata Tirana le të themi se është njëherësh familja e madhe ku unë bëj pjesë, bashkë me miqtë e fëmijërisë sime, apo të të parëve të mi. Ajo është sofra e shpirtit ku ne jemi të bashkuar dhe është një lloj musketirizmi që na identifikon.
Takime të shumta, çfarë ju thonë qytetarët, çfarë kërkojnë, premtimet tuaja, sa afër tyre janë?
Prej javësh ne jemi në takime të shumta në të gjithë vendin, por unë jam kryesisht në Tiranë, në të gjithë qarkun. Shoh njerëz të zhgënjyer, të braktisur, të lënë në harresë, të vjedhur e të grabitur, që janë në kufijtë e mbijetesës. Ekonomia ka marrë tatëpjetën prej kohësh. Mbështetja është shfaqje e huaj. Shërbimet janë thjesht një teori. Njerëzit nuk kanë mundësi. Taksat e paguara prej tyre shpërdorohen në mënyrën më kriminale të mundshme. Në vitin 2021, ende të kërkosh rrugë pranë banesës, energji, ujë, shërbime bazike, kjo përbën një akuzë të rëndë për qeverisjen, menaxhimin e pushtetit, qoftë ai qendror apo vendor. Tirana ka njerëz punëtor të jashtëzakonshëm. Ata i përkushtohen punës, djersës së tyre dhe kështu kanë ndërtuar shtëpitë e tyre ekonominë e tyre, por njëherësh janë edhe shtëpia e ardhme e shqiptarëve. Periferia është lënë tërësisht jashtë çdo investimi dhe vëmendje. Ka ekonomi dhe sipërmarrje të cilat rrënohen sepse nuk mbështeten. Kujtojmë që Tirana e hershme ka pasur bujqësi, pemtari, vreshta, ekonomi që janë shkatërruar. Ata duan të qeverisen dhe jo nënshtrohen. Duan të përfaqësohen, duan të jetojnë dhe jo të emigrojnë. Ne kemi një projekt një program qeverisës që do të bëjë diferencën rrënjësore në mandatin tonë të parë.
Dua të pyes për Tiranën e sotme, çfarë po i ndodh, a është ajo Tirana e të gjithëve, apo transformimet janë pozitive?
Kjo më trishton vërtet. Ky bashkiak, vartës interesash jo të qytetarëve e ka zhbërë atë qytet të dashur, të ngrohtë, të veçantë që ne kemi trashëguar. Sigurisht ndryshimet dhe zhvillimi janë domosdoshmëri. Por shikoni çfarë ka bërë ai dhe shefi i tij në qeveri. Ne sot nuk kemi atë pronë të trashëgimisë kulturore, historike, antike të lënë nga të parët tanë. Shembja është kryefjalë e këtyre soj pushtetarëve. Stadiumi, Teatri, Materniteti Mozaiku, vilat e vjetra, kinematë, më thoni ju çfarë ka mbetur nga Tirana ikonë trashëgimie. E gjitha kjo Tiranë e kujtesës dhe memories sonë, është betonuar, është klonuar në interesa oligarkësh. Janë shumëkatëshe të një adrese pastrimi parash.
A kemi më cilësi jetese dhe cilësi ajri të njëjtë me Tiranën dikur?
Jo aspak.. A kemi identitetin tonë të ruajtur? Jo aspak. Ne duhet ta marrim dhe t’ia kthejmë Tiranën qytetarëve, të zhvillojmë qytetin por pa asgjësuar identitetin. Kjo tashmë është një vonesë e madhe sepse e keqja është bërë. Por duhet ndaluar rrokullisja e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Qytetarët janë zgjuar dhe vërshojnë në takime dhe në biseda të shumta, ku kërkojnë të ndryshojnë me shpejtësi. Nuk ka orë për të humbur.
Tafaj në Parlament çfarë do ndodhë me zërin e kryeqytetasve, një përfaqësim i munguar më herët?
Tirana ka pasur deputetë të saj, nga familje të vjetra dhe mendoj se kjo duhet të jetë një traditë e gjithë politikës, por më tepër e së djathtës sepse familjet e vjetra të kryeqytetit kanë një të shkuar të djathtë. Janë pronar tokash, janë familje të përndjekura. Pikërisht kjo sakrificë e tyre kërkon vëmendje konkrete. Pronat e tyre janë ende adresa gjykatash e procesesh gjyqësore. Sakrifica e tyre shumëdimensionale duhet të ketë zërin e saj. Ky qytet ka pasur në breza personalitete që i kanë dhënë vendit. Kjo është një e vërtetë që duhet të prodhojë trashëgimi. Arben Tafaj apo përfaqësues të tjerë të Tironës siç unë dhe ne themi duhet të jenë një kolonë dinjiteti, në atë sallë kuvendi.
25 prilli, opozita fiton apo mazhoranca humbet?
Janë tetë vite vuajtje për qytetarët e gjithë Shqipërisë. Në këtë vend sot ka mbi 500 mijë qytetarë më pak se sa kishte në vitin 2013, kur qeveriste PD, sot jetohet më keq, ka më shumë borxhe, ka më pak mundësi punësimi, ka më pak kujdes shëndetësor, ka një borxh publik katastrofik, ka një ekonomi informale në shifra të frikshme, ka një ortakëri të krimit me pushtetin që është shkatërruese, kemi raporte të ndërkombëtarëve të cilat flasin për demokraci në rrezik, rrëshqitje në diktaturë, abuzime dhe korrupsion tronditës. Transparenca, liria e medias, e fjalës, e shprehjes, janë kërcënuar dhe thuajse asgjësuar nga një njeri i vetëm që ka të gjitha pushtetet. E gjitha kjo është torturë për shqiptarët. E si munden ata të mbështesin prodhuesit e këtij realiteti. Kjo i bën njerëzit në shumicë opozitarë dhe koalicioni ynë është tej aleancës, është më i madh se ai. Është dëshmi e një fitoreje të Opozitës, e alternativës së saj, programit të saj. Shqiptarët janë bindur, Opozita e sotme do ti integrojë në BE aty ku ata e meritojnë.