Qëndrime ndaj proceseve të rajonalizimit, integrimit dhe globalizimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Selami Xhepa dhe Adrian Civici 

Qëllimi i këtij raporti studimor organizuar dhe mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, është analiza e perceptimeve të publikut mbi mënyrën e funksionimit të sistemit ekonomik e shoqëror, raportet ndërmjet shtetit dhe tregut, ndryshimet në sistemin e vlerave shoqërore që mund të jenë ravijëzuar gjatë tri dekadave të tranzicionit drejt një sistemi demokratik dhe ekonomisë së tregut, si dhe vlerësimet e publikut lidhur me proceset integruese në të cilat është angazhuar vendi.

Analiza e mëposhtëme evidenton vecanërisht qëndrimet e publikut shqiptar ndaj proceseve të rajonalizimit, integrimit dhe globalizimit.

Shqipëria i përqafoi proceset globalizuese dhe integruese që me fillimet e tranzicionit, duke realizuar liberalizimin e plotë të aktivitetit të shkëmbimeve tregtare, si dhe të investimeve direkte e më vonë dhe atë të investimeve portofol. Ndërsa në fillim të viteve ’90 këto zhvillime ishin të njëanshme, si nevojë e politikave të brendshme, pas viteve 2000, ato u diktuan nga proceset rajonalizuese dhe globalizuese ku Shqipëria filloi të aderojë.

Pas anëtarësimit në vitin 2000 në Organizatën Botërore të Tregtisë, nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian në vitin 2006 dhe anëtarësimit në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e Europës Qendrore e Lindore (CEFTA) – që vinte pas nënshkrimit që nga viti 2001 në një rrjet bilateral të tregtisë së lirë me gjithë vendet e rajonit, duke përfshirë Moldavinë – po në këtë vit, Shqipëria e institucionalizoi pjesëmarrjen e saj në proceset globalizuese.

Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Tregtisë, rreth 49% e linjave tarifore  në Shqipëri importohen pa tarifa doganore. Tarifa doganore mesatare e thjeshtë është 4.2%, ndërsa për produktet bujqësore 8.7%.

Si rrjedhojë e politikave liberalizuese dhe rritjes ekonomike, aktiviteti i tregtisë me jashtë në vite është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë dekadës së fundit, 2008–2019, eksportet u rritën me 1.5 herë, ndërsa importet qenë rreth 36% më të larta.

Liberalizimi tregtar dhe reduktimi i ndjeshëm i barrierave tregtare tarifore, nxitën një proces të rëndësishëm rialokimesh të burimeve në ekonomi, duke krijuar grupe përfituesish dhe humbësish. Sot globalizimi është shndërruar në një nga temat e forta të kundërshtuara nga opinioni publik botëror për shkak se ai është perceptuar se po funksionon vetëm për disa dhe jo për gjitha grupet shoqërore.

Ndikimet e tregtisë dhe të politikave tregtare në rritjen ekonomike dhe në varfëri  transmetohen nëpërmjet disa kanaleve, si:

(i) çmimet dhe disponueshmëria e mallrave;

(ii) çmimet e faktorëve, të ardhurat dhe punësimi;

(iii) taksat dhe transfertat qeveritare;

(iv) nxitjet për investime dhe inovacion;

(v) goditjet e jashtme, veçanërisht nëpërmjet ndikimit në termat e tregtisë dhe

(vi) risqet afatshkurtra dhe kostot e axhustimit.

Ky diversitet i kanaleve të transmetimit e bën kuantifikimin e plotë të efekteve një sipërmarrje tepër komplekse, madje të pamundur. Një shqyrtim i hollësishëm i literaturës  lidhur me efektet e tregtisë dhe të politikave tregtare në varfëri, mund të gjendet në një studim të Hertel-it dhe Reimer-it (2004).

Siç theksohet në këtë material, vlerësimet e efekteve të tregtisë dhe të politikave tregtare, përveçse dallojnë nga metodologjia (ekuilibri i përgjithshëm përkundrejt ekuilibrit pjesor), nga baza e nisjes (për shembull, nga të dhënat e vrojtuara të LSMS-së apo statistikat e llogarive kombëtare dhe mbi supozimet e bëra për sjelljen e një agjenti përfaqësues) etj., ato janë dhe të pjesshme, në kuptimin e vlerësimit të një apo dy kanaleve të transmetimit të efekteve të politikave.

Lexo edhe :  Spartak Ngjela: Kush më shpjegon se si është pasuruar familja e Berishës?

Në rastin e Shqipërisë, një vlerësim i përgjithshëm ekonomik i proceseve integruese rajonale dhe europiane është realizuar nga Maliszeëska dhe Kolesnichenko  (2004). Studimi konfirmon efektin e përgjithshëm pozitiv të proceseve integruese në mirëqenien e qytetarëve, si dhe vlerëson rialokimet sektoriale të burimeve ekonomike që pritet të ndodhin si pasojë e këtyre zhvillimeve. Një studim i ngjashëm është bërë dhe nga Xhepa (2005)  duke përdorur modelin dhe bazën e të dhënave të Projektit të Analizimit të Tregtisë Botërore (Global Trade Analysis Project (GTAP)), i cili gjithashtu zbulon se këto procese, edhe pse modeste, kanë një ndikim pozitiv në mirëqenie.

Duke përgjithësuar vlerësimet empirike të ndikimit të liberalizimit tregtar në mirëqenien e shoqërisë, mund të konkludojmë se ato kanë qenë më së shumti pozitive.

Ky konkluzion gjen mbështetje edhe nga perceptimet e publikut. Siç rezulton nga pyetësori, më shumë se 80% e popullatës besojnë se marrëveshjet e tregtisë së lirë me rajonin kanë qenë pozitive dhe ata e mbështetin thellimin e tyre. Gjithashtu shumica e qytetarëve besojnë se ato kanë sjellë avantazhe për ekonominë kombëtare.

Sa pajtoheni me pohimin e mëposhtëm mbi progresin e integrimit rajonal në fushën ekonomike dhe financiare?

Qytetarët janë disi të dyzuar mbi nevojën për një ruajtje të kontrollit mbi politikëbërjen dhe sovranitetin kombëtar në kontekstin e thellimit të procesit të globalizimit.

Siç dëshmohet nga të dhënat e grafikëve në vijim, duket se në përgjithësi publiku nuk do të dëshironte të shihte heqjen dorë nga sovraniteti kombëtar si rezultat i thellimit të proceseve integruese, por nga ana tjetër, vërehet një nivel më i lartë besimi ndaj kontrollit të legjislacionit nga jashtë sesa nga politikanët vendas.

Një nga problemet kryesore të thellimit të integrimit me ekonominë botërore është se rritja e presioneve konkurruese çon në falimentime të industrive jokonkurruese dhe, për pasojë, në shtimin e papunësisë. Këtyre pasojave negative të globalizimit qeveritë u janë përgjigjur me projekte rikualifikimi të forcës së punës, në mënyrë që ajo të rialokohet drejt industrive të reja, që i rezistojnë konkurrencës së shtuar.

Rreziku i dytë serioz për tregun e punës janë ndryshimet e rëndësishme teknologjike që kanë ardhur si pasojë e zhvillimit të teknologjive të reja të njohura si Revolucioni i Katërt Industrial.

Ky rol që duhet të luajnë qeveritë gjen mbështetje edhe nga rezultatet e këtij pyetësori, ku rreth 80% e publikut besojnë se qeveritë duhet të luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen nga globalizimi dhe digjitalizimi.

Sa pajtoheni me pohimin e mëposhtëm mbi masat politike me ndikim në marrëdhëniet ekonomike dhe sociale në vend?

Në përfundim, mund të konkludojmë se opinioni publik i mbështet proceset e integrimit të vendit dhe dëshiron që ato të thellohen dhe më tej. Këto procese vlerësohen se kanë pasur avantazhe për ekonominë kombëtare dhe kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht në mirëqenien e shoqërisë. Nga ana tjetër, publiku konsideron se qeveria duhet të luajë një rol më aktiv në mbajtjen nën kontroll të pasojave negative që ushtrojnë proceset e globalizimit dhe përparimit teknologjik mbi tregun e punës.

Gjithashtu, kontrolli lokal mbi legjislacionin dhe ushtrimi i sovranitetit kombëtar vlerësohen me rëndësi nga publiku.

Të fundit

Burg kush bën parkim dysh/ Eksperti zbulon nenin që çon qytetarët në qeli

Për ekspertin e Çështjeve Rrugore Arben Luzi, bllokimi i rrugës për çdo lloj arsye është vepër penale. I ftuar ditën...

Kina i shkon te bregu Tajvanit me tanke amfibe

Kina ka nisur stërvitje intensive me zjarr të vërtetë pranë brigjeve të Tajvanit, në një tjetër shfaqje force që rrit ndjeshëm tensionet në rajonin...

Mediat e Tel Avivit shkruajnë për kapiten Arben Anamalin: Vdiq duke shpëtuar dy izraelitë

Mediat izraelite i kanë dedikuar një shkrim kapitenit Arben Anamali që humbi jetën në liqenin e Shkodrës teksa ndërhyu të shpëtonte dy turistë izraelitë...

VIDEO/ Prezantim me shqiponjë dhe flamur, ish-sulmuesi i Partizanit firmos në Spanjë

Agim Zeka ka firmosur në Spanjë. Ish-sulmuesi i Partizanit është futbollisti më i ri i Real Murcias. Zeka është grumbulluar edhe me Kombëtaren shqiptare,...

Momentet e fundit të 35-vjeçarit përpara se të “thithej” nga turbina e aeroplanit (Video)

Një ngjarje tragjike ka nodhur në një nga aeroportet e Italisë. Siç shihet edhe në video Andrea Russo 35 vjeç gjeti vdekjen në pistën e aeroportit...

Lajme të tjera

Web TV