Loja e shahut me “tre” lojtarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Almario Uka

 

Vetëm nëse Bashkimi Europian do të merret seriozisht nga SHBA-të dhe Kina, do të ketë shansin e tij për të modeluar dhe transformuar rendin botëror bipolar në atë që sot shihet si pluralist dhe multilateral, e jo hierarkik dhe i polarizuar. Pra, Europa duhet të jetë “gur” e jo thjeshtë “tabelë” e shahut politik botëror.

Teoria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Significant alter”, na mëson që Bashkimi Europian duhet të jetë aktori balancues i dy superfuqive, SHBA-së dhe Kinës. Vetëm nëse Bashkimi Europian do të merret seriozisht nga SHBA-të dhe Kina, do të ketë shansin e tij për të modeluar dhe transformuar rendin botëror bipolar në atë që sot shihet si pluralist dhe multilateral, e jo hierarkik dhe i polarizuar. Bota sot, ndodhet në një udhëkryq me tre drejtime të ndryshme: i) thellimi i bipolarizimit midis Kinës dhe SHBA-së që të çon drejt një Lufte të Re të Ftohtë; ii) krijimi i një rendi me një aktor të ri të vetëm në skenë; ose iii) mbajtja dhe përmirësimi i rendit aktual multipolar dhe pluralist i cili i udhëheq ekonomitë liberale drejt prosperitetit. Për Bashkimi Europian, marrëdhëniet me aleatin historik 75 vjeçare – Amerikën, janë në radhë të parë. Ai vjen me një paketë të gjerë të propozimeve për rivendosjen e marrëdhënieve transatlantike, në një kohë kur administrata e re e SHBA-ve është më pro- europiane e viteve të fundit.

Për të reflektuar prezencën e saj në çështjet e “nxehta globale”, BE-ja ka hartuar një strategji të veprimit në rajonin Indo-Paqësor. Kjo axhendë nuk shigjeton Kinën, por kërkon të mbështesë një sistem multilateral të bazuar mbi rregulla që Pekini e kërkon gjithashtu. Planet e Brukselit për të garantuar lirinë e navigimit në Detin e Kinës së Jugut, për ta diversifikuar zinxhirin e ofertës përtej Kinës dhe për të promovuar një hapësire të re kibernetike të hapur dhe të lirë nuk pritet të shihen me entuziazëm nga Pekini, pavarësisht se BE-ja i kërkon përfshirjen e tij në këtë axhendë. Kina nuk është e kënaqur për angazhimin e Europës me aleatët e saj, në rajonin Indo-Paqësor, që mund të kërkojë një rritje të vëmendjes së saj mbi çështjet e sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, zyrtarë kinez po mendojnë të ndërmarrin një tur të ngjashëm në rajonin e Mesdheut. Por mbetet në pikëpyetje, nëse vendet e Mesdheut që janë aleate të NATO, do të ndjekin ndonjë aksion kontradiktor me objektivat e rëndësishme të kësaj aleance.

Në të ardhmen, marrëdhëniet midis Europës dhe Kinës do të sjellin realitete të reja – brenda për brenda Kinës apo të Kinës me botën. Këto marrëdhënie do të reflektojnë bashkekzistencën e bashkëpunimit, konkurrencës dhe rivalitetit sistemik që BE-ja e ka parashikuar qysh në 2019-tën. Nuk pritet të ketë një shkëputje të marrëdhënieve me Kinën, por vëmendje dhe përpjekje më të mëdha për të ulur cënueshmërinë e mundshme prej saj, si dhe bashkëpunim dhe koordinim më të madh me aleatët dhe partnerët për të kundërshtuar ambiciet e Kinës. Ruajtja e këtij bashkëpunimi dhe kujdesi ndaj çdo tentative të Kinës që ia cenon interesat do të jetë një sfidë e madhe në të ardhshmen për Bashkimin Europian.

Reforma në sistemin elektoral të Hong-Kong, e iniciuar dhe nxitur nga Kina, hasi në kundërshti të forta nga SHBA-të dhe BE-ja. Sipas tyre, kjo reformë cenon të drejtën e qytetarëve që të zgjedhin të lirë, parim ky themelor në sistemet perëndimore të demokracive liberale. Si rrjedhojë, marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës u tensionuan shumë. Vota kundër e Hungarisë, bëri që nisma për masa ndëshkuese nga BE-ja ndaj Kinës të dështonte. Presidenti Xi i cilësoi këto zhvillime në Europë si të iniciuara nga SHBA-të dhe I tregoi BE-së që vetëm bashkëpunimi me Kinën mund t’ia garantojë asaj “autonominë strategjike” në vendimmarrje. Ashtu si BE-ja edhe Kina lufton për të njëjtën gjë dhe kush më mirë sesa njohja e problematikave të njëri-tjetrit mund të ndihmojë në realizimin e qëllimeve. Megjithatë, midis Kinës dhe BE-së ka akoma vend për diskutime. Takimi i bashkëpunimit për klimën ofroi një mundësi tjetër për të relaksuar marrëdhëniet midis tyre dhe për të mbajtur kanalet e komunikimit të hapura, megjithëse në këtë format merrnin pjesë vetëm Gjermania dhe Franca. Pekini po përpiqet të përdorë këto situata për të mbështetur synimet e tij politike. Ata e cilësuan video konferencën e fundit si një “samit për klimën” duke alternuar Samitin virtual të Liderëve për Klimën të organizuar nga administrata Biden më 22-23 Prill.

Siç e përmenda dhe më lartë, qëndrimet publike ndaj Kinës kanë qenë të ndryshme përgjatë vendeve anëtare të BE-së. Aktiviteti i shtuar diplomatik përtej protokollit apo debate mbi pranimin e rrjetit 5G kanë rritur ndërgjegjësimin rreth rreziqeve të mundshme të sigurisë, që lidhen me prezencën e Kinës në Europë. Për shembull, tentativat intimiduese të ambasadës kineze ndaj punës së një gazetari të pavarur suedez ka sjell reagimin e fortë të publikut dhe qeverisë në Suedi. Gjithashtu, në Holland, ka pasur dyshime që Huawei, operatori që ofron shërbime telefonike së bashku me operatorin publik KPN, ka ndërhyrë në të dhënat personale të qytetarëve holandez, duke u kthyer në një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit. Kjo situatë ka shqetësuar gjithashtu vendet përreth si Gjermania.

Lexo edhe :  14 vjetori i 21 janarit dhe 5 vjetori i SPAK

Pjesë tjetër e axhendës së Brukselit ishte diversifikimi i zinxhirit të ofertës përtej Kinës dhe krijimi i hapësirave të reja dhe të lira kibernetike. Zbatimi i kësaj axhende do t’a bënte BE-në a priori aktorë të rëndësishme dhe përcaktues për zhvillimet globale. Në dhjetor të vitit të kaluar, pak pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe pak para inaugurimit të presidentit të ri, Kina dhe BE-ja nënshkruan marrëveshjen më të madhe të investimeve të bërë ndonjëherë me përfitim të ndërsjellët, “Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Investimeve (MGJI)”. Presidenti Biden e cilësoi si një hap të nxituar të BE-së, ndërkohë që presidenti Xi bëri thirrje për ratifikim të marrëveshjes në Parlamentin Europian sa më shpejtë të jetë e mundur. Rëndësia dhe kompleksiteti i kësaj marrëveshje ka bërë që të mos jetë akoma pjesë e axhendës së Parlamentit Europian për ratifikim.

Në Europë, MGJI-ja është kritikuar gjerësisht për mangësitë e saj gjeopolitike, pasi që Pekini i ka kërkuar prova Europës që ajo do të jetë partnere e Kinës dhe nuk do të ndërtojë një koalicion transatlantik kundër Kinës. Europa dëshiron që të përfitojë në plotë kuptimin e MGJI-së, duke rritur ndikimin e kompanive të saj në tregun kinez dhe kundërshtuar praktikat merkantiliste të Kinës në tregun europian, siç janë natyra e investimeve dhe ndërhyrjet që i japin një avantazh kompanive shtetërore kineze. Në fund të fundit, MGJI-ja është një mjet në duart e BE-së, për të ndërtuar një strategji të gjerë gjeopolitike për Kinën, e cila të reflektojë kompleksitetin e një marrëdhënie që kombinon aspektet e bashkëpunimit, konkurrencës, kontestimit, dhe rivalitetit sistemik. Dhe nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet në Parlamentin Europian, kjo do të thotë që BE-ja është e aftë të ndërmarrë dhe zbatojë një qëndrim të unifikuar për Kinën, duke marrë parasysh të gjithë vështirësitë e kësaj vendimmarrje. Por, nga ana tjetër, kjo mund të përballet me kritikat e një vendimmarrje unilaterale dhe të pa konsultuar me aleatin më të ngushtë të BE-së, SHBA-të. Disa analistë e cilësojnë këtë si një kundërpërgjigje cinike e Europës ndaj atyre marrëveshjeve bilaterale tregtare që ish-presidenti Trump bëri me Kinën, duke e anashkaluar Europën dhe interesat e saj. Sidoqoftë fati i MGJI-së, kjo duket të jetë fundi i një qasje të shkuar të Europës ndaj Kinës dhe jo fillimi i një marrëdhënie të re të saj me Kinën. Kjo vërtetohet nga nxitimi i Pekinit për t’i bërë BE-së konçesione dhe ofruar marrëveshje me përfitime modeste tregtare, por që bien ndesh me ambiciet e saj të gjera gjeopolitike.

Për t’u rikthyer tek praktikat e padrejta që kompanitë publike kineze, me mbështetjen e shtetit, aplikojnë në Europë, qeveria e re italiane e KM Mario Draghi ka menduar zbatimin e ligjit “Golden Poëer Laë”, që i jep fuqi qeverisë të ndërhyjë në treg në rastet që vlerësohet cenimi i sigurisë kombëtare prej aktiviteteve të një kompanie të huaj. Me zbatimin e këtij ligji, qeveria italiane premton të mbajë transformimin dixhital të Italisë në rrjedhën europiane, pavarësisht veprimtarisë ndikuese kineze. Një rast tjetër është modernizimi i TVSH-së nga BE-ja, i cili ndikon drejtpërdrejtë kompani kineze të shërbimeve e-commerce, si Alibaba. Mungesa e kësaj takse për të mirat nën 25$, ka bërë të mundur që kompani të mëdha shërbimesh kineze, të përfitojnë në një pjesë të madhe të tregut europian pa shlyer asnjë detyrim. E fundit, dhe më e rëndësishmja në shumë aspekte përtej atyre të përfitimit direkt ekonomik, është refuzimi nga BE-ja për mbështetjen e Malit të Zi në shlyerjen e borxhit ndaj Kinës. Qysh në fillim, kjo marrëveshje u cilësua nga BE-ja, në kundërshti me të gjithë logjikën ekonomike dhe standardet e transparencës dhe të mbrojtjes së mjedisit. Prandaj, mbështetja në këtë rast, do të binte ndesh me të gjitha parimet dhe praktikat mbi të cilat BE-ja është ngritur. Nga ana tjetër, ky refuzim shihet prej shumë kritikësh, si një mundësi e humbur gjeopolitike e BE-së për të kundërshtuar influencën në rritje të Kinës në Ballkan.

Që të arrihet në qëndrime të unifikuara të Bashkimit Europian, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me interesat e tij ekonomike dhe ambiciet gjeopolitike, kërkohet një energji e konsiderueshme politike dhe lidership i zgjuar, gjë që për momentin në BE shihet si shumë e largët. Nëse BE-ja do të arrijë të përballojë sfidat që ofron një marrëdhënie e re me Kinën; apo nëse zëvendësuesi i kancelares Merkel në shtator, do të jetë në gjendje të ndjekë të njëjtat hapa të saj për bashkimin e Europës, janë pyetje që do të na shoqërojnë përgjatë një të ardhme të afërt, e cila me siguri do të sjell jo pak surpriza. Por me siguri, BE-ja duhet të jetë “gur” e jo thjesht “tabelë” e shahut politik botëror.

Të fundit

‘Gëzuar përvjetorin!’ Presidenti Trump dhe Melania, 20 vite martesë

Donald Trump dhe Melania Knauss festojnë 20 vjetorin e martesës së tyre, e cila u kurorëzua më 22 janar...

“Basha me parti të re”, gazetari zbulon lajmin: Është regjistruar në Gjykatë

Lulzim Basha do të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit nën logon e partisë së re “Demokratët euroatlantikë””. Lajmin e ka dhënë në...

“Vendosmëri absolute për ndryshim”, Këlliçi takohet me diasporën shqiptare në Nju Jork

Drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi, ka publikuar në Facebook pamje nga takimet e tij me shqiptarët në Bronx, Nju Jork, SHBA. Këlliçi...

Diaspora/ Analisti: Të rinjtë sjellin ndryshim, ja cilat parti favorizohen prej tyre

Analisti Mentor Nazarko ka theksuar se personalizimi i votës në zgjedhjet e ardhshme mund të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive dhe të sjellë...

Livia flet për historinë e ‘tradhtisë’ së Mevlanit: Jam penduar…

Konkurrentja e Big Brother VIP4, Livia, ka folur për ish-partnerin e saj, Mevlanin, historia e të cilëve nisi që nga programi “Për’puthen”. Në një bisedë...

Lajme të tjera

Web TV