Para gjykatës dolën, e kishin ende fytyrën në vend pesë “hamshorët e shpifur” dhe të pafytyrë të fshatit. Abuzuan për disa muaj me një të mitur, vetëm 15 vjeçe. E kaluan dorë më dorë në përdhunim, nën trysni për t’i marrë jo vetëm nderin, por dinjitetin, fëmijërinë, shpirtin që do i vritet ngadalë, për aq sa të ketë jetë.
Ngjarja ndodhi në një fshat fort periferik të Mirditës dhe përdhunuesit janë të moshave nga 17-44 vjeç. Pak a shumë, thuajse të gjithë “djemtë aktiv” të fshatit të vogël. Nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, as një harbutëri momenti, por duket një vijim i frikshëm dhunimesh, ku treshja familje-shkollë-drejtësi nuk po funksionon. Pasojat i vuajnë të miturit që gjenden para një dhune të frikshme seksuale që në fillim nis me joshje, për të vijuar me shantazhin dhe në fund në përdhunim.
Në atë shkollë ku mësonte 15-vjeçarja kishte edhe psikolog, por ajo kurrë nuk iu hap, duke mbajtur në fizikun e njomë atë tmerr të epsheve mashkullore. As edhe një mësuese të butë nuk gjeti t’i tregonte hallin e madh. Por fatkeqësisht nuk pati mbështetjen e prindërve, që kurrë nuk e kuptuan çpo ndodhte me të bijën, ndoshta në hallin e madh sesi ta rrisnin, duke menduar vetëm bukën dhe veshjet, por jo edukatën dhe komunikimin e duhur me fëmijën.
Vajza e dhunuar kishte edhe telefon me internet e prekje, nga ato të tipeve të fundit, telefon që ia dhuruan dhunuesit që ta merrnin nën shantazh për marrëdhënie sa herë të donin. Në kohën e “lirë” qëmtonte në internet. Lexonte edhe lajmë sesi denocohen dhunuesit, por ajo nuk guxoi. Policinë e shihte larg, drejtësinë akoma më larg, mësuesit dhe prindërit ishin të afërt me të, por krejt larg në komunikim.
Dje ra një çekan gjykate që me të drejtë vendosi “arrest me burg pa afat” për të pesë dhunuesit e së miturës. Sot mund të nisë edhe ndonjë protest nga shoqata për mbrojtjen e fëmijëve apo grave të dhunuara. Me kaq do e mbyllin edhe protestën, për të rendur më pas nëpër organizata ndërkombëtare që ta paraqesin edhe manifestimin si “projekt që kërkon para”.
Do kthehemi sërish në habitatin tonë të përditshëm, ndërkohë që diku dhe dike po e dhunojnë…