Pas disa orësh ndjekje nga deti dhe toka, ja kush janë trafikantët e drogës që u arrestuan në Karaburun

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi po tentonin që të trafikonin 577 kilogramë lëndë narkotike kanabis drejt shtetit fqinj, Itali. Personat në fjalë u ndaluan në Karaburun dhe janë: Mandi Begaj, 43 vjeç Engjellush Mukaj, 34 vjeç, Herman Mucaj, 27 vjeç.

Policia e Vlorës ka njoftuar se ata u ndoqën për disa orë nga deti dhe nga toka, por nuk ia dolën t’i shpëtonin prangave të policisë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Operacioni i koduar “Karaburuni” u finalizua nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD.