Një opozitë pa krye

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Imer Mushkolaj

 

Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit duket të ketë qenë aq goditës për partitë që ishin në pushtet, sa që ende nuk e kanë marrë veten sa e si duhet në të bërit opozitë. Të gjendura përnjëherë në pozitë aspak të favorshme dhe me pak fuqi politike, partitë opozitare ende nuk po ia dalin të artikulohen si duhet, përballë një “përbindëshi” si Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar më shumë se 50 për qind të votave. Kur dëgjon deputetët opozitarë në Kuvend, teksa në formë dhe diskurs të ngjashëm përpiqen të sulmojnë pushtetin e ri, secili e kupton se kjo nuk është mënyra e duhur. Vitet e gjata në pushtet kanë bërë që opozita e tashme të mos e ketë kredibilitetin e duhur për të kritikuar, aq më pak në formën e njëjtë si Vetëvendosja dikur. Në vend që të ofrojë alternativë për punët që pushteti nuk i ka bërë mirë gjatë këtij dymuajshi, zyrtarë të partive opozitare po luajnë në kartën e “tradhtarit” dhe “patriotit”, një diskurs irritues dhe aspak produktiv. Në vend që të kritikojnë veprimet, vendimet e fenomenet, partitë opozitare kanë zgjedhur përpjekjet për degradim të qeverisë e të kryeministrit. Do të ishte gjithçka në rregull me këtë diskurs po që se të njëjtat parti të mos ishin në pushtet vite me radhë, mandat pas mandati. Do të ishte gjithçka në rregull po që se të njëjtat parti të mos kishin ndërmarrë veprime që tash i kritikojnë, të mos kishin marrë vendime të dëmshme që tash po shfuqizohen, të mos ishin sjellë me arrogancë e prepotencë. Është e dhimbshme të dëgjosh kryetarin e një partie të vogël opozitare në Kuvend teksa i thotë kryeministrit të jetë rekrutuar nga shërbimet serbe. Është komike të dëgjosh kryetarin e një tjetër partie, teksa përpiqet ta bëjë përgjegjëse qeverinë e tashme për vendime që i ka marrë partia e tij. Ose zyrtarë të partisë së tretë që përpiqen të “lajnë duart” nga bëmat ndër vite, thua se nuk kanë pasur vetë përgjegjësi ose kanë jetuar në një tjetër planet.

 

* * *

Dështimet e veta gati dydekadëshe në shumë fusha – që nga procesi i dialogut, liberalizimi i vizave, diplomacia, menaxhimi i ndërmarrjeve publike, e deri tek arsimi dhe shëndetësia – opozita e tashme po përpiqet t’ia mvesh pushtetit. Gjithë çfarë është bërë e nuk është bërë në Kosovë, mirë e keq, mbarë dhe mbrapsht të paktën pesëmbëdhjetë vitet e fundit është trashëgimi e qeverisjes së partive që tash janë në opozitë. Cila më pak e cila më shumë, këto parti kanë kontribuar në qeverisjen e keqe, në korrupsion e nepotizëm, në punësime pa kriter e shkatërrim të shërbimit diplomatik. Kush më pak e kush më shumë, partitë kanë dhënë kontribut edhe në shkatërrimin e sistemit të shëndetësisë e të arsimit, duke politizuar gjithçka, duke iu dhënë mundësi e avancuar njerëz jokompetentë e dembelë. Andaj, kritika e këtyre pative karshi pushtetit të ri, për problemet që vetë i kanë shkaktuar, është e padrejtë, është hipokrite. Askush nuk thotë se qeveria e tashme nuk duhet kritikuar. Gjatë këtyre dy muaj qeverisjeje ka shumë për të kritikuar, paçka se është e pamundur të përmirësohen dëmet ndër vite brenda një periudhe kaq të shkurtër. Por, qasja opzoitare është gabim. Nuk mund ta mbash përgjegjëse qeverinë tash, për bëmat ndër vite. Nuk mund ta kritikosh qeverinë tash, për veprime e vendime që vetë ke ndërmarrë dikur. Nuk mund të fitohen poenë politikë duke sjellë në publik diskursin se kush është tradhtar e kush patriot, sepse gjithkush e kupton se kjo është një përpjekje për të mbuluar keqqeverisjen e deritashme. Po që se partitë opozitare duan të bëjnë opozitë si duhet, atëherë duhet të fokusohen në kritikë përmbajtësore dhe ofrim alternativash, e jo në fletërrufe e akuza të ulëta, të cilat vetëm sa irritojnë. Vendimet e fundit të ministres së Jashtme për të shkarkuar diplomatë politikë u pritën me akuza të ashpra nga opozita. Por, pikërisht këto parti që tash janë në opozitë për vite me radhë shërbimin diplomatik e patën kthyer në “fabrikë” për punësim militantësh partiakë dhe të afërm politikanësh. Pra, kundërshtimet nuk ishin aspak parimore, por reagime që mbronin individë të caktuar, shumë nga të cilët veç me diplomaci lidhje nuk kanë. Partitë opozitare në Kuvend, por edhe ato jashtë institucionit më shumë po bëjnë opozitë mllefi, opozitë pa krye, sesa opozitë përmbajtësore. Aspak kreativë dhe të zhytur në vorbullën e sulmeve – në të shumtën e rasteve të paargumentuara, opozitarët e sotëm po e humbin betejën karshi pushtetit. Ndryshimi i kursit opozitar është i domosdoshëm.

Të fundit

Lumi i Vjosës vizitohet nga turistë të huaj e vendas të pasionuar pas aventurës

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel pamje nga Lumi i Vjosës, i cilësuar si “lumi i fundit...

Mbyllet sezoni në Serie A/ Juve në Champions, fiton Roma , Lazio mbetet jashtë europës

U mbyll këtë të dielë Serie A. Juventus ia ka dalë që të kualifikohet në Champions League, pas fitores së vuajtur 2-3 ndaj Venezias....

Krimet në Gaza, 9 nga 10 fëmijët e doktoreshës palestineze vriten në sulmin ajror

Dr. Alaa al-Najjar i la dhjetë fëmijët e saj në shtëpi të premten kur shkoi në punë, në dhomën e urgjencës në Kompleksin Mjekësor...

Shqipëria e mbyll me zero pikë Europianin U-17, kuqezinjtë mposhten thellë nga Franca

Shqipëria U17 pëson disfatë 4-0 ndaj Francës, në ndeshjen e fundit të grupit të Europianit që po mbahet në vendin tonë. Francezët e mbyllën...

Ku ndryshon Berisha nga Rama? Na e tregon Belind Këlliçi

Belind Këlliçi komentoi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, edhe akuzat e disa prej kandidatëve të Partisë Demokratike, nga listat...

Lajme të tjera

Web TV