Kim shkruan në postimin e saj se hetusit e rinj të BKH-së janë duke përfunduar trajnimin ndërsa shton se puna e tyre është e rëndësishme dhe e vështirë, por ata do të kenë sukses.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar përmes një statusi në llogarinë e saj në “twitter”, pas vizitës së kryer ditën e djeshme në SPAK. Në statusin e saj ajo informon se është takuar me hetuesit e rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kim shprehet se hetusit e rinj të BKH-së janë duke përfunduar trajnimin ndërsa shton se puna e tyre është e rëndësishme dhe e vështirë, por ata do të kenë sukses. “Sot (dje) u takova me hetuesit e BKH-së, të cilët po përfundojnë trajnimin. Puna e tyre është e rëndësishme dhe e vështirë, por ata do t’ia dalin. Populli shqiptar ka shpresë tek ta; familjet e tyre janë krenarë për ta; Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin fort në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan ambasadorja amerikane. Diplomatja amerikane teksa ishte duke u formësuar BKH, ju doli në mbështetje të punës së tyre duke kërkuar sa më shumë rezultate nga bota e krimit. Kim thotë se Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë dhe e përsorur, por ecën përpara edhe nëse njerëzit e këqij nuk e duan atë. Ajo vlerëson edhe institucionet e tjera të reja të drejtësisë, për të cilët thotë se po funksionojnë dhe vijojnë punën. “SPAK po procedon më shumë, duke kapur pasuri dhe duke vendosur kriminelët pas hekurave; Gjykata Kushtetuese po funksionon. Gjykata e Lartë është duke shqyrtuar raste. Vettingu vazhdon. Inspektorët e BKH po trajnohen. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara – edhe nëse njerëzit e këqij nuk e duan atë”, shkruan Kim.
Takimet
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim u takua disa ditë më parë me shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar në SPAK, Altin Dumani. Kryediplomatja amerikane ka shprehur mbështetjen e saj për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) sa i takon vendimeve të fundit. “U takova me Altin Dumanin, shefin e Seksionit të Krimit të Organizuar të SPAK, për të shprehur vlerësimin për ndjekjet e shumta që kanë rezultuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë”, shkruan Yuri Kim për takimin qe ndodhi para një jave.
Ultimatumi i SHBA
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim gjatë kohës që ngriheshin institucionet e drejtësisë ka dhënë mesazhe të forta dhe disa ultimatume të prera për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi. Në një aktivitet për këtë reformë, pak ditë më parë, ku të pranishëm ishin edhe krerët e KLGJ dhe KLP, kryediplomatja amerikane tha se ata kanë një rol thelbësor në çuarjen përpara të reformës, duke shtuar se nëse ata nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm. Mes të tjerash, ambasadorja Kim iu drejtua me një mesazh të prerë edhe politikanëve dhe gjithë sistemit gjyqësor, teksa u shpreh se “Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara”.
Sllovenia kryeson presidencën, i mbetet “në dorë” negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Dje Sllovenia ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian që në gjysmën e parë të vitit e ka pasur Portugalia. Mes prioriteteve, Sllovenia ka veçuar edhe avancimin e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane. Për këtë qëllim, Sllovenia, ka caktuar edhe zhvillimin një samitit të veçantë të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Në Bruksel diplomatët presin që Sllovenia të bëj përpjekje serioze në këtë drejtim, por tërheqin vërejtjen se nuk varet gjithçka nga puna e kryesuesit të radhës, pasi për marrjen e vendimeve duhet pajtimi edhe i vendeve tjera të BE-së. Si sukses i presidencës sllovene në raport me Ballkanin Perëndimor do të konsiderohej sikur deri në fund të vitit të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe që Kosovës t’i ofrohet liberalizimi i vizave. Në shikim të parë këto çështje nuk duken aq të vështira pasi Komisioni Evropian ka përsëritur se të trija këto shtete i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Por, në rastin e nisjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pengesat janë paraqitur pikërisht në Këshill. Bullgaria vazhdon të bllokoj miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe disa shtete tjera për këtë arsye nuk duan që Shqipëria të ndahet nga paketa dhe të nisen negociatat vetëm me Tiranën. Pasi në Bulgari së shpejti zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të pritet që pas këtyre zgjedhjeve të punohet në arritjen e konsensusit në Këshillin e BE-së dhe Sllovenia ka paralajmëruar se do të punoj në këtë drejtim. Sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën edhe këtu Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin që nga viti 2018 se janë përmbushur të gjitha kushtet. Këtë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian por çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së. Disa shtetet anëtare, e më së shumti përmendet Franca, nuk mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, prandaj edhe kjo çështje vazhdon të mbetet e bllokuar. Përpjekjet e Gjermanisë, vitin e kaluar, dhe të Portugalisë në pjesën e parë të këtij viti nuk kishin rezultuar me sukses as në rastin e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e as rreth liberalizimit të vizave me Kosovën. Nëse Sllovenia nuk do të arrin të siguroj vendimet për këto tema atëherë gjithçka do të bartet për vitin që vjen kur kryesimin e radhës do ta ketë Franca.