Ka vdekur në moshën 78 vjeçare artistja e njohur italiane Raffaella Carrà. “Raffaella na la. Iku në një botë më të mirë, ku humanizmi i saj, e qeshura dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm do të shkëlqejnë përgjithmonë’. Me këto fjalë Sergio Japino jep njoftimin e trishtuar që bashkohet me dhimbjen e nipave të adhuruar Federica dhe Matteo, të Barbara, Paola dhe Claudia Boncompagni, të miqve të përjetshëm dhe kolegëve më të dashur.
Carrà ndërroi jetë në orën 16:20 ditën e sotme pas një sëmundjeje që kishte sulmuar trupin e saj për vite me radhë. Megjithatë energjia dhe forca e saj e pandalshme e transformoi atë në një yll botëror. Me një vullnet të hekurt që nuk e braktisi kurrë deri në fund, Raffaella u sigurua që asgjë nga vuajtjet e saj të thella të mos dilte jashtë.
Këngëtarja ishte një grua e jashtëzakonshme por me një thjeshtësi për tu admiruar. Ajo nuk kishte fëmijë, por fëmijë – gjithmonë thoshte ajo – kishte mijëra prej tyre, si 150 mijë të cilëve iu dha mundësia për adoptim falë emisionit “Amore”, programi që mbi të gjitha mbeti në zemrat e spektatorëve.
Varrimi do të përcaktohet së shpejti. Në momentet e saj të fundit, Raffaella kërkoi një arkivol të thjeshtë prej druri. Në orën më të trishtuar, qëndroi gjithnjë unike dhe e paimitueshme, si e qeshura e saj e madhe.
https://streamable.com/fvqty7
Biografia e “showgirl-it” të parë
Raffaella Maria Roberta Pelloni lindi në 18 qershor të 1943 në Bologna dhe u rrit në Romagna. Në moshën 8 vjeçare u regjistrua në Akademinë Kombëtare të Vallëzimit në Romë. Në moshën 14 vjeçare mësuesja i tha se i kishte kaviljet e vogla dhe për këtë arsye iu fut kinemasë dhe u regjistrua në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë.
Në vitin 1960 ajo fitoi një rol të vogël në filmin “Nata e gjatë e ’43” nga Florestano Vancini. Tre vjet më vonë xhiron “I Compagni” dhe më pas “Celestina” me Carlo Lizzani.
Më pas përvoja amerikane. Me Frank Sinatrën, ajo luajti në filmin “Koloneli Von Ryan”.
“Unë u zgjodha nga shumë aktore të famshme që dëshironin të luanin së bashku me Frank. Ai ishte një zotëri i shkëlqyer, por unë nuk i dija këngët e tij. Unë shkova në juke-box dhe luajta Beatles. Ai ishte e hutuar”, kujtonte Carra.
Ajo u zgjodh të bashkohej me Nino Ferrer në Rai në programin “Io, Agata e tu”. E panjohur për shumicën, ajo ka guximin të pyesë: ” Më jep tre minuta vetëm për mua. Edhe At Rotondi ka tre minuta vetëm për të. Pse jo unë? ”. Jemi në vitin 1969 dhe prej aty nis ngjitja e saj e pandalshme.
Së fundmi, ishte përfolur për nje rikthim të mundshëm në Rai, por nuk u diskutua më. Sot arsyeja përse nuk u përfol më kthimi i saj u zbulua. Raffaella po luftonte me një sëmundje të rëndë e cila e largoi nga ekrani dhe tashmë e largoi përgjithmonë nga njerëzit e saj.