Nga Roland Qafoku
Sigurisht që ata që kanë lindur pas vitit 1990 nuk mund ta kuptojnë dot kurrë përse për ne fëmijët dhe adoleshentët e viteve ‘80-të, Raffaella Carra ishte një nga revolucionaret e jetës sonë. Kur shikonim atë kuptonim jo vetëm artin italian e evropian të kohës, por bënim edhe diferencën me Shqipërinë dhe kuptonim sa prapa ishim.
Në vitin 1990 Raffaella po shkonte afër të 50-tave dhe ne thoshim se si nuk plakej. Ishte po ajo që kishim parë 10 vjet më parë. Me atë trup, me ato flokë dhe me atë freski, ajo kërcente, këndonte dhe fliste pa pushim. Çfarë hante, çfarë pinte, çfarë jete bënte, e të tjera pyetje naive si këto ishin pjesë normale e bisedave tona që sot sigurisht nuk kuptohen dhe kjo është e natyrshme. Pa, mbretëreshë dhe revolucionare e televizionit italian, ikonë e ekranit italian e botëror, biondja atomike, e të tjera si këto përcaktime në median e Apenineve, për ne ishin si të dëgjonim histori me UFO.