Arrestimi i dy mjekëve të Traumës pasi morën para rryshfet për operacionin e Elmidin Dylit është shoqëruar me protesta nga kolegët e tij. Gjatë një emisioni televiziv, kirurgu i përgjithshëm Dr.Myftar Torba pranoi publikisht se mjekët në sistemin shëndetësor publik në vend, marrin ryshfet. Ai tha se “shërbimi shëndetësor, është një shërbim që duhet paguar, si të gjithë shërbimet e tjera”.
Nuk jemi më në kohën e diktaturës, që shkon në spital dhe të tjerat i di shteti. Shteti duhet të ndërhyjë dhe të sigurojë që të kryhen pagesat në spital, për çdo shërbim të marrë. Në spitalin tonë, shërbimi i laboratorëve është privat, paguhet me çmimin e tregut. Shërbimi i instrumenteve është privat, shërbimi i pastrimit është privat, shërbimi i ushqimit është privat, paguhen me çmimin e tregut.
Më tej mjeku kirurg tha se askush nuk do të qëndrontre në punë, nëse s’do merrte ryshfet pasi pagat janë të ulëta.
Rroga neto e një kirurgu me 30 vite eksperiencë është 80.000 lekë. Cili kuzhinier në restorantet e Tiranës e ka rrogën kaq? Cili prokuror, gjyqtar apo hidraulik e ka rrogën kaq? Me këto rroga, unë të siguroj që po të hiqeshin bakshishet, nesër në mëngjes nuk do të kishe asnjë mjek në spitale.
Në fund kirurgu propozoi si zgjidhje për këtë problem ligjërimin e bakshishit.