O sa mirë me ken shqiptar… dhe jo anglez

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Sa të mirë jemi ne shqiptarët. Jemi të mirë sa nuk thuhet. Pavarësisht se të mirën rrallë ia dimë vetes. Sa për të tjerët, ajo dihet, ata s’na e dinë e s’na e dinë.

E kemi sharë veten sa jemi lodhur. Edhe të tjerët na kanë sharë e s’kanë lënë gjë pa na thënë. Tregohet si anekdotë se në ato fillime të demokracisë kur u lëshuam nga hekurat ku na mbanin mbyllur, na dinin njerëz me bisht.

Epo… bota e qytetëruar i ka këto paranoja.

Pastaj filluan akuzat e tjera: Një herë se vramë ca serbë andej nga Friuli italian, herën tjetër se i premë mjekrën një prifti grek ortodoks, e pastaj që po kapnim me shpejtësi tregun e drogës e prostitucionit në Angli, Zvicer e Gjermani. Të thuash ti që këto vese të ndyra njerëzore i kishim shpikur ne e po ia shpërndanim perëndimit me qëllim që ta “minonim” nga brenda.

Iku dhe kjo valë… Ujrrat rrodhën e gjërat sikur u qetësuan ca.

Këto damka i kemi mbajtur edhe kur nëpër shkolla e Italisë apo të Greqisë, fëmijët e emigrantëve shqiptarë dilnin gjithmonë të parët, aq sa u duhet të ngrinin dhe flamurin e shtetit.

Prandaj them, se tek e fundit nuk jemi aq të këqij. Gjithçka ka një njësi matëse, me kë do të përballesh, për të kuptuar se cili je?

Mirëpo këtë herë na ndriti fati, pasi ka dhe të tjerë që kanë dalë ku e ku më keq se shqiptarët. Fjala vjen, a matet horrllëku i një shqiptari, të dehur me raki Skrapari, me atë të një anglezi të dehur me birrë apo uiski Skocez?

E kam fjalën për finalen Euro 2020 që në 2021 u luajt në Wembli.

Ajo që ndodhi para se të niste ndeshja finale Itali-Angli, ishte sa skandaloze aq edhe qesharake. Londra, një kryeqytet botëror, që ndotur e gjitha e qe bërë si tualet publik. Se mos thoni që e bënë shqiptarët, ore… Rrjeti u mbush me pamje të çuditshme. Njerëz që pinin, rrihnin, hidhnin gjithfarë mbeturinash në tokë, aq sa rrugët e kryeqendrës britanike dukeshin si ato të lagjeve periferike në qytetet e Bangladeshit.

Kështu është kur shan të tjerët e nuk sheh pjellën tënde.

Rrugët e Londrës ishin mbushur plot me mbetje ushqimesh, qese e kanoçe birre. Pisllëk ngado.

Anglezë të dehur e të qelbur, dukeshin sikur vinin nga kryqëzatat. Vetëm shpatat u mungonin. Dhe shyqyr me kaq thuaj… Qëllimi i tyre ishte një: të identifikonin italianët e t’u binin me shqelma bythëve. Të shkretët italianë. Në ’43-shin kur Benito Musolini kapitulloi aq sa e varën me kokë poshtë, gjermanët i ekzekutonin pa paralajmërim ushtarakët e Fashos, të cilët i cilësonin si tradhtarë. Për së fundi me italianët e kishin kapur anglezët.

Në një farë mënyre, anglezët për disa orë u kthyen si në mesjetën e hershme, ku pasi garnizoni romak lëshoi territorin, vendasit shkuan e shkatërruan banjat me ujë të ngrohtë që ushtarakët i kishin ngritur për t’u larë sipas rregullores së tyre, një herë në javë, çdo të shtunë. Mirëpo fiset angle, saksone e vikinge që u sulën të merrnin në zotërim tokën britanike, nuk e njihnin ujin.

Epo, kohë të vjetra, ç;ti kujtojmë.

Ja kështu ndodhi edhe në kohët super moderne, megjithëse Tamizi kalon mespërmes Londrës, aq sa të lajë të gjitha mëkatet e njerëzve që jetojnë aty rrotull.

Lexo edhe :  Asgjë nuk lind mbi gërmadha…

Me sa duket ka të bëjë me thirrjen e të parëve.

Mirëpo lavdi Zotit që në shqiptarët nuk u ndodhëm pranë në këtë rast. Pra nuk ishim ne iniciatorët e rrëmujës, siç ndodh rëndom të na e veshin, kur nuk ka dëshmitarë e kamera sigurie. Ata ia bënë vetes. Domethënë trimat anglezë me vandalizma e skena dhune, kërkuan një fitore, për të cilat Zoti i ndëshkoi: Kupën ua dha fakirëve italianë që ta çonin në Romë. Anglezët mbetën me gisht në… gojë.

Çështë e vërteta, edhe unë desha që trofeu të mbeste në Londër. Se edhe në ‘66-tën me brekë nëpër këmbë e mori Anglia botërorin, finalja e të cilit gjithashtu u luajt në Wembli. Po që s’kanë pikë shansi këta anglezët. Që nga koha kur Maradona u bëri një gol me dorë e s’pati sistem VAR që ta kapte.

Që në adoleshencën e hershme kam pasur prirje ndaj kulturës anglo-saksone, fiks si avokat Ngjela që e thotë në televizor sa herë i bie rasti. Për pasojë, isha tifoz edhe me kombëtaren angleze. Se kështu është, kur nuk të përfaqëson dot kombëtarja jote, vete e gjen një kombëtare tjetër t’i bësh fresk. Po hajd, mo, si të gjithë shqiptarët, që shumica ishin me Italinë, dhe ata që mbeteshin ndaheshim mes Gjermanisë, Holandës, ca e ca ishin me Brazilin e ca të tjerë me Argjentinën. Ne të Anglisë numëroheshim me kokrra. Por kjo nuk di pse na bënte më superior. Tek e fundit ishim tifozë me një skuadër të jashtëzakonshme… që nuk fitonte asnjëherë. Ishte koha kur nga bankina drejtonte Bobi Robson, i ftohtë e ironik, por gjithsesi krenar, si një britanik i vërtetë. Edhe aso kohe, tifozeria angleze e tillë ishte, e dhunshme. Edhe atëherë meazallah se fitonin.

Besoj ka ende shumë nga ata që e kujtontë, 29 majin e vitit 1985, kur luhej finalja e Kupës së Kampioneve në Belgjikë. Përballeshin Juventusi me Liverpulin në stadiumin “Hejsel” të Brukselit. Por, ndryshe nga ç’pritej, ajo ndeshje nuk ishte thjesht një lojë futbolli. Tifozëria ekstreme britanike shkaktoi dhjetëra viktima. Me tifozët e Liverpulit u bashkuan edhe ata të Çelsit dhe kështu nisi sulmin ndaj tifozëve kundërshtarë. Nga pesha e trysnia e njerëzve bie tribuna duke zënë poshtë shumë prej tifozëve. Të vdekurit ishin 39, ndër të cilët 32 italianë. Mbi 600 të plagosur. Të gjitha kanalet televizive transmetuan pamje “live” nga “Hejsel” atë çfarë çfarë po ndodhte.

Eh italianët e shkretë, kanë bilanc lufte me anglezët.

Ndërsa ne shqiptarët jemi rehat nga ajo anë. Vetëm një herë na ndriti ylli e të futeshim deri tek finalet e një evropiane. Këtë herë e ndoqëm ndeshjen te klubet e lagjeve dhe përveç ndonjë basti kë humbur, asgjë tjetër nuk na bënte merak. Na kishin harruar krejt ndërsa në qendër të vëmendjes kësaj radhe ishin huliganët anglezë që rrihnin italianët, ashtu siç i kishin rrahur dhe më parë, me dru.

Kësaj radhe po, shqiptarët rrinin gjithë qejf para televizorit duke parë spektaklin e ofruar pa para. Ndaj me të drejtë u lejohej të brohorisnin: O sa mirë me ken shqiptar… ohe…

Të fundit

Opozita nesër protestë për dosjen 5D/ Bardhi thirrje qytetarëve: Bashkohuni

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e...

Thellohen përçarjet mes Metës dhe Kryemadhit/ “Më ka sulmuar”

Thellohen përçarjet mes Metës dhe Kryemadhit. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi është shprehur se Meta e ka sulmuar si politikane. Më tej ka sulmuar dhe...

‘Lajthitje politike’/ Açka ‘diagnostikon’ Metën: Iliri nuk ēshtë çështje fiqiri…

Përmes një postimi në Facebook, deputetja Flutura Açka shkruan se çështja e Ilir Metës dhe e sulmeve të tij ndaj kreu të Prokurorisë së...

Erjola rrëfen dhunën e tmerrshme nga partneri: E gjeta veten në dyert e spitalit

E teksa në shtëpinë e “BBVIP” po diskutohej tema e dhunës ndaj grave, moderatorja Erjola Doçi ka rrëfyer historinë e saj të trishtë. Me lot...

Rikja tregon se kush do të marrë çmimin e madh të BBV3

E ftuar në Wake Up”, ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Rike Roçi, foli më shumë për eksperiencën e saj brenda shtëpisë më të...

Lajme të tjera

Web TV