Nga Bujar Meholli
Postmodernizmi në letërsi nisi në Amerikë, në fund të viteve 40’ kur një grup i poetëve e përdorën termin për t’i ikur modernizmit që kryesisht përfaqësohej nga Tomas Elioti. Poetët si Xhon Berrimen, Randall Xherrëll, Çarls Olson – e vendosën këtë term dhe i dhanë vlerë; Randall Xherrill qe ndër të parët që foli për postmodernizmin kur e karakterizonte poezinë e Robert Louellit si “antimoderniste”. Kështu, ngadalë termi zuri vend të veçantë në retorikën e viteve 60’ – ku parashtresa “post” u bë njëfarë çlirimi nga idetë e vjetra. Po në këto vite, postmodernizmi u lidh shumë me fatin e antikulturës gjegjësisht me rrymën e anarkisë por që për çudi nuk u zbeh, madje u bë i pëlqyeshëm për kritikën letrare dhe arkitekturën. Filozofi dhe teoricieni frëng Zhan-Fransua Liotar, konsiderohet themeltari i teorisë së postmodernizmit me librin e tij Kushti Postmodern: Raport mbi situatën e dijes. Këtu, Liotari argumenton se janë kaluar nevojat për tregime të mëdha për shkak të avancimit të teknologjive dhe teknikave që nga Lufta e Dytë Botërore. Kushti postmodern provokon me skepticizëm teoritë e universalizmit. Vepra e Liotarit, karakterizohet nga një kundërshtim konstant i universaliteteve, metanarrativave dhe përgjithësimeve. Ai është kritik i ashpër i pretendimeve “universalizuese” të iluminizmit dhe shumë vepra të tij, i kushtohen pikërisht shpërbërjes së parimeve bazë nga gjenerohen këto pretendime.
Liotari mendon se nuk ka siguri idesh por vetëm mënyra më shumë a më pak efiçente të interpretimit të gjërave. Ai hedh poshtë nocionin e diskursit, duke propozuar vlera të ndërgjegjes së re postmoderne. Në thelb, në La Condition postmoderne dhe Le postmoderne explique aux enfants Liotari shpjegon, se ka dy lloje “rrëfimesh të mëdha” apo “metarrëfime” që i përgjigjen pyetjes: pse vlen dija?
Lloji i parë është mitik (tradicional) ndërsa i dyti projektues (modern). Në kulturat tradicionale, dija legjitimohet me prejardhjen e saj, në kohët kur u krijuan gjërat. Ndryshe nga mitet, metarrëfimet karakteristike për modernitetin legjitimojnë dijen në terma jo të së shkuarës, por të së ardhmes. Në një diskutim filozofi dhe sociologu gjerman Jurgen Habermas, identifikon nocionin e postmodernitetit me pozitën (neo) konservatore të atyre që besojnë se moderniteti dështoi, por sipas tij moderniteti nuk është projekt i dështuar, por i papërfunduar. Ajo që duhet hedhur poshtë, nuk është moderniteti, trashëgimia kritike e të cilit, e rivlerësuar nga Shkolla e Frankfurtit e Adornos, nga Horkhajmeri apo Benxhamini, është ende burim “nxitjeje për intelektualin”. Postmodernizmi identifikohet me diçka që më nuk është moderne, por kalon përtej kësaj – kështu edhe kuptimi i parafjalës “post” shihet si rezultat, rrjedhojë apo hedhje poshtë e modernizmit. Në njëfarë forme, postmodernizmi del si huti e kuptimeve që dalin nga qëndresa dhe errësimi i kuptimit të modernes, apo edhe si njohje e modernes e cila është tejkaluar nga një epokë e re. Disa nga karakteristikat kryesore të postmodernizmit si formacion stilistik, janë:
– Intermedialiteti, apo zhvendosja zhanrore me të cilat synohet thyerja e konditave të vjetra zhanrore, duke u përzirë drama dhe tregimi, letërsia dhe piktura, gazetaria, muzika etj,
– Metafiksioni, përzierja e tekstit letrar me komentin kritik,
– Qëndrimi mohues ndaj metanarracioneve, që krijon lëvizje të ndryshme si ajo e feminizmit e të tjera,
– Intertekstualiteti, që gërsheton tekstet e vjetra duke synuar t’i funksionalizojë ato si të reja,
– Fragmentarizmi, nga format kanonike të këtij formacioni stilistik, që paraqet edhe dukurinë e humbjes së pozitave stabile mes qendrës dhe periferisë. Shumë studiues kur flasin për postmodernen janë të mendimit se kjo rrymë, është e prirur ta shktatërrojë letërsinë e mirëfilltë, atë letërsi që është ngritur me shumë mund, të cilën autori postmodernist parapëlqen ta tall dhe t’i vesh asaj gjëra që kurrë s’i ka pasur. Studiues të tjerë e shohin postmodernizmin, si rrymë që përmban teknika dhe tema karakteristike. Ky formacion stilistik, nuk përmban në vete ndonjë vizion; autorët e këtij formacioni parashtrojnë pyetje. Paradoksi dhe llojllojshmëria janë kruciale për veprat postmoderne, të cilat mëtojnë ta vënë në dyshim realitetin, ta detronizojnë absoluten, e t’i ikin dominimit të arsyes. Romani, është një gjini shumë e lëvruar në postmodernizëm, mirëpo kemi të bëjmë me roman krejt ndryshe nga ai që kemi hasur përpara. Romani postmodern, dallon nga romani i madh evropian. Ai karakterizohet me “mbyllje, dhe fund të hapur”.
Autorët postomodern, romanet e tyre në fund i mbarojnë me mënyra parodizuese, të cilat synojnë t’ia lënë vetë në dorë lexuesit interpretimin sipas dëshirës së tij.
Trekëndëshi autor-tekst-lexues sikur nuk funksionon, sepse në postmodernizëm autori dhe teksti e humbin kuptimin që kanë, derisa lexuesi fiton status të ri. Ai është në bashkëveprim më të theksuar me autorin se sa në të kaluarën.
Postmodernizmi nuk i shmanget historisë, mirëpo ndryshon qasjen ndaj saj – ai krijon një model të ri, që karakterizohet shpeshherë me qëndrimin ironik ndaj saj, shkrimi i së cilës tashmë është akt fiksional. Autorët postmodern, nganjëherë dalin si të pazotë për të krijuar vepra artistike, sepse ata marrin forma të vjetra letrare dhe artistike, duke i sjellë ndryshe, duke iu veshur atyre ironi e sarkazëm, pastaj duke futur gjëra që teksti origjinal nuk i ka; pra, arti postmodern mbështetet në atë që është treguar më parë, në atë që ekziston qysh prej kohësh.
Por, historia megjithatë e humb kuptimin që ka pasur. Veprat postmoderne, karakterizohen me intertekste të historisë dhe të fiksionit.
Intertekstualiteti është karakteristikë e rëndësishme e postmodernizmit; ai paraqet dialogun tekst-tekst, ose tekst-kontekst, duke u shfaqur si ideogram i ri, që mundëson largimin nga forma e konsumuara, duke sjellë forma të reja. Ai, intertekstualiteti, është dukuri imanente letrare, pavarësisht se studimet e lidhin kryesisht me postmodernen. Me intertekstualitetin, është e lidhur edhe ideja për Vdekjen e autorit, që u bë e njohur nga dy teoricienët, Roland Bart dhe Mishel Fuko. Intertekstualiteti, gjegjësisht raporti që teksti i ri vendos me tekstet e vjetra, e vë në pikëpyetje autorësinë duke thyer kështu iluzionin referencial dhe idenë mbi veprën autonome, origjinale. Reminishenca, gjegjësisht kthimi në reminishencë nëpërmjet kujtesës, është një ndër format e shpeshta të dialogut bashkëkohor – ku, reminishenca shprehet përmes citatit, ose ndonjë motivi a mendimi të njohur të ndonjë personaliteti letrar. Edhe motoja, përdoret shpesh dhe paraqet raport të drejtpërdrejt me një vepër a autor të caktuar.
Një nga mënyrat më të drejtpërdrejta mes vendosjes së raportit hipertekst-hipotekst është citati, i cili pavarësisht se është i vjetër sa edhe letërsia, nocioni citatshmëri është i ri, dhe lidhet me postmodernizmin kryesisht. Përzierja e komentit kritik me vetë tekstin letrar, merret si njëra nga karakteristikat më të veçanta të postmodernizmit, prandaj proza e shumë autorëve postmodern është quajtur meta-prozë, e cila kur studiohet i jep romanit identitetin si zhanër letrar, që karakterizohet me jostabilitetin e lidhur me faktin se romani ndërtohet përmes asimilimit të formave të përditshme të komunikimit, ku hyjnë elemente nga gjuha e gazetarisë, ditarit, regjistrave e shënimeve juridike.
Kjo meta-prozë është emërtuar shpesh si roman introvert, anti-roman, irealizëm, mbi-prozë, emërtime këto që e vendosin theksin në drejtime të ndryshme. Meta-proza, si nocion i gjerë, përfshin në vete një spektër të gjerë prozaik.
Hiperteksti, i pranishëm nëpër veprat postmoderne nuk është linear, por objekt i përbërë prej teksteve që janë të lidhura në shumë nivele, e që mundësojnë që gjithë informacionet të jenë të kapshme. Nga ana tjetër teksti, nuk posedon mundësi të tillë, sado që e tenton këtë nëpërmjet fusnotave. Filozofi amerikan Teodor Nelson, është i pari që e përdori nocionin hipertekst në vitet 60’, në fushën e shkencave elektronike e informative derisa Zherard Zhenet, më vonë, do ta shpjegojë fenomenin e hipertekstualitetit – duke nënkuptuar raportin që ofron teksti B (hipertekst) me një tekst paraprak A (hipotekst). Raporti i hipertekstualitetit vjen në shprehje, kur B-ja vendos çdo lidhje ose mbështetet në mënyra të ndryshme, në tekstin A.
Sipas filozofit frëng Roland Bart, teksti ideal është i komponuar nga blloqet dhe fotografitë e lidhura përmes shumë rrugëve, kanaleve, e nyjave me fund të hapur – tekst që zotëron një sistem të tërë domethëniesh, kuptimesh, numri i të cilave nuk është i kufizuar. Një nga format kanonike të postmodernizmit është fragmentarizmi, përdorimi i dendur i të cilit lidhet me bindjen se njeriu bashkëkohor ka mënyrë jo të plotë, fragmentare të vrojtimit të botës. Ky term është i lidhur ngushtë me termin different (dallim) të teoricienit algjero-frëng Zhak Derridasë. Ai mendon se, si në shkrim ashtu dhe në diskurs, ekzistojnë dallime mes elementeve; sipas tij, teksti paraqet dallim të gjurmëve të teksteve tjera që veprojnë në të. Sistemi gjithmonë ka ndonjë mangësi, diçka që i mungon dhe e bën të jetë jo i tërë. Rrëfimi në veprat postmoderne, shpeshherë është veçse skicë e rrëfimit që i mundëson lexuesit njohjen me laboratorin krijues të autorit. Duke filluar nga letërsia e deri te filmi, këto vepra karakterizohen me fragmente të horrorit, fanta-shkencës, misterit, mitit, përrallës e legjendës. Dhe ngjarja në këto realizime, qofshin letrare apo filmike, është fragmentare, e ndërprerë. Masoviteti i mjaft lëvizjeve të ndryshme, është po ashtu karakteristikë e rëndësishme e postmodernizmit – arsyeja qëndron te fakti se mëtohet të flaket opozicioni i gjinisë, racës, klasës, duke u përpjekur të mposhtet hapësira mes qendrës dhe margjinave duke pranuar sfidimin e çdo kulture.
Postmodernizmi mohon stabilitetin e pozitës së sunduesit, ashtu si dhe feminizmi apo postkolonializmi dhe tenton ta afirmojë idenë e deqendërzimit duke u munduar të pranohen dallimet. Shpesh vjen edhe deri te përzierja zhanrore apo te fshehja e një zhanri sipas karakteristikave të një zhanri tjetër, ose te fenomeni zhvendosje zhanrore. Këtu kemi të bëjmë me krijimin e veprave, ku gërshetohen elementet e ditarit, letrave elektronike, shkrimeve gazetareske etj. Intertekstualiteti dhe intermedialiteti po ashtu janë shumë të rëndësishme për postmodernizmin – teksti i ri postmodern, gërsheton plot tekste tjera që funksionojnë si tekste të reja. Për sociologun frëng Zhan Bodrijarin, arti postmodernist krijon veprën hiper-realitet, që paraqet një realitet, që duket më real se vet realiteti. Te këto vepra, s’ka as fiksion as realitet, por sipas tij hiper-realiteti i ndërpret të dyja. Ndërsa, Liotari është i mendimit se në postmoderne nuk ka vend për ngjarje të mëdha – duke e nënkuptuar atë si krizë të narracionit. Postmodernia i kushton kujdes edhe kontekstit, si të lexuesit, ashtu edhe të autorit, duke rikontekstualizuar si proces prodhues autorin dhe receptues lexuesin, ashtu siç rikontekstualizon vetë tekstin brenda situatës komunikuese, që përfshin kontekstet shoqërore, historike e kulturore. Ky art nuk e mohon individualen, por e rivendos atë, sikurse nuk e mohon as kolektiven sado që e pranon se përdoret për manipulime. Ky lloj është art i kundërthënieve, i mbushur me ndjenjën e dyshimit; kundërthënia dhe lëvizja drejt antitotalitarizmit janë karakteristika të këtij arti. Postmodernia nuk është absolute, por e vetëdijshme se është e pamundur krijimi i ndonjë hierarkie a sistemi prioritetesh jetësore. Autori postmodern dhe shoqëria e tij, nuk i jep rëndësi gjërave për hir të pjesëmarrjes ose jo në ndonjë doktrinë që i bën të vlefshme a të pavlefshme; këto gjëra marrin vlerë vetëm për hir të imediatizmit, për hir të pranisë vet në një botë ku informacioni është i shpejtë. Për këtë, filozofi italian Xhani Vatimo pohon: “Ndoshta, vetëm kalimi i teknologjisë nga faza e vet mekanike tek faza informatike dhe elektronike është ai që mundëson ardhjen e postmodernizmit…”. Sipas Filip Ueisteinit, ekzistojnë pesë faza përmes së cilave, bëhet kalimi nga modernizmi në postmodernizëm:
1.Natyralizmi dhe impresionizmi, 1870-190
2.Simbolizmi, dhe dekadenca…, 1890-1910.
3.Avangarda, 1910-1920.
4.? (Pikëpyetja i përket strukturës së hartuar nga F. Ueistein)
5.Neoavangarda, 1950-1960
6.Postmodernizmi 1960 deri më sot.
Nga veprat që kanë shenja të postmodernizmit në letërsinë shqipe, mund të veçonim, Qezari niset për në luftë e Kasëm Trebeshinës, Ulku dhe Uilli e Vath Koreshit, Moxart, me vonesë e Bashkim Shehut, etj. Karakteristikat postmoderniste në letërsinë shqipe, nuk janë të ndara cilësisht, kjo dukuri e sjell praninë e veprave me tipare heterogjene, çka e bënë të vështrirë klasifikimin e tyre. Letërsia postmoderniste shqiptare zhvillohet në kushte specifike; ajo nuk shfaqet qartë në formën e një estetike të përvijuar, por në trajtën e shenjave që shfaqen në domenin e letërsisë moderniste. Disa nga këto shenja janë: Romani postmodern, që ngrihet mbi vetëdijen autoriale për zhburgosjen e strukturës së mbyllur e të hermetizuar të gjuhës. Kjo prirje nis me format eksperimentuese të Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit etj. Gjuha nuk trajtohet si formacion i privuar nga ndryshimet, por nëpërmjet saj bëhet prezantimi i “strukturalitetit të strukturës”. Diskursi ngrihet mbi kuptimin e dyfishtë apo shumëfishtë (polivalenca ose multi-valenca kuptimore).
Filozofja dhe kritikja bullgare Julia Kristeva, e koncepton tekstin të përbërë nga dy akse: “aksi horizontal, që e lidh autorin me lexuesin dhe aksi vertikal, që lidh tekstin me tekste të tjera”. Ajo, pohon se çdo tekst është nën ndikimin e shumë diskurseve; përfshirja e tyre brenda tekstit, e krijon intertekstualitetin që konsiderohet vlerë e madhe letrare. Ai nuk është shenjë e re në letërsi, por kthehet si dominant në letërsinë postmoderne.
Për kritikun anglez Terri Igleton, postmodernia është mënyra e të menduarit, e karakterizuar nga dyshimi në nocionet klasike të së vërtetës, arsyes, identitetit e objektivitetit, dyshimi në idenë e progresit dhe emancipimit universal.
Kështu vijmë në përfundim se nën emetimin “postmodernizëm”, përmblidhen një sërë lëvizjesh letraro-artistike si: pop arti, kibernetika, realizmi magjik etj. Kjo filozofi postmoderne ndikohet nga fenomenologjia, strukturalizmi, post-strukturalizmi, por edhe nga ekzistencializmi (specifikisht nga veprat e filozofëve si Kierkegardi, Niçe, Hajdegeri, Kamy, Sartri, etj).