Ballkani i Hapur/ Rama-Vuçiç- Zaev nënshkruajnë marrëveshjen, Kosova refuzon

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Mini-Shengen” u pagëzua me emrin “Open Balkan”. Të tre liderët kërkojnë zgjerimin me shtete tjera të Ballkanit ndërsa Kryeministri Kurti tha se kjo iniciativë nuk ofron vizion për rajonin.

Ballkani Perëndimor është gati dhe i vendosur që t’i lërë pas krahëve plot 500 vite histori të vështirë dhe të ecë përpara drejt një bashkëjetese të paqtë dhe më shumë mirëqenie. Ky ishte mesazhi i qartë i dhënë nga liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në forumin ekonomik  “Ballkani i Hapur” që u zhvillua në Shkup. Mesazhet ishin të qarta si ndaj Bashkimit Europian dhe ndaj kundërshtarëve të këtij bashkëpunimi të ngushtë rajonal: Ballkani nuk mund të presë më BE-në të shuajë sherret brenda vetës dhe nuk mund të jetojë më me sytë nga e shkuara. Zero minuta vonesa në kufi në 2023, një leje pune vitin e ardhshëm, kualifikim i përbashkët, marrëveshje për shëndetin dhe 3-fishin i kapaciteteve në fatkeqësi natyrore janë ato të cilat kanë rënë ditën e djeshme dakord liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në “Ballkanin e Hapur”.

Rama

Në konferencën pas nënshkrimit të 3 memorandumeve mes liderve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë, Edi Rama u shpreh se nga 1 janari i vitit 2023, nuk do të ketë asnjë sekondë pritje në kufijtë mes tre vendeve. Ndërkohë, Rama foli edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë bërë pjesë e nismës, duke theksuar se janë të mirëseardhur. “Në 1 janar të vitit 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufij, të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë, të na bashkohen. Boll me këtë, na ftuan, s’na ftuan. Ishim në Tiranë, 6 vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë. Nuk ka problem. Autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë që të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Për mua, politika më e mirë është bashkëpunimi”, tha Rama. Ishte kryeministri shqiptar ai i cili zgjodhi t’i jepte mesazhet më të forta kundër atyre që presin që Ballkani të jetojë ende në shekujt e errët të së shkuarës. Sipas tij, ballkanasit s’kane pse të presim BE-në kur liritë mund t’i realizojnë nga bashkëpunimi mes tyre.

Batutat

Në samitin “Ballkani i Hapur” nuk munguan batutat mes liderëve. E ndërsa po flisnin për lehtësitë që ofron nisma rajonale dhe kritikat për BE-në, presidenti serb, përpara se drejtuesi i forumit t’i jepte fjalën Edi Ramës, deklaroi se ishte dakord me çfarë do që të thotë në vijim kryeministri i Shqipërisë dhe do të firmoste çdo gjë. “Të dashur miq, unë nuk e di si do të përgjigjet Edi, por çfarë do që të thotë 100%, çdo fjalë që ai do të thotë unë e mbështes 100%”, tha Aleksandër Vuçiç. Replika e Ramës nuk vonoi duke dhënë përgjgjen që pritej nga shumica në atë moment “Tani ai (Vuçiç) do që unë të them njohjen e Kosovës dhe ai nuk do ta mbështesë. Por pyetja m’u bë mua, sepse ma merr mendja, që Marko, si një njeri mjaft i aftë për të bërë marrëveshje mes kombeve dhe komuniteteve të biznesit, i duket argëtuese të më bëjë mua të flas për BE-në. Ne do të firmosim sot (dje) marrëveshjen për lejet e punës, Serbia dhe Maqedonia kanë një problem, duhet të ndryshojnë ligjet e tyre” tha Rama. Ndërkohë që më parë presidenti serb, ka theksuar se në 2015 ai dhe Rama konsideroheshin armiq. “Në 2015 në takimin me Edin, ishin në pozitat e dy armiqve, ku njëri i shkoi tjetrit dhe gjetëm fjalë të mjaftueshme që ta fyejmë njëri-tjetri, për të fituar pikë në politikst e brendshme. Dhe kjo s’ka rëndësi tani ne arritëm të bëjmë diçka për të menduar për ardhmërinë e përbashkët, për rezultatet”, tha Vuçiç. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, e cila në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup ka marr emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur).

Kosova mbetet jashtë, Kurti: Mini-Shengeni nuk ofron vizion për rajonin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën e Mini-Shengenit duke shtuar se, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian. Ai këto komente i bëri gjatë një fjalimi në konferencën dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Mini-shengeni është një nismë e përbashkët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë. Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit. Kryeministri Kurti tha se kjo iniciativë nuk ofron vizion për rajonin. Duke folur për procesin integrues të vendeve të rajonit, Kurti tha se Kosova ndan zhgënjimin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të mosnisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE. Ai tha se bllokimi i procesit të integrimit për këto dy vende dhe mosofrimi i liberalizimit të vizave për Kosovën paraqet mesazh dekurajues për rajonin. Sipas Kurtit, Bashkimit Evropian i mungon uniteti.  Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca e atëhershme portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si kusht për të hapur negociatat. Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

“Ballkani i Hapur”

Nga importet te punësimi dhe lëvizja e lirë, Rama, Vuçiç e Zaev bëhen bashkë për punësimin dhe lëvizjen e lirë

Lexo edhe :  Meta-Kryemadhi bashkë kundër SPAK, ndarje për politikë

Gjatë Forumit Rajonal Ekonomik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, homologu i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç firmosën tre memorandume bashkëpunimi

Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Zoran Zaev janë mbledhur për të nënshkruar marrëveshjen trepalëshe mes shteteve. Duke folur për kufinjtë dhe minishengenin, Kryeministri Vuçiç tha se nuk do të ketë asnjë kufinjë ndarës. Ai tha se “Minishengeni Ballkanik” do të jetë në të mirë të vendeve të përfshira, për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Ai nënvizoi se nisma nuk ka asnjë kufi ndarëse dhe është e hapur për cilindo që kërkon të bëhet pjesë. “E shoh që sa herë kurdo që shfaqemi, në një kohë që tre vendet tona kanë mbi 12 milionë qytetarëve, kjo nënvlerësohet. Autokritika e Ramës është ku është Prishtina, unë them ku është Sarajeva. Ne zgjedhim, të gjithë zgjedhin rrugën e tyre. Nëse kishim bërë këtë nismë me Bosnjën dhe Malin e Zi, do të më akuzonin se po bëj Serbinë e madhe. Një gjë e tillë do të thonin edhe nëse një gjë e tillë ndodh edhe mes Shkupit dhe Tiranës”, tha Vuçiçi. Ai më tej tha se do të krijohet lëvizja e mallrave dhe e njerëzve, duke kërkuar ti bashkohen edhe vende të tjera kësaj nisme. “Asnjë normal s’e artikulon këtë, edhe në epokën e sotme të rrjeteve sociale. Ideja është që të gjithë të marrin pjesë, të jemi të drejtë. Ne po krijojmë këtë si një nismë ekonomike, për qarkullimin e njerëzve, mallrave, e këtë nismë nuk e përdorim për të zgjidhur problemet dypalëshe. Edhe të tjerë të bashkohen në këtë nismë edhe nëse do të kërkonin ndonjë lëshim nga Serbia”, tha Vuçiç. Presidenti i Serbisë tha se lëvizja e njerëzve dhe e mallrave do të ndihmojë të rritet ekonomia e të treja vendeve. “Mos gjejmë justifikime për mos arritjen e marrëveshjes. Ka të tjerë që s’kanë probleme me ne. Bosnja, Mali i Zi. S’kam asnjë ide, se përse ata s’marrin pjesë këtu. Do të jetë e vështirë, sepse do të ketë pengesa. Duhet të kemi 0 pritje në kufij, në mënyrë që njerëzit të lëvizin lirisht. Mendoni se kjo bëhet në një ditë? Jo, afatet zgjasin, por kjo do të bëhet e mundur për njerëzit. Të mos presin kur udhëtojnë, ne jemi të hapur për gjithçka. Nuk i them sheqeri është i mirë për trurin, mishi për muskujt, s’do të hash, mos hajde. Ne po bëjmë punën tonë. Na takon të rrisim ekonomitë e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, tha kryeministri i Serbisë. Shefi i qeverisë tha se tre vendet do të tërheqin edhe investimet e huaja. “Do të jemi të suksesshëm kështu. Po flas si përfaqësues i një vendi që ka tërhequr 60% të investimeve të huaja direkte. Tre vendet tona do të tërheqin më shumë se 80% të investimeve. Kur krijon dasi dhe bën fushatë ndaj tjerë, jo kundër meje, sepse jam mësuar, por kjo fushatë që mund të bëhet edhe kundër Ramës. Ai po bën mirë për vendin e tij. E ardhmja do tregojë se kush ka bërë punë të mirë, për veten, qytetarët dhe vendin e tij”, tha Vuçiç. Në fjalën e tij presidenti serb ka vlerësuar edhe njëherë nismën e “Ballkanit të Hapur” dhe ka theksuar se në thelb qëndron besimi. “Besimi, qëndrueshmëria është shumë e rëndësishme. Të marrim parasysh se procesi i vaksinimit na tregoi se ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin në kohë nevojë. Të gjithë vendet tonë, të gjithë njerëzit në rajon ne e kemi nënçmuar vetveten. Unë besoj se njerëzit e dinë se është e rëndësishëm të flasin për kufijtë e hapur.  Kushdo që do vij pas nesh do të vazhdojë me këtë nismë se është një iniciativë për njerëzit”, tha presidenti serb. Ndërkohë që Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e tha qartë se i gjithë rajoni ka nevojë më pak të konsumojë histori por më shumë ekonomi. Gjatë samitit të djeshëm u bë nënshkrimi i disa marrëveshje trilaterale, në kuadër të Mini-shengenit Ballkanik, me synim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij takimi mungoi Kosova, e cila njëjtë si në samitet e kaluara mes Zaevit, Ramës dhe Vuçiç ka zgjedhur të mos marrë pjesë.

Zaev: Mos ketë ndalesa në kufijtë mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka theksuar rëndësinë e nismës së MiniShengenit, e cila do të marrë një emër të ri. ”Kjo nismë ka lindur nga vlerat evropiane. Sepse ajo përfshin katër liritë themelore mbi të cilat funksionon BE-ja. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera”, tha mes tjerash Zaev. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka theksuar se ditën e djeshme do të nënshkruhen disa memorandume. “Për ti realizuar këto liri ne do të nënshkruajmë disa memorandume. Më pak histori dhe më shumë ekonomi, kjo është synimi jonë”, tha Zaev. Në fjalën e tij Zaev ka theksuar se në kuadër të bashkëpunimit do të rritet edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto i secilit prej vendeve dhe do t’i ofrojë ata më afër Bashkimit Evropian, duke ftuar edhe njëherë vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë e nismës rajonale. “Kjo e bën Ballkanin më të fortë dhe konkurrente në BE. Mungesa e BE për të mos hapur negociatat për Ballkanin është kundër interesave të BE. Jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe Serbinë dhe Malin e Zi. Ne jemi këtu, edhe aty ku BE të jetë e përgatitur, ne presim sepse jemi të përgatitur për qytetarët tonë. Shpresoj që BE të gjejë mënyra të gjej financim. Nuk jam këtu për të folur për BE, jam për të folur për qytetarët tanë, idetë tona, Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e hapur. Të gjithë së bashku i japim fluks të ri hapësirës ekonomike dhe tregut të ndërlidhur. Të gjithë jemi në Ballkan, të gjithë jemi në Ballkanin perëndimor. Ta bëjmë këtë pjesë të jetës sonë përmes tregut të përbashkët”, tha Zaev.

Të fundit

Arrestimi i këngëtarëve shqiptarë në Zvicër/ Mirë ua bënë, vinë e dredhin by**ët dhe…

Zbardhen detaje rreth aksionit të policisë zvicerane për arrestimin e disa personave në lokale nate, ku mes tyre ishin...

Pse Meta është bërë agresiv? Analisti i njohur zbardh prapaskenat e bujshme

Analisti Ergys Mërtiri ‘në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ theksoi se Meta është bërë agresiv pasi duket qartë se ka një hall të madh...

Pas daljes nga ‘BBV3’, Ilnisa habit fansat, bën ndryshim drastik në pamje (Foto)

Ilnisa Agolli, një prej ish-konkurenteve më të komentuara të formatit ‘BBV3’, sidomos pas krijimit të romancës së saj me Meritonin, ka qenë tepër aktive...

Ky vend u bën thirrjen e fortë qytetarëve: Largohuni menjëherë nga Izraeli

Australia u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Izraeli “nëse është e sigurt për ta bërë këtë”, pas raportimeve të...

SHBA vendos veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në OKB

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur veton për anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB, një lëvizje që qeveria izraelite e ka kundërshtuae me forcë. Një...

Lajme të tjera

Web TV