Stuart Edward Mann, puna e palodhur e albanologut britanik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Studjuesi, leksikografi dhe historiani i gjuhës dhe letërsisë shqipe Stuart Edward Mann lindi më 11 qershor 1905 në një familje qytetare në Lenton, Nottinghamshire, Mbretëri e Bashkuar.

Ai ndoqi shkollat publike të vendlindjes në rrethin e Warwickshire-it dhe u doktorua për filologji gjermanike në Universitetin e Bristolit më 1927.

Më 1929 ai vizitoi Italinë dhe shkoi në portin jugor të Brindisit, në “takën e çizmes italiane”, dhe u nis me traget drejt Shqipërisë me qëllim që të mësonte shqip sa më mirë dhe të njihej nga afër me shqiptarët dhe kulturën e tyre. Nga Durrësi shkoi në Tiranë dhe u punësua shpejt si mësues i gjuhës angleze në Shkollën Teknike Amerikane që drejtohej nga profesori i inxhinjerisë mekanike Harry T. Fultz.

Stuart Mann-i dha mësim në Shkollën Teknike për tre vite akademike, 1929-1931.

Pastaj shkoi në Çekosllovaki dhe gjatë viteve 1930-të punoi si pedagog në Universitetin Mazaryk të Brnos (sot në Republikën Çeke). Në Brno ai u njoh me studenten e bukur çeke Helen Pausarova (19.07.1914-27.11.1993), me të cilën u martua. Më 1939 Stuarti dhe bashkëshortja e tij çeke vajtën në Angli dhe jetuan në Hamstead të Londrës, e cila është lagjja e preferuar e akademikëve, artistëve dhe figurave mediatike.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi në Ministrinë e Informacionit dhe më pas në Foreign Office. Më 1947 ai u bë lektor i gjuhësisë shqipe e çeke në Fakultetin e Studimeve Sllavonike e Europjano-Lindore në Universitetin e Londrës, ku punoi 25 vjet, deri sa doli në pension më 1972.

Ndërkohë dhe më pas ai vazhdoi punën e tij shkencore filologjike mbi historinë e gjuhës shqipe, çekishtes e armenishtes. Ai vdiq nw qytetin jugor të Buckinghamshire-it High Wycombe, rreth 25 milje larg Londrës, më 5 gusht 1986 në moshën 81 vjeçare.

Studjuesi i palodhur u fokusua veçanërisht në studimet albanologjike.

Studjuesi britanik Stuart Edward Mann është i njohur në Shqipëri nga rrethet intelektuale anglofone për Fjalorin Anglisht-Shqip (me 21 mijë fjalë, 434 faqe) të botuar në Kembrixh të Anglisë më 1957 nga Cambridge University Press që është shtypshkronja universitare më e vjetër në botë e themeluar 487 vjet më parë, më 1534, nga mbreti Henriku VIII. Ky ishte fjalori dygjuhësh më i mirë për të mësuar anglishten që ekzistonte në Shqipëri deri në mesin e viteve 1960-të, përveç dy fjalorëve xhepi që qarkullonin dorazi, të hartuar nga shqiptaro-amerikanët Kostandin Çekrezi (1923) dhe Nelo Drizari (1934). (Më 1966 fjalori i Mann-it u ribotua edhe në Prishtinë.)

Fjalori i S. Mann-it, An English-Albanian Dictionary,u vlerësua lart nga revista shkencore American Slavic and East European Review e vitit 1958 (vol. 17, Nr. 4, Dhjetor 1958, f. 573-574) në recensën e albanologut të shquar amerikan Eric P. Hamp. Ky albanolog e mik i shqiptarëve, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Doctor Honoris Causa i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, i cili vdiq në moshën 99-vjeçare më 17 shkurt 2019, në recensën e tij për fjalorin e pasur e të shkëlqyer të Stuart Mann-it ndër të tjera shkruan:  “Ne vetëm mund ta mirëpresim daljen në dritë të këtij fjalori më të madh (të faqosur me kollona dyshe) e më të përdorshëm dygjuhësh (nga një gjuhë tjetër në shqip). Ai ia tejkalon fjalorit anglish-shqip (toskërisht) të Çekrezit dhe fjalorit të pakët të Drizarit. Fjalorët e vetëm të këtij lloji që meritojnë të përmenden janë: fjalori gjermanisht-shqip i M.A.F. von Godin-it (1930, gegnisht); rusisht-shqip i Kostallarit (1954, toskërishte standarte; shikoni recensën time që do të botohet në Kratilos[1]); sërbisht-shqip i Barić-it (1950, gegërisht e toskërisht; shikoni recensën time, në Kratilos, I.183, 1956); dhe italisht-shqip i Cordignano-s (1938, gegërishte veriore; shikoni recensën e N. Joklit, Indogermanisches Jahrbuch 24.234-36, 1940). Nga këta, vetëm ai i Barić-it përpiqet ta konkurojë atë në madhësi (por edhe ky fjalor sërbisht-shqip, shqip-sërbisht i albanologut kroat Henrik Bariç nuk ia tejkaloi dot në madhësi, sepse kur u botua kishte 20 mijë fjalë, kurse fjalori i Stuart Mann-it anglisht-shqip ka 21 mijë fjalë, R.K.), dhe, përveç përdorimit më të pakët të fjalorit sërbisht-shqip, unë kam parë vetëm një vëllim (deri te shkronja “P”) e këtij fjalori të shkëlqyer.”

Lexo edhe :  7 Shkurt 1992/ Nënshkruhet Traktati i Mahstrihtit i Bashkimit Evropian

Por vlerat e vërteta të Stuart Mann-it si studjues dhe lidhjet e tij me kulturën shqiptare shkojnë shumë më përtej se autorësia e një fjalori anglisht-shqip.

Interesi parësor në studimet e tij albanologjike ishin historia e gjuhës shqipe, gramatika historike e shqipes nga 1496 deri më 1938, fonologjia dhe leksikografia. Nga viti 1932 deri në fund të jetës së tij Stuart Mann-i botoi 9 vepra studimore, gjashtë nga të cilat janë vepra albanologjike: 1. A Short Albanian Grammar, London, 1932; 2. “N and R Alternation in the Dialects of Albania”, London, 1938; 3.An Historical Albanian-English Dictionary (1496-1938). London, 1948; 4. An Outline of Albanian Literature. London, 1955; 5. An English-Albanian Dictionary, Cambridge University Press, 1957; 6. An Albanian Historical Grammar. Hamburg 1977.

Stuart Mann-i ka meritën se është hartuesi dhe botuesi i parë në gjuhën angleze i historisë së letërsisë shqipe. Vepra e tij “Albanian Literature – An Outline of Prose, Poetry and Drama” (“Letërsia shqipe – Një përvijim i prozës, poezisë dhe dramës”), botuar nga shtëpia botuese Bernard Quaritch, Ltd. në Londër më 1955, mbart vlera të shumta. Ai ka trajtuar me kompetencë e saktësi shkencore fillimet e letërsisë shqipe, autorët e vjetër Buzuku, Budi, Fran Bardhi, Bogdani, etj., autorët arbëreshë Lek Matrenga, Gavril Dara, Nikoll Brankato, Jul Variboba, Dhimitër Kamarda, Zef Serembe, Zef Skiroi, etj. Në trajtimin e traditës së pasur të letërsisë arbëreshe në kuadrin e historisë së Letërsisë Shqipe, Stuart Mann-i i ka dhënë, me të drejtë, një vend të veçantë trajtimit të hollësishëm të krijimtarisë së Jeronim De Radës.

Për të shkruar këtë vepër ai shfrytëzoi një bibliografi prej 26 zërash në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht. Në Parathënien e saj thuhet se është “përvijimi i parë i letërsisë shqipe në gjuhën angleze“. Autori është i vetëdijshëm për të metat që mund të ketë libri i tij për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme që ka ndeshur gjatë punës së tij për mbledhjen e verifikimin e fakteve si rezultat i vetizolimit të Shqipërisë gjatë regjimit totalitar.

Libri “Letërsia Shqipe—Një Përvijim i Prozës, Poezisë e Dramës“përbëhet nga 16 kapituj. Ai fillon me dokumentet e para të shqipes së shkruar, që nga pamfleti i At Brokardit i vitit 1332, në përkrahje të Kryqëzatave, ku thuhet se “ndonëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, ata përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre“(pra,  alfabet latin dhe libra, shumë libra), tek formula e pagëzimit  e Pal Engjëllit, si pjesë e një letre pastorale e vitit 1462, përkthimi fragmentar i Ungjillit të Shën Mateut, kapitulli 28, tek vargjet 62-66, libri prej 200 faqesh “Meshari“ i Gjon Buzukut i vitit 1554-1555, etj. Pastaj vazhdon me autorët arbëreshë dhe  autorëte fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX në tri gjinitë kryesore të letërsisë shqipe: poezi, prozë e dramë.

Në Kapitullin I, “Tradita Katolike në Shqipërinë Veriore“, S. Mann-i spikat disa fakte interesante. Duke folur per jeten e krijimtarinë e Pjeter Budit (1566-1623), ai nënvizon se “një përshtatje në shqip e ‘Doktrinës së Krishterë‘ të Bellarminos u botua në Romë më 1618 dhe u rishtyp më 1636, 1664, dhe në fund më 1868“ (f.3). Pra, gjatë një gjysëm shekulli ajo u botua tri herë dhe pas 250 vjetësh edhe një herë tjetër, gjë që nënkupton interesin e vazhdueshëm për këtë vepër, përdorimin e vazhdueshëm të saj. Kjo vepër e përshtatur në shqip “në vargje tetërrokësh me ritmin e shumë këngëve popullore shqiptare dhe, për koincidencë, me ate të Haiawatha-s se Longfellow-t“(f.3) mund të jetë përdorur dhe si tekst shkollor në shkollat shqipe të shekujve XVII-XVIII. Mann-i përmend se “kjo vepër u shkrua me sugjerimin e vetë Papë Klementit VIII“ (f.3) dhe shton se “poezia e Budit është krijimtaria poetike më e hershme që dihet në dialektin gegërisht“(f.3). Shënimet e tij për Budin Mann-i i shoqëron me 9 strofa katërvargjëshe me titull “Ringjallja“, të përkthyera në anglisht nga ai vetë.

 

Burimi/ Prof. Dr. Refik Kadija: Kontributi i çmuar albanologjik i studiuesit britanik Stuart E. Mann (1905 – 1986)

Të fundit

Tentuan të korruptonin policinë me lekë/ Dy të arrestuar dhe dy të ndaluar në Tiranë

Policia Rrugore ka ndaluar dy persona, të cilët kanë tentuar të korruptonin blutë me lekë, për t’i shpëtuar masës së marrë. Ndërsa, janë arrestuar dhe...

Mark Rutte: NATO do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë, të ketë një Qeveri stabile dhe se NATO-ja...

PD kërkon dorëheqjen e Klotilda Bushkës si kryetare e Komisionit të Ligjeve

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e deputetes së PS-së pasi u mor nën hetim lidhur me akuzat për asgjësim provash lidhur me dosjen e...

Zgjedhjet parlamentare/ Sondazhi: Gjermanët s’kanë të parë ekonominë, por emigrantët

Gjatë zgjedhjeve të BE-së, gati gjysma e gjermanëve patën cituar emigracionin si shqetësimin kryesor që do të influenconte votën e tyre, e duket se...

Lajme të tjera

Web TV