Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim ndaj komentuesve në Kosovë por edhe Shqipëri, të cilët e quajnë “tradhtar”, pas nënshkrimit të marrëveshjes më Vuçiç dhe Zaev për “Ballkanin e Hapur”. Thumbimet e Ramës për Haradinajn, Kurtin dhe vendosmëria për të vijuar projektin për lirinë ekonomike dhe lëvizjen e lirë të mallrave në Ballkan.
Nga Fernada Cenko
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dje ndjekseve të tij në rrjetet sociale, të cilët e akuzojnë si “tradhëtar ndaj Kosovës”. Kreu i qeverisë, ndërsa është duke pushuar, nuk i ka lënë “inatçorët” pa përgjigje, duke ju dedikuar një përgjigje të gjatë sa i takon marrëdhënies së tij me Kosovën. Akuzat i janë ngritur në postimin që ai ka bërë me 2 xhudistet kosovare ditën e hënë. Me një postim në “Facebook”, Rama shkruan se ata që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, gabojnë pasi është po ai që në mes të Beogradit foli me zë të lartë për njohjen e Kosovës. Rama i ka bërë një hyrje postimit të tij edhe me kërkesat që kishin vajzat për ta takuar por edhe për ta publikuar foton në faqen zyrtare të “Facebook” të kryeministrit. “Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë dy vajzat e arta kosovare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomenal. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar. Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time”, shkruan Rama.
Rama tradhëtar
Në Kosovë edhe për shkak të vendimeve që u morën për “Minishengenin Ballkanik”, i ëmërtuar së fundmi si “Ballkani i Hapur”, por edhe në takime të shpeshta me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiçi e kanë cilësuar Ramën si tradhtar. Meadje ky nuk është vetëm oponioni i disa komentuesve nga Kosova, por edhe nga opozita shqiptare u lexua në këtë formë. Dhe për këtë fjalë, Rama e ka një përgjigje, duke e zgjedhur ti rrinte në trup si kostum i qepur mirë. “Të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, shkruan Rama. Kryeministri tha se nuk do të ndalet aspak dhe nuk do të heqë dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet. “Kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmit digjital”, shkruan Rama.
Çështja “Kurti”
Kryeministri shkruan se Kosova nuk mund ta merrte pavarësinë dhe as ta gëzojë atë nëse nuk do të ishin aleatët që e mbështesnin Kosovën si shtet më vete. “Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, është shprehur Rama, duke shigjetuar Ramush Haradinaj. Nga ana tjetër ai sërish kërkon që Kosova të jetë e lirë, por ajo nuk mundet të bëjë monolog me Serbinë, por duhet të ketë dialog mes dy vendeve. “A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, shkruan Rama në “Facebook”. Ndaj Rama ka sqaruar gjithë ndjekësit e tij se nuk mund të ketë Kosovë të lirë, duke bërë politikën e brendshme ndryshe dhe të jashtmen ndryshe. Dhe me këtë Rama ka sulmuar hapur politikën e jashtme të Albin Kurtit.
Ballkani i Hapur
Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, shkruan se Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia. Dhe në këtë pikë ai ka shinjestruar sërish Kryeministrin Albin Kurti. “Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, shkruan Rama.