“Ballkani i Hapur”/ Gjermania nxit të gjithë vendet për ta nënshkruar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Sipas qeverisë gjermane, detyra urgjente është të finalizohen negociatat e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama pasi bëri përgjegjëse klasën politike në Kosovë për “refuzimin e rastit”, u shpreh i bindur për të vijuar nismën. Deri tani “Open Balkan” është nënshkruar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Nga Fernada Cenko

Pas përgjigjes që Kryeministri Edi Rama ju dha komentuesve kosovarë në “Facebook” por edhe politikanëve të Kosovës, për “tradhëtinë” tij ndaj këtij vendi, ka ardhur edhe reagimi nga Gjermania. Sa i takon “Open Balkan” apo “Minishengenit Ballkanik” qeveria gjermane ka bërë thirrje për bashkëpunim duke firmosur marrëveshjen për tregëtinë dhe lëvizjen e lirë. Qeveria gjermane, npërmjet zëdhënësit të saj, mbështet hapur iniciativën e re në rajon ”Open Balkan”. Në një përgjigje për mediat e Kosovës, qeveria gjermane prononcohet se çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm dhe e rëndësishme është të jetë gjithpërfshirëse. “Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka  thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane. Kjo e fundit inkurajon vendet e Ballkanit Perëndimor të zotohen në detyrat urgjente pvr të finalizuar katër marrëveshjet për lirinë e udhëtimit. “Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE – Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, ka shtuar zëdhënësi. Nga kritikët, ”Open Balkan” është parë si një devijim i rrugës drejt BE të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, por për qeverinë gjermane se perspektiva europiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor bazuar mbi metodologjinë e re të zgjerimit mbetet e pandryshuar.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Tre liderët Edi Rama, Zoran Zaev e Aleksandar Vuçiç, nënshkruan në Shkup në kuadër të forumit ekonomik dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky nënshkrim mori emrin e ri si Open Balkan, pra “Ballkani i Hapur”.E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë angazhuar ende. Marrëveshja parashikon krijimin e lëvizjes së lirë në pikat kufitare, me qëllimin që të mos ketë vonesa kalimi. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente, si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale. Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Memorandumi tjetër ka të bëjë me lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.Kryeministri Rama në mbyllje të konferencës deklaroi se: “Më 1 janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje të kufi, të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë dhe të na bashkëngjitjen. Nëse vijnë askush si pengon. Boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishin në Tiranë të gjashta vendet e Ballkanit për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë disa duan, disa s’duan.”

‘Open Balkan’,Marrëveshja për ndihmë në raste fatkeqësishë natyrore nuk funksionoi

Situata e zjarreve në Shqipëri tregoi se marrëveshja e nënshkruar në Shkup para disa javësh në kuadër të nismës “Open Balkan” nuk ka funksionuar. Rama, Vuçic dhe Zaev firmosën një marrëveshje për ndihmë reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore, por kjo ndihmë Shqipërisë i erdhi vetëm nga Kosova. Që në provën e parë, kur lindi nevoja për zbatimin e një prej marrëveshjeve të firmosura, “Open Balkan” nuk rezultoi efektiv. Në samitin e zhvilluar në Shkup, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev firmosën 2 memorandume dhe një marrëveshje bashkëpunimi. Përveç dy memorandumeve për të lehtësuar qarkullimin dhe punësimin në mes tre vendeve, marrëveshja e vetme që firmosën tre liderët e shteteve kishte të bënte me mbrojtjen dhe shpëtimin në rastet katastrofat natyrore në Ballkanin Perëndimor. E fill pas nënshkrimit, pa u plotësuar 1 muaj, në Shqipëri lindi nevoja që kjo marrëveshje të zbatohej konkretisht. Në përballje me zjarret në gjithë vendin, ekipet zjarrfikëse të Shqipërisë patën nevojë për ndihmë nga fqinjët. Por kjo ndihmë nuk erdhi as nga Serbia dhe as nga Maqedonia e Veriut, por nga Kosova. Ashtu si Maqedonia e Veriut, edhe Kosova ka pasur disa problematika të vogla me zjarret, por që kanë mundur t’i vënë nën kontroll. Ndërsa në Serbi, mediat nuk kanë raportuar rreziqe serioze nga zjarret. Edhe pse e ka kundërshtuar nismën “Open Balkan” dhe krerët e Prishtinës nuk kanë firmosur ndonjë marrëveshje, mbrëmjen e 9 gushtit, Kosova nisi drejt Shqipërisë 43 zjarrfikës dhe 9 mjete për të shuar flakët në malin mbi tunelin e Kalimashit. Këto ekipe zjarrfikëse nga Kosova iu bashkuan ndihmës që më herët erdhi nga Bashkimi Europian.

Refuzimi i tregut me miliona konsumatorë

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit”.

Refuzimi i institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, po bën që vendi të humbë mundësinë që t’i bashkohet një tregu më të gjerë konsumues si dhe po pamundësohen investime ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, thotë profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu. Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Tre liderët e këtyre shteteve Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev dhe Edi Rama atë botë kishin nënshkruar edhe deklaratën e “mini-Shengenit”, e cila bazohet në katër liri themelore: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Kjo nismë parasheh kalimin e kufijve të qytetarëve duke përdorur vetëm letërnjoftimin, zvogëlimin dhe eliminimin e pengesave në vendkalimet kufitare, zvogëlimin e pengesave ekonomike, rritjen e turizmit brenda rajonit, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe lehtësira tjera. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit” përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit”, është nismë pa vizion për rajonin. Kjo iniciativë, nuk po përkrahet as nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova nuk ka komoditet për politika refuzuese ndaj nismave që kanë për qëllim integrimin rajonal ekonomik. “Që nga viti 1999, me Paktin e Stabilitetit ka pasur iniciativa të njëjta që kanë pasur një qëllim: përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë në familjen evropiane. Në këtë drejtim edhe CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor) edhe Procesi i Berlinit kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Në këtë drejtim, nuk duhet të cenohet rrugëtimi në familjen evropiane, duhet të jemi pjesë e tyre. Nuk duhet të jemi të humbur”, thotë Gërxhaliu. Kosova është në një pozitë të pafavorshme në tregun rajonal. Deficiti i lartë tregtar përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Gjatë vitit 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia) arritën në 210.7 milionë euro. Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në vitin 2020 arritën në 615.3 milionë euro. Një hulumtim që ka bërë Organizata joqeveritare Demokraci për Zhvillim ka vënë në pah se në Ballkanin Perëndimor, çdo iniciativë rajonale duhet të ketë aprovimin dhe bashkëpunimin nga gjashtë shtetet, në mënyrë që iniciativat rajonale të jenë efektive. Në deklaratën e “mini-Shengenit”, sipas këtij hulumtimi, lista e katër lirive të vendosura jep përshtypjen se biznesi dhe tregtia janë prioritetet kryesore. Sipas këtij hulumtimi, kjo është problematike për Kosovën, qytetarët e së cilës ende ballafaqohen me mungesën e lirisë së lëvizjes dhe kanë shumë vështirësi për t’u pajisur me viza për të udhëtuar jashtë vendit.

Lexo edhe :  Integrimi në Bashkimin Evropian/ Rama në Mynih: Duhet të përshpejtohet tërësisht

Më shpejtë e më lehtë në tregun rajonal

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, e cila përveç tjerash do të mundësonte lëvizjen e lirë të mallrave, po mbështetet nga kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila është e shtirë me produktet e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Për kompaninë tonë do të ishte një lehtësim, pasi që do të mundësonte që në të njëjtën kohë produktet tonë t’i plasojmë edhe në Shkup edhe në Podgoricë edhe në Tiranë, pse jo edhe në Beograd, ndonëse ka paragjykime për produktet ‘Made in Kosova’. Por, edhe atje do të mundemi, pasi që jemi prezent në Sanxhak dhe Luginën e Preshevës. Do ta lehtësonte të bërit biznes duke hequr shumë barriera jotarifore. Do të mundësonte më shpejtë dhe më lehtë qasjen në këto tregje”, thotë pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi. Bashkimi i Kosovës në këto iniciativa rajonale, shton Palushi, është një rrugë që domosdoshmërish duhet ta kalojë Kosova për të qenë pjesë e integrimit në BE. Iniciativat që kanë përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas tij, në aspektin ekonomik mund të kenë dobi. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

“Mini-Shengeni”

Qeveria e Kosovës: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë

Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk mori pjesë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, që deri dje njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik. Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes. “Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zyra e shtyppit e qeverisë së Kurtit. Pas takimit të parë në Bruskel me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte propozuar që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement- Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë) sipas modelit të EFTA-EEA, marrëveshja për Zonën Ekonomike Evropiane, që bashkon në një treg të vetëm shtetet anëtare të BE-së, me tri shtetet që janë pjesë e EFTA-EEA, e që janë Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni. Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

 

Të fundit

Turqia rrit kapacitetin e energjisë diellore me 39% në më shumë se 20 gigavat

Turqia rriti kapacitetin e saj të energjisë diellore në më shumë se 20 gigavat dhe kapacitetin e saj të...

Surpriza në Kuvend/ Doli në foltore me fustan në dorë, Sula sqaroi gjestin e tij

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka shkaktuar debat të fortë në Parlament gjatë seancës së fundit, pasi ai nxori një fustan në mes...

Zgjedhjet e 11 majit, PD depoziton kërkesën në KQZ për t’u regjistruar

Partia Demokratike ka depozituar kërkesën në KQZ për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit. Po ashtu kërkesën për regjistrim e kanë depozituar edhe Partia...

E ngatërroi me Çerçiz Topullin, reagimi i Gjestit bën xhiron e rrjetit: Jezu Krishti…

Së fundmi banorët e “BBVA4” u surprizuan me disa dhurata. Për rrjedhojë ata janë shfaqur të gëzueshëm në lidhje me këto surpriza. Por momenti që po...

LaCivita: Do e çojmë PD drejt fitores

Angazhimi i bashkëmenaxherit të fushatës elektorale të Presidentit Trump, Chris LaCivita në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve të New York Times. Ata raportojnë se strategu i...

Lajme të tjera

Web TV