Nga Leonard Karaj
“Open Balkan” është kthyer në një debat rajonal, por edhe mes dy vendeve “të të njëjtit gen” siç është Shqipëria dhe Kosova. Jo me emra konkretë, Rama ka bërë përgjegjëse politikën e Kurtit dhe të Haradinajt për “mini-shengen”-in. Si e shihni këtë debat?
Debati sa politik po aq mediatik mbi “Open Balkan” është dhurata më e mirë që politika mbarëkombëtare shqiptare mund ti bënte Beogradit zyrtar. Duket fare qartë se i fituari më i madh në këtë lukuni deklaratash dhe akuzash, është Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit, me zotësi apo dinakëri, u ka futur sërish “shkopinjtë nën rrota” politikanëve tanë, duke ngrehur kësisoj të disatin debat shterpë dhe totalisht pa thelb mes Tiranës dhe Prishtinës. Duket aq ashiqare amatorizmi Rama-Kurti, në këtë debat, karshi Vuçiçit, sa edhe pas 1 shekulli, rigjen vend ajo shprehja e famshme e Fishtës se “shqiptarët janë njashtu si i don hasmi”. Po, është e vërtetë se Rama është i pari politikan që nga lindja e shtetit shqiptar që e ka thënë në mes Beogradit: “Kosova, shtet i pavarur”. Dhe këtë gjë nuk ia mohon dot askush. Por nga ana tjetër, me politikën e tij, më shumë miqësore me Vuçiçin, madje deri në vasalitet, dhe gati përçarëse me liderët kosovarë, veçse ka mbajtur gjallë nacionalizmin e sëmurë të Serbisë dhe të atyre që ende përfaqësojnë këtë linjë. Duket sikur politika shqiptare është kthyer si në kohën e Esat Pashë Toptanit, i cili të paktën sipas referencave historike, ashtu sikundër Rama sot, ka pasur një marrëdhënie shumë herë më të mirë me Beogradin, sesa me gjysmën tjetër të kombit shqiptar. Tani, a është kjo një miopi politike e Ramës, apo është një lojë për t’iu kundërvënë Europës, e cila po mban peng (dhe jo pa të drejtë në fakt), integrimin e Ballkanit Perëndimor, kjo mbetet ende për tu verifikuar. Por në çdo rast, ky lloj karshillëku, nëse nuk ka nga pas një mbështetje europianiste, apo më e pakta nga SHBA, do të ishte fatal, më së shumti për Shqipërinë dhe Kosovën. Në thelb, unë nuk jam kundër nismës së ndërmarrë, pasi llogjikisht sjell përfitime ekonomike shumë të mëdha për gjithë ballkanin. Por, përpara sesa ta shikojmë “Open Ballkan” si një dritare ekonomike fitimprurëse, do duhej që të merrej në konsideratë çështjet politike të pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe kjo nismë sipas meje do duhej të ishte shfrytëzuar edhe më mirë si nga pala kososvare, por edhe nga kryeministri Rama. Unë kam pritur që Rama të ushtronte më shumë presion pozitiv si ndaj Vuçiçit, por edhe ndaj Albin Kurtit, me qëllim që Kosova të ishte me patjetër pjesë e kësaj nisme.
Imagjinoni në të njëjtën tryezë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, të cilët do të uleshin si palë përballë njëri-tjetrit. Kjo do të thoshte në një fare mënyre edhe njohje de fakto e Kosovës nga Serbia. Pikërisht, ky fakt domethënës më bën të dyshoj se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë më shumë sesa miopi politike e Ramës, është lojë e rafinuar e Vuçiçit, i cili në rastin konkret, thjesht po i kundërvë sërish shqiptarët kundër njëri-tjetrit.
Prej katër vitesh marrëdhënia politike Tiranë–Prishtinë është në nivelin më të ulët, gati në kufinjtë e një “lufte të ftohtë”. A e dëmton kjo seriozisht çështjen kombëtare?
Më vjen keq që i kthehem sërish Fishtës, i cili thoshte: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”. Por ky është rasti tipik, kur dy kryeministra, dy kahet e kombit shqiptar, do duhej të bëheshin me çdo kusht bashkë. Në një moment të tillë, kur Kosova është sërish në qendër të vëmendjes të politikës amerikane dhe të Brukselit zyrtar, Tirara do duhej të luante një rol protagonizmi, dhe jo përjashtimi. Këtë lloj politike ka ndjekur Rama gjatë këtyre viteve të fundit, dhe jo pa qëllim kemi pasur përplasje të forta qoftë me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, qoftë me kryeministrin aktual Albin Kurti, apo edhe me presidenten Vjosa Osmani. Tani, unë e kam shumë të vështirë të besoj se që të tre këta politikanë nuk e duan të mirën Kosovës, ndërsa Edi Rama punon veçse për të ardhmen plot prosperitet të kombit shqiptar në ballkanin perëndimor. Po, ka një të vërtetë sipas meje në këtë mes dhe kjo ka të bëjë me narçizimin e sëmurë të kryeministrit tonë. Rama kërkon me çdo kusht që të jetë protagonist absolut mes shqiptarëve. Të jetë ai që të mbahet mend si “arkitekti i shqiptarëve” në këtë nismë, dhe këtë çmim virtual nuk do dëshironte për asgjë në këtë botë, që ta ndante me një tjetër shqiptar, cilido qoftë ai. Dhe sigurisht nga ana tjetër, kjo lloj politike përçarëse dëmton seriozisht çështjen kombëtare, pasi vetvetiu serbët konsiderojnë si palë vetëm Shqipërinë, duke anashkaluar totalisht Kosovën, të cilën teorikisht, apo në ëndërra, vijojnë ta shohin si territor të tyre. Dhe në këtë deduksion po jep një ndihmë edhe Edi Rama.
Për një nismë kaq të rëndësishme a duhet që më parë të unifikojë qëndrimin politik Kosovë-Shqipëri dhe më pas të nënshkruhej ose jo kjo nismë rajonale?
Qëndrimi i unifikuar Shqipëri-Kosovë do duhej të ishte çështja e parë dhe më e rëndësishmja mes Ramës dhe Kurtit. Çfarë interesi, qoftë edhe ekonomik, do të kishin shqiptarët, nëse në kahun tjetër gjysma e kombit nuk do të përfitonte asgjë?! Sipas mendimit tim “Open Ballkan” ishte/është rasti ideal që shqiptarët të faktorizoheshin edhe më shumë. Por për ta bërë këtë gjë duhej më shumë lagpamësi nga politika dhe natyrisht edhe ndërmarrje të vendimeve përtej interesit personal.
Një ditë pas reagimit të Ramës për sulmet ndaj si “tradhëtar”, reagoi edhe qeveria gjermane nëpërmjet zëdhënësit të saj. A është ky një presion për t’u përfshirë Kosova në këtë marrëveshje rajonale? Dhe përse Kosova zyrtare e konsideron “devijim të rrugës drejt BE-së”?
Unë nuk besoj se Kosova nuk dëshiron që të marrë pjesë në këtë nismë. Ndaj afërmendsh që nuk e kuptoj fare qëndrimin e zëdhënësit gjerman. Albin Kurti gjithnjë ka thënë se është pro lëvizjes së lirë ekonomike, por sigurisht, Kosova duhet të ketë pozicionin e vet si një shtet i pavarur sikundër është, çka nuk përtypet lehtë nga Serbia. Unë nuk e di sesi do të afrohej më shumë njohja e Kosovës nga Serbia, sikundër deklaroi para pak ditësh kryeministri Rama, kur Vuçiçi, në mënyrën sesi po ravijozoihet “Open Ballkan”, natyrisht edhe me bekimin dhe ndihmën e Ramës, konsideron si palë vetëm Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe tjetra, në rast se qenkësh e vërtetë se “Open Ballkan” është i hapur edhe për Kosovën, atëherë përse në takimin e Shkupit nuk iu dërgua ftesë zyrtare Prishtinës? Po, kur takimi i radhës do të mbahet në Beograd, a do të ketë ftesë Albin Kurti që të marrë pjesë si kryeministër i Kosovës? Unë besoj se as në rastin e Shkupit dhe as kur takimi i radhës do të organizohet në Beograd, qeveria e Kosovës nuk do të ftohet në këtë nismë. Dhe arsyeja është fare e lehtë për t’u kuptuar: politika përjashtuese e Beogradit gjen strehë fatkeqësisht edhe në Tiranë.