Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘The Sunday Times’ u shpreh se ende nuk ka një mënyrë që t’i transportojnë njerëzit nga auroporti, madje dhe shtetet e mëdha duken të çrregullta. Kjo mungesë koordinimi është dhe një nga arsyet se pse po vonon ardhja e refugjatëve afganë në vendin tonë. Kreu i qeverisë ka kritikuar edhe vendet e evropës që sipas tij luftën e kanë parë nga fuilmat, ndërsa shqiptarët kanë përjetuar regjimin komunist dhe emigrimin.
Kryeministri Edi Rama është bërë protagonist i mediave ndërkombëtare, pas vendimit për strehimin e refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Në një intervistë për ‘The Sunday Times’, kreu i qeverisë ka folur për vonesën e ardhjes së refugjatëve afganë, ku tha se evakuimi nuk po ndodh siç ishte planifikuar. Rama tha se në Afganistan nuk ka një koordinues dhe se nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh për evakuimin dhe secili shtet po punon për veten. Kryeministri thotë se ende nuk ka një mënyrë që t’i kalojnë njerëzit, madje dhe shtetet e mëdha duken të çrregullta. Kjo mungesë koordinimi është dhe një nga arsyet se pse po vonon ardhja e refugjatëve afganë në vendin tonë. “Duket se nuk ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten! Shumë shtete po kërkojnë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk e dinë kujt t’i drejtohen. Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk je një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullta. Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar”, tha Rama. Kreu i qeverisë ka deklaruar më tej për gazetën britanike se shqiptarët ishin afganët 30 vite më parë, ndërsa u përpoqën që t’i shpëtonin regjimit të asaj kohe. Rama tha ai ndjen përgjegjësisë e tij për t’i strehuar, duke shtuar se ne si vend kemi pasur luftën në derë dhe se kemi parë njerëz të vrarë. “Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane“, tha ai, duke shtuar se “për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë. Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë”, tha Rama. ‘The Sunday Times’ i rikthehet sundimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, ku thekson se për dekada shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal dhe vendi u bë më i varfri dhe më i izoluari në Evropë. Kur regjimi komunist ra në 1990, pesë vite pas vdekjes së Hoxhës, vendi u kap nga valët e trazirave dhe dhunës. “Për ne është shumë e qartë”, tha Rama. “Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë! Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, shtoi ai. Në një intervistë të mëparshme kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pritet të mbërrijnë rreth 1000 afganë, teksa hodhi poshtë çdo mundësi strehimi në kampe të krijuara posaçërisht për ta, pasi sipas tij do të ishte çnjerëzore. Konviktet në Qytetin Studenti kanë gati 1200 shtretër, ndërsa grupi i parë i afganëve që do të vijnë do të jetë prej rreth 300 personash. Përveç Tiranës dhe Durrësit, edhe Berati do të hapë dyert për të pritur afganët. Në Tiranë do shërbejnë konviktet e Qytet Studentit si strehë për bashkëpunëtorët e perëndimit në Afganistan, në Durrës do të jenë hotelet, teksa në Berat do të vendosen në hotel “Colombo”, ish-universiteti “Ufo”. Shqipëria është në mesin e 12 vendeve që kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë. Kurse të paktën 14 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit. Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë për shtyp. Blinken tha se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë. Vendimi i Shqipërisë për të strehuar qindra afganë, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët, ka gjetur mirënjohjen e SHBA-së. Edhe diplomatja Yuri Kim, Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright shprehën një zëri se janë krenar që Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-së, pasi në raste të rëndësishme populli shqiptar gjendet gjithmonë pranë amerikanëve për shpëtimin e jetëve.
Ku do të shkojnë afganët? Disa vende i mirëpresin, të tjerë i refuzuan
Irani, i cili ndan një kufi prej 900 km me Afganistanin ka ngritur tenda emergjence dhe shprehet i gatshëm të presë refugjatë. Por ministria e Brendshme e ka theksuar qartë, se menjëherë pas përmirësimit të situatës të gjithë duhet të riatdhesohen. Pakistani fqinj duket se do t’i mbajë të mbyllura dyert. Autoritetet thonë se nuk kanë më kapacitete, pasi u duhet të përballen me fluksin prej 3 milionë refugjatësh afganë që gjenden atje. Edhe pse pikat kufitare kanë mbetur të hapura, Islamabadi po përgatit një strategji për të izluar emigrantët në kampe të përkohshme pranë kufirit. Greqia ka ndërruar një mur prej 40 km përgjatë kufirit me Turqinë për të frenuar një valë të re emigracioni si ajo e 2015, epo ashtu Turqia që ka mbajtur barrën e refugjatëve për vite me radhë, po ndërton tani një mur me Iranin. Britania e Madhe njoftoi planet për të pritur 20 mijë afganë gjatë viteve në vazhdim si pjesë e një programi sistemimi që do t’i japë prioritet grave, vajzave dhe komunitetit fetar. Kanadaja gjithashtu do të strehojë 20 mijë vetë, duke i dhënë përparësi komuniteteve pakicë. Australia e bëri të qartë se nuk ka në plan të lejojë mijëra afganë në vend, një qëndrim ky i ndarë edhe nga Zvicra që refuzon strehimin e grupeve të mëdha. Leja e qëndrimit do të mund t’u jepet atyre që përballen me rrezik serioz për jetën. Austria është më kategorike në refuzimin e saj dhe mbështet krijimin e qendrave të deportimit dhe sistemimin e emigranteve pranë vendit të origjinës. Shtetet e Bashkuara strehojnë tashmë 15 mijë afganë dhe po bëjnë gati 3 baza ushtarake po përgatiten për akomodimin e mbi 10 mijë të tjerëve. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të hapin dyert për shtetas afganë që kanë punuar për SHBA, në pritje të shqyrtimit të vizave të posaçme në SHBA, skema të ngjashme po planifikohen me Kolumbinë, Ugandën dhe Katarin
Bler: Amerika gaboi me tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani
Ish Kryeministri i Britanisë të Madhe Tony Blair tha se tërheqja e papritur e amerikanëve vuri në rrezik gjithçka që arritën forcat perëndimore në Afganistan. Ndërsa kryeministri britanik aktual Boris Johnson ka thirrur një takim urgjent të udhëheqësve të G7 për të diskutuar krizën në Afganistan
Ish -kryeministri britanik Toni Bler i cili dislokoi trupa në Afganistan 20 vjet më parë tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga vendi “ka gëzuar çdo grup xhihadist në të gjithë botën”. Blair ka thënë më 21 gusht se Rusia, Kina dhe Irani do të “përfitojnë” nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste. Blair i ka bërë këto komente në një deklaratë të publikuar në faqen e tij Fondacioni Tony Blair për Ndryshime Globale. “Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat”, ka vlerësuar ai në komentet e para publike rreth krizës, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi. Ai ka shtuar se “pyetja që duhet bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se ‘a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?”. “Si lider i shtetit tonë, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talibanët nga pushteti – e kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën – e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësive dhe sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv”, ka thënë Bler. Ai i ka bërë thirrje Perëndimit “që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi – ata afganë që na kanë ndihmuar, kanë qëndruar afër nesh dhe kanë të drejtë të kërkojnë që t’iu qëndrojmë afër”. Tony Blair tha se tërheqja e papritur vuri në rrezik gjithçka që arritën forcat perëndimore në Afganistan, duke përfshirë përparimet në standardet e jetesës dhe edukimin e vajzave. Në një ese të postuar në faqen e tij të internetit të shtunën vonë, Blair akuzoi Presidentin amerikan Joe Biden se po “vepronte sipas një slogani politik të palogjikshëm për përfundimin e luftërave të përjetshme”. Gjatë dekadës së tij si kryeministër, Blair gjithashtu mbështeti luftën e udhëhequr nga SHBA në Irak. Reputacioni i tij në Mbretërinë e Bashkuar u dëmtua pasi atje nuk u gjet asnjë armë e shkatërrimit.
Jonson
Kryeministri britanik Boris Johnson tha se ka thirrur një takim të udhëheqësve të G7 të martën për të diskutuar krizën në Afganistan dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të gjejë mënyra për të parandaluar përshkallëzimin e saj. “Është jetike që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku për të siguruar evakuime të sigurta, për të parandaluar një krizë humanitare dhe për të mbështetur popullin afgan për të siguruar fitimet e 20 viteve të fundit,” tha Johnson të dielën në Tëitter.
Pentagoni
Pentagoni ndërkohë tha të dielën se po kërkon zyrtarisht ndihmë nga linjat komerciale ajrore për të zhvendosur të evakuuarit nga Afganistani pasi të kenë dalë nga vendi i tyre. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka aktivizuar fazën fillestare të programit të Flotës Ajrore të Rezervës Civile, duke kërkuar 18 avionë: tre avionë nga secila linjë ajrore American Airlines, Atlas Air, Delta Air Lines dhe Omni Air; dy nga Haëaiian Airlines; dhe katër nga United Airlines. Sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby tha se Departamenti nuk parashikon ndonjë ndikim të madh në fluturimet komerciale nga ky aktivizim. Sipas zotit Kirby, ata avionë nuk do të fluturojnë në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul por do të përdoren për të lëvizur udhëtarët nga pikat e tjera sapo të largohen nga Kabuli, duke lejuar ushtrinë amerikane të përqëndrohet në pjesën e evakuimit në Afganistan.
Talibanët qëllojnë në ajër për të kontrolluar turmën në aeroportin e Kabulit
Talibanët qëlluan në ajër dhe përdorën shkopinj gome për t’i bërë njerëzit të viheshin në radhë jashtë aeroportit të Kabulit ditën e dielë, një ditë pasi shtatë persona u vranë nga shtypja e njerëzve në hyrje të tij. Të dielën, nuk pati lëndime të mëdha pasi persona të armatosur mposhtën turmat dhe vendosën njerëzit në radhë të gjata, thanë dëshmitarët. Ministria britanike e Mbrojtjes tha se shtatë afganë u vranë nga përplasja pranë aeroportit të shtunën ndërsa mijëra njerëz përpiqen të dëshpëruar të largohen, një javë pasi grupi militant islamik mori kontrollin e vendit. Pamjet e ushtarëve që qëndronin mbi murin e aeroportit të shtunën treguan se ishin duke u përpjekur të nxirrnin të plagosurit dhe spërkatnin turmën me ujë për t’i parandaluar të dehidratohen nga temperaturat e nxehta. “Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt”, tha ministria në një deklaratë. Afganët në panik janë përpjekur të largohen jashtë vendit, nga frika e hakmarrjes dhe vendosja e një versioni të ashpër të ligjit islam, të cilin grupi mysliman suni e ushtroi kur ishte në pushtet dy dekada më parë. Udhëheqësit e talebanëve, të cilët kanë kërkuar të tregohen më të moderuar që kur morën Kabulin të dielën e kaluar, kanë filluar bisedimet për formimin e një qeverie. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të huaja përfshirë Britaninë kanë dërguar disa mijëra trupa për të menaxhuar evakuimet e shtetasve të huaj dhe afganët e kërcënuar, por kanë qëndruar larg zonave jashtë aeroportit.