Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se miratimi i dozave përforcuese të Covid-19 duhet të shtyhet. Sipas tij, duhet të përfundojë një herë vaksinimi i popullatës botërore
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se miratimi i dozave përforcuese të Covid-19 duhet të shtyhet pasi duhet t’u jepet përparësi rritjes së normave të vaksinimit në vendet ku vetëm 1% ose 2% e popullsisë është vaksinuar. Nëse normat e vaksinimit nuk rriten në nivel global, mund të krijohen variante të reja prandaj është e nevojshme që dozat përforcuese të dhurohen në vendet me normat më të ulëta të vaksinimit. “Përveç kësaj, ka një debat nëse dozat përforcuese janë efektive.Personat me sistem të dobët imunitar duhet të marrin një dozë përforcuese, pavarësisht se ata përfaqësojnë vetëm një përqindje të vogël të popullsisë”, tha Ghebreyesus në një konferencë shtypi me ministrin e jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.Sipas të dhënave nga OBSH nuk nevojiten doza përforcuese dhe se personat më të rrezikuar duhet të vaksinohen plotësisht para se vendet me të ardhura të larta të miratojnë dozën e tretë. Ndërkohë Hungaria tashmë ka filluar të vaksinojë njerëzit me një dozë të tretë.
SHBA
Dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID -19 do të bëhen të disponueshme gjerësisht për amerikanët duke filluar nga 20 shtatori, thanë të mërkurën zyrtarët amerikanë të shëndetësisë, duke cituar të dhëna që tregojnë një zvogëlim të mbrojtjes nga vaksinimet fillestare ndërsa infeksionet rriten nga varianti Delta. Zyrtarët amerikanë do të ofrojnë një dozë të tretë për amerikanët që morën vaksinimin fillestar të vaksinave me dy doza COVID-19 të Modernës dhe Pfizerit Inc të paktën tetë muaj më parë, tha në një deklaratë Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. “Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga variantet e reja që mund të shfaqen”, u tha Presidenti amerikan Joe Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo do t’ju bëjë më të sigurt për një kohë më gjatë. Do të ndihmojë në përfundimin më të shpejtë të kësaj pandemie”, tha Presidenti. Qeveria amerikane pret që të japë 100 milionë doza shtesë falas në rreth 80,000 qendra në mbarë vendin, tha Presidenti Biden. Dozat përforcuese fillimisht do t’u jepen amerikanëve që morën vaksina me dy doza, por zyrtarët thanë se ata parashikojnë që personat që kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson, të autorizuar në Shtetet e Bashkuara në shkurt, gjithashtu do të kenë nevojë për dozë përforcuese. “Duhet të dalim përpara virusit” u tha gazetarëve Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden. “Nëse presim të ndodh diçka e keqe para se t’i përgjigjemi situatës, do të kuptonim se jemi shumë prapa asaj që mund të bënim”, tha Fauci.
Parandalimi i Covid 19, AstraZeneca po punon për terapinë me antitrupa
Të dhënat nga testimet e bëra nga kompania AstraZeneca kanë shfaqur mundësitë për një trajtim të ri që do të parandalonte sëmundjen COVID-19, të shkaktuar nga koronavirusi, përtej vaksinës, duke u dhënë kështu shpresa personave që kanë reagim të dobët ndaj imunizimit me vaksina. Kompania farmaceutike britanike tha se terapia e re e saj me antitrupa, e ka ulur rrezikun që personat të shfaqin simptoma të COVID-19 deri në 77 për qind, sipas testimeve në faza të avancuara. Mënyra se si funksionojnë vaksinat është se ato mbështeten te një sistem i mirë imunitar për të krijuar një arsenal të antitrupave të targetuar dhe qeliza që e luftojnë infeksionin.
PD: Përdorimi i vaksinave të paçertifikuara nga EMA po penalizon shqiptarët
Zheni Gjergji, deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike shkruan në “Facebook” se përdorimi i vaksinave të parcertifikuara nga EMA po penalizon lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sipas deputetes së zgjedhur të PD, “Shqiptarët meritojnë më shumë sesa një qasje të korruptuar të sistemit të shëndetësisë dhe vaksinimit. Shqiptarët meritojnë dinjitet dhe liri udhëtimi”. Duke ju referuar informacioneve zyratre, Gjergji thotë se Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) nga 20 gushti do të pranojë çertifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të Maqedonisë së Veriut. “Ndërsa Shqipëria për shkak të procesit të vaksinimit jo serioz dhe korrupsionit të përhapur në sistemin e Shëndetësisë, si edhe hyrjes së virusit të rryfshetit për të bërë vaksinën e sigurt “Pfizer” është jashtë vëmendjes”, ka shkruar në rrrejtin social “Facebook” deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike. Sipas saj, përdorimi i vaksinave të paçertifikuara nga EMA në popullatë, ka dalë jashtë rregullave të BE. Sipas saj, këto vaksina po penalizon pranimin e çertifikatës së gjelbër (green pass) që lejon lëvizjen e lirë, në zonën Shenghen. “Shqiptarët meritojnë më shumë sesa një qasje të korruptuar të sistemit të shëndetësisë dhe vaksinimit. Shqiptarët meritojnë dinjitet dhe liri udhëtimi”, shkruan ajo.
Pfizer, e para vaksinë që merr licensë të përhershme
Vaksina ishte autorizuar për përdorim urgjent që nga dhjetori dhe më shumë se 204 milionë vetë në Shtetet e Bashkuara e kanë bërë atë. Por asnjë nga tre vaksinat e autorizuara për COVID-19 nuk kishte marrë deri tani miratimin e plotë të FDA-së.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dha miratimin e plotë për vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga kompania Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech për përdorim tek personat mbi moshën 16 vjeç, miratimi i parë përfundimtar për një vaksinë të tillë. Vaksina ishte autorizuar për përdorim urgjent që nga dhjetori dhe më shumë se 204 milionë vetë në Shtetet e Bashkuara e kanë bërë atë. Por asnjë nga tre vaksinat e autorizuara për COVID-19 nuk kishte marrë deri tani miratimin e plotë të FDA-së. Zyrtarët e shëndetit publik shpresojnë se ky hap do të bindë më shumë amerikanë të pavaksinuar se vaksina Pfizer është e sigurt dhe efektive. Hezitimi për t’u vaksinuar mes një numri amerikanësh ka penguar luftën e Shteteve të Bashkuara ndaj koronavirusit. “Megjithëse miliona njerëz e kanë marrë tashmë në mënyrë të sigurt vaksinën për COVID-19, duhet ta pranojmë se për disa, miratimi përfundimtar nga FDA tani mund të nxisë më shumë besim për t’u vaksinuar,” tha Janet Ëoodcock, drejtuesja në detyrë e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave. Afro 51% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht deri më tani, por një rritje e infeksioneve e nxitur nga varianti ngjitës Delta ka prekur pjesë të vendit me norma të ulëta vaksinimi./VOA
Të dhëna të përgjithshme për vaksinën
Deri më tani janë aprovuar disa lloje të vaksinave kundër COVID-19, të cilat janë të përshtatshme për mbrojtje individuale kundër COVID-19, si dhe mundësia më e mirë për të luftuar pandeminë. Vaksina Pfizer BioN/Tech kundër COVID-19 është vaksinë mRNA (messenger RNA). Pjesa mRNA e udhëzon qelizën që të prodhoj proteina të antigjenit S (një pjesë e majave proteinike që janë unike për SARS-CoV-2) të nxisë përgjigje imunitare. Efikasiteti i treguar në testet klinike tek pjesëmarrësit me apo pa dëshmi të infektimit të mëparshëm me SARS-CoV-2, dhe të cilët kanë marrë dozën e plotë të vaksinës (2 doza), është rreth 95%, duke u bazuar në përcjellje mesatare deri në dy muaj. Efikasiteti në parandalimin e sëmundjes së rëndë prej COVID-19 (për shembull, shtrimi në spital), ishte rreth 85%. Kjo do të thotë se nëse një person që është vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 bie në kontakt me patogjenin, mundësia që të mos sëmuret është shumë e lartë. Ende nuk dihet se për sa kohë zgjatë kjo mbrojtje pasvaksinale prandaj edhe nëse personi është i vaksinuar komplet përsëri është e nevojshme që të vazhdohet me zbatimin e masave parandaluese që të mbronë veten dhe të tjerët. Ende nuk mund të thuhet me siguri nëse personat që janë komplet të vaksinuar mund ta përhapin apo jo virusin (SARS-CoV-2). Vaksina duhet të administrohet me dy doza në intervalin e rekomanduar prej 21-28 ditë. Nëse doza e dytë aksidentalisht administrohet më herët se 21 ditë, atëherë vaksina nuk ka nevojë të përsëritet. Në rast të kufizimeve në furnizim, doza e dytë nuk duhet të shtyhet më shumë se 42 ditë (6 javë). Mbrojtja fillon afërsisht 2 deri në 3 javë pas dozës së parë të vaksinës kundër COVID-19. Personat e vaksinuar mund të mos jenë plotësisht të mbrojtur deri në 14 ditë pas administrimit të dozës së dytë. Dy javë pas dozës dytë personi është i imunizuar plotësisht. Të dy dozat janë të nevojshme për mbrojtje.
Varianti “Delta”. Cenko: Të kthehen menjëherë maskat në ambiente të hapura dhe të mbyllura
Rritja e numrit të të infektuarve nga varianti “Delta”, duke se ka vënë mjekët në pikëpyetje për riktjimin e masakave në ambient të hapur dhe të mbyllura. Mjeku epidemiolog Fabian Cenko thotë se vaksinimi është një instrument mbrojtës ndaj COVID, por ne duhet që t’i rikthehemi sërish disa masave bazë për parandalimin e përhapjes së COVID, siç janë distancimi social dhe vendosja e maskave në ambientet e mbyllura dhe publike. Duke e konsideruar vaksinimin kundër COVID, si një “instrument” mbrojtës dhe parandalues ndaj koronavirusit, Cenko tha se nuk duhet të mjaftohemi vetëm me vaksinimin, por duhet të rikthehen me urgjencë masat mbrojtëse. Kjo sipas tij, kombinuar dhe me vaksinimin kundër COVID, do të frenojë përhapjen e virusit dhe parandalimin e rasteve fatale. “Vaksinimi vijon të jetë një instrument që është konsideruar si një armë mbrojtëse parandaluese. Duke qenë se ka persona që nuk mund të vaksinohen për arsye të tjera shëndetësore, parandalimi i variantit Delta, që është shumë i transmetueshëm, nuk duhet të mjaftohet vetëm me vaksinën. Por sistemet shëndetësore në bashkëpunim me autoritetet, duhet t’i japin një rikthim të rëndësishëm dhe masave të tjera mbrojtëse siç është distancimi social si dhe përdorimi i maskave mjekësore në ambiente të mbyllura dhe publike. Këto masa duhet të rikthehen me emergjencë”, ëhstë shprehur mjeku epidemiolog. Sipas tij, personat e vaksinuar mund ta trasmetojnë virusin. “Personat e vaksinuar mund ta transmetojnë sëmundjen që do të thotë se vaksinimi nuk mjafton, por duhet të shoqërohet edhe me masa të tjera shtesë për të frenuar infeksionin. Përdorimi i maskave mjekësore, pasi janë barriera efikase për transmetimin e virusit. Masat që duhet të merren duhet të jenë të provuara dhe që ndikojnë në uljen e rasteve të reja. T’u rikthehemi masave anto-Covid. Unë mendoj se të gjithë personat që kanë një imunitet të ulët janë të rrezikuar që të infektohen në momentin që nuk janë vaksinuar”, tha Cenko. Teksa iu referua rritjes së rasteve me COVID gjatë ditëve të fundit, mjeku Cenko i lidhi shifrat me përhapjen e variantit të ri, Delta, ku tha se e transmeton virusin dy deri në tre herë më lartë. Mjeku tha se vaksinimi kundër variantit Delta, megjithëse nuk parandalon shenjat klinike, është mjaft efikas në format e hospitalizuara dhe rastet fatale. “Qarkullimi dhe dominimi i variantit Delta, ka një shkallë transmetueshmëri dy deri në tre herë më të lartë. Varianti Delta e transmeton virusin shumë herë më shpesh. Ky trend rritje rastesh i dedikohet variantit Delta. Varianti Delta nuk është përgjegjës i formave klinike më të rënda sesa variantet e mëparshme. Vaksina në këtë variant, edhe nëse nuk parandalon shenjat klinike në një përqindje të caktuar është mjaft efikase në format e hospitalizuara dhe rastet fatale”, tha Cenko.