Masakra e Qafë-Valmirit, terrori që ‘bëri zap’ Mirditën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekzekutimi i 14 burrave dhe internimi i 300 familjeve në shenjë hakmarrjeje pas vrasjes në pritë të Bardhok Bibës

Ajo njihet si Masakra e Qafë-Valmirit. Nga më të përgjakshmet e ndodhura pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. 14 burra, përfaqësues të dyerve më të mëdha e të më shquara të Mirditës u varën ose u pushkatuan. Reprezalja nuk u ndal me kaq. U burgosën afro 500 burra të tjerë. 300 familje u internuan. Mirdita ishte një ndër zonat që nuk iu nënshtrua lehtë regjimit të ri që u vendos në Shqipëri, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë regjimi u mundua ta mbyste në këtë krahinë veprimtarinë që ishte në kundërshtim me idetë e së majtës bolshevike. Por si nisi e gjitha kjo?

Vrasja në pritë

Dy javë më parë, ishte vrarë në pritë Bardhok Biba. Ai ishte veprimtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, ish-partizan dhe deputet në Kuvend. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, në nëntor 1944, u emërua komisar i Komandës Veriore në Mirditë. Mbi të binin të gjitha organizimet e gjyqeve politike, internimet, shkeljet e zakoneve etj. Për këtë shkak, u bë ndër njerëzit më të padëshiruar të qëndresës antikomuniste që vepronte në Mirditë. Më 2 mars 1947 hyri në Kuvendin Popullor si deputet zëvendësues, në vend të Kolë Prelës, të pushkatuar si “armik i pushtetit popullor”. Është periudha kur Bardhok Biba merret gjerësisht me Mirditën ku kishte arritur që përmes një kuvendi unikal të pajtimit të gjaqeve, të krijohej mundësia e faljes së mbi 500 gjaqeve. Më 1 gusht 1949 në Shqopën të Munegjës, në Mirditë, u bë një mbledhje e Nënkomitetit Krahinor të Maleve, në përfundim të të cilit Ndue Pjetër Gjomarkaj ishte zgjedhur kryetar. Mbledhja vendosi vrasjen e Bardhok Bibës. Organi i shpagimit u vendos në vendin e pritës në të dalë të Kaçinarit, ku Biba kishte mbajtur një konferencë. Në orën 14:00 Bardhok Biba mbeti i vrarë, i qëlluar me 2 plumba. U plagosën dy shoqëruesit e tij dhe mbi trupin e viktimës u la vendimi i Nënkomitetit Krahinor. I gjithë grupi që kreu vrasjen u largua po atë ditë drejt Jugosllavisë.

Lexo edhe :  Maj 1915/ Lufta kundër Austro-Hungarisë, Italia i bashkohet Britanisë, Francës dhe Rusisë

Reprezalja

Dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, Brigada e Mbrojtjes së Popullit, e dislokuar në Qafë-Shtamë, arrestoi 300 persona brenda pak orësh. Gjithë Mirdita u përshkua nga terrori, dhe si masa arbitrare ndëshkimore u jetësua ajo çka u njoh më pas si Masakra e Qafë-Valmirit, ku dhe ishte vrarë Bardhok Biba. U dhanë dënime me varje e pushkatim për njerëz që nuk kishin fare lidhje me vrasjen.

Masakra e Qafës së Valmirit u krye në prani të afro 2500 mirditorëve, (gra dhe burra), ku u ekzekutuan 14 burra, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 të tjerë u pushkatuan, ndërsa tre të tjerë ishin të planifikuar edhe ata për t’u pushkatuar, por shpëtuan përkohësisht dhe dhanë shpirt në burgjet e diktaturës, si rezultat i keqtrajtimeve.

Masakra e Qafë-Valmirit qe një vepër e regjimit komunist në Shqipëri në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Bardhok Bibës.

Ekzekutimet

Pas një gjyqi formal të kryesuar nga Bilbil Klosi, të dënuarit u ekzekutuan më 17 gusht 1949:

Preng Ded Kola, Orosh, varet në litar.

Pjetër D. Vila, Kaçinar, varet në litar.

Dodë Mark Biba, Kthellë e Epërme, varet në litar.

Pjetër Paloka, Kaçinar, varet në litar.

Nikollë Bardhok Bajraktari, Rrëshen, pushkatohet.

Llesh Gjon Mëlyshi, Malaj, pushkatohet.

Nikoll Llesh Bajraktari, Orosh, pushkatohet.

Ndrecë Mark Ndoj, Kaçinar, pushkatohet.

Bardhok Dodë Gjini, Prosek, pushkatohet.

Gjok Gjin Kaçi, Bukmirë, pushkatohet.

Gjergj Beleshi, Kthellë e Epërme, vritet për të vëllain, Dodën.

Ndoc Gjet Cupi, Blinisht, pushkatohet.

Preng Shkurt Nikolli, Orosh, pushkatohet.

Frrok Mata, Kaçinar, pushkatohet.

“Martirë të Demokracisë”

Viktimat e kësaj masakre nga viti 1993 janë shpallur “Martirë të Demokracisë”. Dekreti i presidentit të Republikës nr. 631 mban këtë motivacion: “Atdhetarë me shpirt e veprimtari, aktivistë të vendosur e mbështetës të shquar të luftëtarëve të maleve shqiptare kundër diktaturës komuniste. Të ekzekutuar në shenjë hakmarrje nga terrorizmi i kuq, emri i tyre mbetet në altarin e demokracisë shqiptare.”

Në 21 qershor 2017 presidenti Bujar Nishani të 14 martirëve të demokracisë u ka dhënë “Dekoratën e artë të Shqiponjës”.

 

Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

“Moto Fest Shkodra 2025”, tri netë adrenalinë, muzikë dhe spektakël motorësh

“Moto Fest Shkodra 2025” ka dhuruar spektakël dhe adrenalinë në Shkodër për tre netë me radhë. Rreth 200 të pasionuar...

“11 maji, farsë politike”, Partia e Lirisë: Të hetohet çdo rast i shkeljes së ligjit

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit, një farsë politike,...

Turi i 82-të çiklistik/ Policia publikon planin e masave, ja rrugët që bllokohen

Turi i 82 çiklistik i Shqipërisë starton ditën e nesërme, i ndarë në 5 etapa. Në kuadër të këtij turi, policia ka bërë të ditur...

Emigracioni i paligjshëm drejt Britanisë, me jahte luksoze

Raportet për udhëtime të rrezikshme, të cilat shpesh rezultojnë fatale për migrantët e parregullt , janë gjithashtu të shpeshta në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave zyrtare,...

‘Një krizë ekzistenciale’/ A do të mbijetojnë universitetet nga ChatGPT?

Ishte shtatori i vitit 2023 kur avokati Rhys Palmer mori telefonatën e parë nga një student i universitetit, i alarmuar, i akuzuar se kishte...

Lajme të tjera

Web TV