Kosovë/ Revoltë e domosdoshme për ndaljen e vrasjes së grave 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rreth 48 orë të dhunës fizike e psikike dyshohet se i parapriu vrasjes së vajzës 18-vjeçare M.O nga Ferizaj më 22 gusht. Partneri i saj, D.K dhe i dyshuari tjetër A.S janë arrestuar nga policia si të dyshuar për këtë vrasje. Që të dy, e kishin sjellë të ndjerën, pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Kjo ngjarje në Kosovë nxiti reagim shoqëror e institucional, ndërkaq aktivistë e qytetarë të martën protestuan para objekteve të institucioneve të rendit në Ferizaj. “Mos e normalizoni vrasjen e grave” dhe “Nuk ju durojmë më”, ishin disa nga parullat e protestës që u përcollën me hedhje të ngjyrës së kuqe dhe vezëve në drejtim të objekteve të institucioneve të gjykatës, policisë e prokurorisë. Protestës në Ferizaj iu bashkua edhe bashkëmoshatari i të ndjerës dhe kryetari i Kuvendit të të Rinjve në Ferizaj, Lorik Krasniqi i cili inkurajoi që burrat t’i bashkohen revoltës për këtë çështje.

“Na ka prekur thellësisht rasti i vrasjes së rëndë të bashkëmoshatares tonë, e cila nuk është e para, por shpresojmë që do të jetë e fundit”, tha ai. Protesta e revolta në rrugë kundrejt vrasjes së grave në Kosovë po shihet si reagim i pashmangshëm ndaj fenomenit, ndërsa aktivistët thonë se parandalimi i këtyre vrasjeve duhet të vijë me veprim të domosdoshëm shoqëror e institucional. Deri në qershor të vitit 2021, sipas Policisë së Kosovës u shënuan dy raste të vrasjes së grave, ndërsa në vitin 2020 ishin vrarë shtatë gra. Sipas të dhënave vetëm deri në qershor të vitit 2021 u shënuan 1.132 raste të dhunës në familje, 1.063 viktima nga këto raste ishin gra.

RrGK: Faji te mendësia patriarkale dhe neglizhenca institucionale

Sistemi arsimor, mentaliteti shoqëror e deri te mendësia patriarkale që reflekton në veprimet institucionale janë problemet zinxhirore, që sipas aktivistëve, po e tolerojnë fenomenin e dhunës ndaj grave. Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç se fenomeni i dhunës është shqetësues, fshehja e rasteve nga viktimat, vazhdon të jetë e shpeshtë. “Ne e dimë që fatkeqësisht realiteti është edhe më i hidhur sepse shumë gra edhe nuk e raportojnë dhunën që e përjetojnë. Në këtë ka ndikuar mendësia jonë patriarkale sepse burrat forcën e shfrytëzojnë për t’i mbajtur gratë e shtypura”, tha ajo. Sipas Berishës edhe në institucionet shpesh vërehet se “më përpara tentohet të fajësohet viktima sesa të dënohet shkaktari i dhunës dhe vrasjes”. Sipas të dhënave që Prokuroria e Ferizajt i ka bërë të ditur, njëri nga të dyshuarit për vrasjen e vajzës në Ferizaj ishte i dyshuar edhe për disa vepra penale të mëhershme. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo premtoi angazhim në drejtim të parandalimit të dhunës ndaj grave. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Haxhiu pranoi që ekziston neglizhencë nga institucionet karshi këtyre rasteve. “Unë besoj që deri më tani kemi parë një mosveprim prej institucioneve të drejtësisë në raste të tilla, duke i neglizhuar, injoruar e paragjykuar rastet. Kjo duhet të marrë fund dhe si ministre e Drejtësisë do të angazhohem çdo ditë që kjo situatë të ndryshojë”, tha ministrja Haxhiu. Arrita Rezniqi nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se neglizhenca institucionale në këto raste që nga inicimi përcillet edhe në sistemin gjyqësor. “Përkundër që do duheshin të trajtoheshin me prioritet, jo çdo herë trajtohen kështu, por zvarriten. Pastaj, viktimat mbërrijnë në atë stad që në shumicën e rasteve nuk i besojnë institucioneve dhe vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin”, tha ajo. Sipas saj, “në këto raste asnjëherë nuk është arritur qëllimi i dënimit dhe shpesh nuk ka pasur dënime meritore nga gjykatat”.

Lexo edhe :  Opozita premton ndryshim/ Kosovë, vazhdon fushata zgjedhore. VV luan me nacionalizmin

“Është luftë që i takon edhe burrave”

Në mesin e dënimit publik të dhunës ndaj grave, aktivistët kanë kërkuar dënime maksimale për të gjithë personat që kryejnë këto vepra. Por, përveç kësaj, aktivistja Adelina Berisha thotë se ky fenomen nuk mund të eliminohet pa angazhimin edhe të burrave në parandalim dhe luftim të kësaj dukurie. “Revolta po ndodh prej nesh sepse ne nuk mundeni të tolerojmë diçka të tillë. Trajtimi nuk duhet t’i takojë vetëm një grupi të caktuar, pasi prek të gjithë shoqërinë”, tha Berisha. Angazhimin e burrave në këtë luftë po e sheh si të domosdoshme edhe i riu nga Ferizaj, Lorik Krasniqi. “Duke u bazuar në rininë ferizajase ne shohim se ka potencial nga të rinjtë burra dhe të rritur për (adresimin) e çështjeve të dhunës gjinore”, u shpreh Krasniqi. Çka përmban Konventa e Stambollit? Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit 2020 e përfshiu Konventën e Stambollit në Kushtetutë. Konventa e Stambollit, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument obligues që detyron shtetet ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje. REL

Të fundit

“Katastrofa në Los Angeles, shtyhet sërish shpallja e nominimeve për Oscar”

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se ka shtyrë për herë të dytë shpalljen e nominimeve...

Të paktën 10 të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Brazil

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e rrëshqitjes së dheut në Minas Gerais të Brazilit, raporton BBC. Këto rrëshqitje janë shkaktuar...

Rëndohet bilanci në Palestinë, mbi 5.000 të vrarë që nga 5 tetori

Të paktën 5.000 palestinezë janë vrarë dhe zhdukur në ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Gazën veriore që nga 5 tetori”, raportojnë autoritetet lokale. “Rreth...

Ja ushqimet që duhet të konsumoni nëse jemi me grip apo ftohje

Dihet se vitamina C është “arma” e vitaminës kundër ftohjes. Por përveç portokalleve dhe agrumeve që janë burimet kryesore të tij, ka edhe 5...

Republikanë në Kongres hartojnë projektligj për blerjen e Groenlandës

Aleatët republikanë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të sigurojnë mbështetje për një projektligj mbi autorizimin e bisedimeve për blerjen...

Lajme të tjera

Web TV