Në listën e lojtarëve më të paguar në botë, tre lojtarë nga La Liga janë pjesë e top 10 lojtarëve më të mirë. Megjithatë, lëvizjet e fundit të merkatos kanë ndryshuar rendin e kësaj liste.
Revista britanike “Radio Times” na njeh me lojtarët më të paguar në javë. Shifrat marramendëse janë të konvertuara në dollar dhe përjashtojnë pagat apo bonuset shtesë për lojtarët. Pra, këta janë lojtarët me pagën më të madhe dhe jo vlera e përgjithshme që kanë duke i shtuar këtu sponsorat apo marrëveshjet e ndryshme jashtë botës së futbollit.
10. Robert Lewandowski (Bayern Munich) – 483,000 dollarë në javë
Lojtari i vetëm nga Bundesliga në këtë listë, Lewandowski u shpall lojtari më i mirë i vitit nga FIFA në 2020 dhe ka një rekord fantastik për golat e shënuar si dhe trofetë. Sulmuesi polak është golashënuesi më i mirë i huaj i të gjitha kohërave në Bundesliga, duke fituar kështu kampionatin plot 9 nga 11 vite që ka qëndruar në Gjermani, dy herë me skuadrën e Dortmundit dhe shtatë herë me bavarezët.
9. David de Gea (Manchester United) – 517,000 dollarë në javë
Lojtari i vetëm spanjoll në këtë listë, De Gea është portieri më i paguar në gjithë botën. Manchester United e bleu nga Atletico Madrid para një dekade për një shifër rekord të asaj kohe për një portier. Që prej asaj dite, De Gea ka qenë portieri kryesor i “The Red Devils”.
8. Kevin de Bruyne (Manchester City) – 531,000 dollarë në javë
Me kontratën e tij të re, mesfushori belg është aktualisht lojtari më i paguar në Angli dhe ka pagën më të lartë në një klub si City që ofron vazhdimisht pagesa shumë të larta për të gjithë lojtarët e skuadrës. De Bruyne ka qenë fenomenal për “The Citizens” dhe deçiziv në triumfet e Cityt duke fituar kampionatin tre herë në gjashtë vitet e tij në Manchester.
7. Cristiano Ronaldo (Manchester United) – 531,000 dollarë në javë
Sulmuesi portugez ka zbritur nga kryesimi i listës këtë merkato verore për shkak të transferimit të tij nga skuadra e Juventusit drejt dashurisë së vjetër te Manchester United. Paga e tij në Torino ishte gati dyfishi i asaj që do të përfitojë te United por mbetet ende më i paguari i Premier League së bashku me De Bruyne.
6. Kylian Mbappe (PSG) – 566,000 dollarë në javë
Më pak i paguari nga treshja e yjeve të PSG, por ende mbetet në top 10 në gjithë botën. Mbappe synon të mbetet në këtë listë edhe për dekadën e ardhshme kudo që të luajë futboll.
5. Gareth Bale (Real Madrid) – 690,000 dollarë në javë
Pavarësisht rënies nga forma të uellsianit, Bale ngelet një ndër futbollistët më të paguar në botë. Ditët e tij përsa i takon kësaj liste mund të jenë të numëruara, por afrimi i Carlo Ancelottit në stolin e madrilenëve i ka dhënë një shans të dytë ish-yllit të Tottenhamit.
4. Antoine Griezmann (Barcelona) – 793,000 dollarë në javë
Pas largimit të Leo Messit, Griezmann është i vetmi katalanas që përfaqëson Barcën në këtë listë. Paga e tij e lartë është një pengesë e madhe për klubin dhe pas disa sezoneve zhgënjyese, francezi duhet të fillojë të justifikojë vlerën dhe pagën e lartë në fushën e blertë këtë sezon.
3. Luis Suarez (Atletico Madrid) – 793,000 dollarë në javë
Ndoshta një surprizë në treshen e parë të kësaj liste, por Suarez ka vërtetuar se është ende një nga sulmuesit më të mirë në botë duke e treguar këtë sezonin që lamë pas, ku uruguajani i dha Atleticos triumfin në La Liga.
2. Neymar (PSG) – 836,000 dollarë në javë
Lojtari i dytë nga PSG në këtë listë, Neymar tashmë renditet i dyti pasi Ronaldo zbriti në vendin e 7. Braziliani mund të jetë një yll botëror, por nuk mund të konkurojë me Ronaldon përsa i përket sponsorizimeve dhe fitimeve vjetore.
1. Lionel Messi (PSG) – 1,325,000 dollarë në javë
Skuadër e re, i njëjti status. Padyshim lojtari më i mirë në planet dhe ndoshta më i miri i të gjitha kohërave. Nuk është çudi që Messi kryeson listën e pagave më të larta të lojtarëve në gjithë botën. Argjentinasi është futbollisti i vetëm që përfiton më shumë se 1 milion dollarë në javë dhe bonuset e tij apo sponsorat priten ta rrisin akoma më shumë këtë vlerë.