Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edi Reja, doli ditën e djeshme në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillohet sot ndaj Polonisë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Teksa iu përgjigj interesit të medias shqiptare dhe polake, tekniku i Kombëtares shqiptare, Edy Reja u shpreh se ndeshja ndaj Polonisë do të jetë e fortë, por Shqipëria ka elementë mjaft të mirë dhe skuadra është përgatitur. Ai theksoi se djemtë do të futen në fushë me idenë për të fituar dhe ekipi do të japë 100% në këtë ndeshje, pasi motoja e kësaj skuadre është të respektojë çdo kundërshtar, por nuk ka frikë askënnd. Kundërshtari dhe ekipi – Dimë që do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Polonia ka një traditë shumë të mirë, në fushën e saj ka 7 vite që nuk pëson asnjë humbje. Jemi të ndërgjegjshëm që është një ekip që ka vlera. Gjithsesi ne e dimë që po rritemi si skuadër, kemi bërë paraqitje shumë të mira kohët e fundit, kemi një ekip kompakt. Sigurisht sa i përket pjesës së sulmit, kemi lojtarë që janë në formë shumë të mirë. Gjithashtu edhe mbrojtja, kemi marrë gjithmonë komplimente për këtë repart, kemi elementë shumë të mirë dhe kemi një repart solid dhe mund të luajmë shumë mirë edhe në kundërsulm siç e kemi treguar në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, është një ndeshje që kërkon një përqëndrim shumë të madh, por nuk duhet të harrojmë mbrojtjen. Presingu nuk fillon në mbrojtje, por në fazën ofensive, në mënyrë që t’i hapim probleme Polonisë dhe ta vëmë në vështirësi. Nuk na lejohet asnjë gabim. Duhet të jemi të kujdesshëm që mos t’i krijojmë hapësira dhe t’i godasim në kundërsulm. Markim special për Levandovskin? “Duhet të jemi të organizuar shumë mirë për të markuar Levandovskin sidomos në zonën e golit, sepse sulmon hapësirat në mënyrë të shkëlqyer. Nuk mjafton një lojtar por duhet të mbrojmë në grup mirë, mbase duke i vendosur një të dytë pranë. Ne do të evitojmë ti japim hapësirë këtij lojtari që nuk fal kurrë. Uroj të mos ket rendimentin që ka në klub, sepse e qartë që ekipi Kombëtar është më ndryshe, por është një lojtar shumë i rrezikshëm sepse ka cilësi të jashtëzakonshme. Objektivi i skuadrës – Sigurisht kur futesh në lojë për të luajtur një ndeshje, nuk futesh me idenë se do të humbasësh, por futesh në fushë me idenë se do të fitosh apo do të marrësh pikë. Gjithsesi, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të japim rendiment maksimal në këtë ndeshje, duhet të japim 100% ndaj Polonisë. Që në momentin që kanë filluar eliminatoret e Botërorit, ne kemi qenë të bindur për të shkuar në çdo ndeshje me qëllimin për të marrë pikë, pavarësisht kundërshtarit. Motoja jonë është respekt për të gjithë, por absolutisht nuk kemi frikë. Polonia? Me trajnerin Sousa kemi një marrëdhënie të mirë dhe plot konsideratë. Di që në Kampionat Europian nuk bëri mirë por është e vështirë të hysh në një Kombëtare, sepse nuk është si në një klub. Shpresoj që të gjej zgjedhjet e duhura, zgjedhjet e mira t’i bëjë pas ndeshjes me ne, që do të jetë shumë e vështirë për ta. Ne kemi filluar të bëjmë një punë të mirë në organizim, nuk do të bëjmë një ndeshje mbrojtëse. Sigurisht që nëse do të na sulmojë Polonia gjithë ndeshjet do t’i reagojmë gjithashtu. Kemi cilësi në mbrojtje por kemi aftësi për të bërë keq ndaj kundërshtarit në fazën sulmuese.
Manaj-Cikalleshi në sulm, por me kokën pas në mbrojtje
Në Poloni kombëtarja jonë shkon për një rezultat pozitiv, duke përfshirë edhe barazimin që nuk do ishte aspak keq si ndeshje transferte. Polonia e Levandovskit është një ekip i fortë, por kombëtarja jonë duhet të japë maksimumin për të pasur një rezultat të mirë nga ky takim. Në Varshavë kanë nisur provat e para me formacionin. Porta mbetet një balotazh, të cilin trajneri do ta deklarojë vetëm sot në Konferencë, me praninë ose jo të Etrit Berishës, si kapiten i Kombëtares që do të jetë në fushë ndaj Polonisë apo jo. Më tej, gjërat janë më të thjeshta dhe zgjedhjet e trajnerit janë në linjën e ndeshjeve të fundit. Në mbrojtje, muri i Serisë A, Ismajli, Kumbulla e Gjimshiti në qendrën me tre dhe Trashi në të majtë e Elseid Hysaj djathtas. Përpara tyre, digën do ta formojnë Bare, Gjasula dhe Abrashi, me këtë të fundit që vjen pas një dëmtimi dhe një forme jo shumë të mirë. Megjithatë, ka zgjedhur të sakrifikojë për kuqezinjtë edhe nëse do të duhet të luajë me injeksione. Cilindo prej sulmuesve që trajneri Reja do të zgjedhë, dihet që ka një formë të mirë dhe vjen me motivim maksimal në Kombëtare. Ndër provat që ka bërë italiani për dyshen e sulmit, ka përzgjedhur lojtarin e Koniasporit, Sokol Cikalleshin dhe Rei Manajn, i cili në këtë grumbullim erdhi si futbollist i Barcelonës dhe dje ka mësuar edhe vendimin zyrtar për transferimin te Specia në Serinë A.