Parlamenti i ri cilësohet më i veçanti i 30 viteve të fundit me opozitën që futet në sistem pas djegies së mandateve, por me barrën e madhe të deputetit Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA. Basha ende i pavendosur mes dy zjarreve SHBA-PD, me kërcënimet që vijnë nga “babai politik”. Rehatia e përkohëshme e Ramës në Parlament dhe roli i ambasadores Yuri Kim që do i duhet të ndërrojë kurs politik dhe të përqëndrohet në ngritjen e sitemit të vërtetë të drejtësisë.
Nga Sebi Alla
Për herë të parë në 30 vite tentativë mes demokracisë dhe autoritarizmit, Parlamenti shqiptar ka një kompozim të çuditshëm, nga ato çudi që nuk mund të zgjasin vetëm tre ditë. Katër deputetë dorëzuan mandatet pa nisur legjislatura e re, (tre nga mazhoranca dhe një nga opozita), ndërsa një deputet dhe jo vetëm “deputet radhe”, nuk dihet nëse do të zerë radhën tre karrigen katër si gjithnjë, apo do të struket mes të tijëve, sepse bashkë me dosjen dhe ipad-in që nuk e heq nga duart, do të marrë edhe mandatën e shpalljes “non grata” nga SHBA. Vëmendja është përqëndruar e gjitha më datë dhjetë të këtij muaji, kur në Parlament pas dy vitesh mungesë futet në sistem opozita. Lulzim Basha do e heqë turmën në krye, e më pas i padëshiruari i SHBA-ve Sali Berisha mezi pret plot dëshirë që të kapërcejë pragun e Parlamentit. Këta janë “aktorët protagonistë” të detyruar që të shkruajnë një dramë, ndoshta edhe para regjisorit “tragji-komik”, sepse skenarin e kanë shkruar të tjerë nga përtej Atlantikut. Rama do shohë nga karrigia e betonuar që nuk lëviz për tre mandate rresht. Edhe ai mezi e pret shfaqjen, sepse sheh sesi PD që u rrit në zgjedhjet e shkuara, tretet aty. Aktorët e tjerë opozitarë i ngjanë punëtorëve të skenës që ndryshojnë dekorin, errësojnë apo japin më shumë dritë mbi protagonistët, por pikë force për të ndërhyrë në shfaqje nuk e kanë. Fundi i dramës a mund të jetë “vrasja e babait politik”? Por a mund të ndodhë që të ndryshojë skenari nga fuqi më të mëdha dhe të “vdesin të dy politikisht”? Po vendi që vetëquhet demokratik, pa opozitë do mbesë? Ngjan në kufijtë e absurdit, por me siguri regjisorit “tragji-komik” kjo nuk do i pëlqejë, sepse mund të ndodhë që të detyrohet të shkruajë dhe realizojë një dramë edhe për të tijët, ndoshta duke shpëtuar veten.
Opozita nuk e di ku është
Grupi parlamentar opozitar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017 është shtuar në numër vetëm nga ana e PD-së, ndërsa ka një tkurrje të frikshme te LSI e cila përfaqësohet nga vetëm katër deputetë, por jo si ata katër “deputet e artë” të vitit 2009. PD me 59 mandate konsiderohet një opozitë e fortë në sasi. Para se të bëjë politikë ka një ngërç të madh me veten. Ajo është çështja Berishë i cili u shpall “non grata” nga SHBA bashkë me familjen e tij për “korrupsion madhor; minues i demokracisë dhe ndikues në sistemin e drejtësisë për të shpëtuar aleatët”. Ish-Kryeministri Sali Berisha në daljen e fundit publike u shpreh se “Partia Demokratike ka kërkuar provat dhe faktet lidhur me akuzat që më bëhen mua në vendimin për shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit”. Berisha tha se PD do të bënte një gabim historik nëse nuk do t’a përjashtonte nga radhët e saj, nëse do të kishte provat dhe faktet në dispozicion. “PD ka kërkuar transparencë, asgjë më shumë. Unë jam deputet i PD, nuk jam i pavarur, ndaj dhe kush e njeh parlamentarizmin, nuk mund të pretendojë se unë mund të hyj në Parlament si i pavarur”, deklaroi ai. Më tej paralajmëroi se nëse do të merrej një vendim për përjashtimin nga grupi parlamentar, pa pasur prova dhe fakte, do të ndërmerrte çdo vendim dhe veprim, brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues, për t´a kthyer PD në një parti sikundër ka qenë, partia e parimeve…. “Kam pasur dhe kam influencë shumë të fuqishme në PD dhe kjo buron nga fakti se unë kam mbrojtur interesat e asaj partie dhe demokratëve me vendosmërinë më të madhe. Kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri krimin e organizuar, korrupsionin e të gjitha niveleve dhe kam mbrojtur interesin kombëtar”, tha Berisha. Influenca që Berisha i kujton Bashës është domethënëse, pasi vetëm parime nuk ka asgjë aty. Mbetet një lloj kërcënimi që Basha e ka të vështirë për ta përballuar, cilido të jetë vendimi i tij. Disa zëra brenda elitës drejtuese të PD-së kanë nisur të artikulojnë se Berisha duhet të jepte dorëheqjen nga mandati i deputetit, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar PD-në, por edhe opozitarizmin në vend. Vetë Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet, të paktën për disa kohë, nga ana tjetër Basha nuk ka forcën, por edhe dëshirën për ta larguar. Të dyja këto nuk mund të qëndrojnë pasi shpejt do i kujtohet “bari”, që pa diplomaci fare ua kujtoi ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim e cila është e angazhuar tërësisht për të çuar deri në fund vendimin e SHBA-ve për shpalljen “non grata” të Berishës dhe largimin e tij nga politika, qoftë edhe si një deputet që kërkon të shtyjë pensionin. “Njoftoj rëndësinë që kur kryetarët e partisë të futen në parlament të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë karrigen e Shqipërisë. Edhe PD duhet të mendojë për këtë çështje. Dhe sikurse e kam përmendur PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë vendin nga diktatura, dhe do të jetë tragjike për vendin nëse partia do duhej të hante bar për hatër të një deputeti të saj. Partitë duhet të lëvizin përpara, e ardhmja na pret,” tha Kim një muaj më parë. Ky qëndrim nga ana e SHBA-ve nuk ka ndryshuar, as nuk mund të imagjinohet se do të ndryshojë, por “bari” në PD po bëhet mullar për shkak të apatisë së Bashës, i cili shquhet për mosmarrjen e vendimeve. Nëse Berisha nuk heq dorë vetë nga mandati i deputetit, apo të mos përjashtohet nga grupi Parlamentar, atëherë rrezikohet që PD të shpallet de facto “non grata”. Për një çështje kaq të madhe në të dyja rastet Basha duket i humbur. Nëse nuk e largon Berishën bëhet armik i SHBA-ve dhe nëse e lëshon bëhet “armik i Berishës”, që nuk është vetëm një individ. Edhe në këtë rast për vendimet e mëdha Bashës mund t’ia heqë barrën ai që mban shumë barrë të rëndë mbi supe, vetë Berisha. Nga zhvillimet që po ndodhin në kampin opozitar duket se Berisha do të ndjekë strategjinë për të qëndruar disa kohë në Parlament dhe më pas mund të tërhiqet vetë. Këtë do ta bëjë jo për të përplasur kokën në murin e fortë të SHBA-ve, por për ti dhënë edhe një herë dorën “birit politik”. Fundja çdo “prind” do e bënte… Dhe Berisha është tërësisht vetëm. Dikur, jo shumë larg Berisha dhe Meta cilësoheshin politikanët më të fuqishëm. Sot Berisha as Metën nuk e ka afër për çështjen e tij, sepse Meta realisht ka hallet e veta. Kundërshtari i fortë i dikurshëm që mbante në këmbë qeveri u kthye në personazhin më të dobët që shëtit buzë detit dhe shijon: “Petulla katuni me të ik truni”. Nga larg pret vetëm momentin kur do shpallë vendimin Gjykata Kushtetuese për shkarkimin ose jo të tij dhe në fund të ulet në karrigen e brejtur të kryetarit të LSI-së e cila nuk premton më ringritje pas rënies së madhe.
Ramës i intereson Berisha në Parlament
Kundërshtari më i madh në politikë i Edi Ramës padyshim që ka qenë Sali Berisha. Në pjesën personale, duke futur mëritë e vjetra dhe të reja, shumëkush do të mendonte se Rama do të donte largimin e Berishës, por këtu jemi në politikë dhe nuk ka vend për “inatet personale”. Paradoksalisht, në situatën aktuale Ramës i nevojitet një Berishë në Parlament, madje ai i zjarrti që të dalë në foltoren e Kuvendit dhe të numërojë të “zezat amerikane” që nga ndikimet e Soros dhe deri në OJF-të që vegjetojnë në vendin tonë. Rama në këtë mënyrë do të shmangte çdo telash që mund ti hapet gjatë qeverisjes. Madje edhe skandali më i madh do të zbehej para shfaqjeve teatrale parlamentare ku Berisha flet, dhe nga pas Ramës i mjafton vetëm të pëshpërisë lehtë dy fjalë: “Kujto SHBA-në”… Në këtë mënyrë kryeministri do të bëjë politikë duke e futur të gjithë opozitën në atë qerthull dhe kompleksitet ku nuk del dot. E ka bërë më parë ku qeveria e tij ishte më në vështirësi dhe mund ta bëjë tani edhe më lehtë kur kundërshtarin kryesor ka një personazh që është i shpallur i padëshiruar nga SHBA. E gjithë kjo shfaqje e pafundme i shton jetën qeverisë për të vijuar e qetë mandatin e tretë, pavarësisht mënyrës si do të qeverisë. Edhe nëse plas ndonjë “bombë korrupsioni”, sërish mjeshtrja politike e jona di ta anashkalojë, duke bërë me gisht nga Berisha… Në ketë kontekst Ramës politikisht për të mbajtur pushtetin edhe më gjatë do i interesonte që Berisha të qëndronte gjatë e më gjatë në Parlament. Kreu aktual i qeverisë do të bëjë politikën e tij dhe në fakt atë që bën di ta shesë si “produkt bio” edhe kur është lëng esence i skaduar. Ka nën kontroll legjislativin me numrat e duhur për të kaluar çdo ligj, gjithashtu mban nën fre edhe partinë, pavarësisht ndonjë qejfmbetje brenda kampit rozë. Si me porosi shumë shpejt do të vijë edhe zgjedhja e presidentit të ri. Është momenti që kreu i ekzekutivit të nisë lojën e gjatë dhe me plot batuta, takime, tërhiq e lësho, duke futur në valle opozitën, e cila është e detyruar të shijojë sipas avazit të sazeve qeveritare. Ndonjëherë, duke i dhënë shaminë në duar mund të heqë vallen e tij edhe Basha, por sa për imazh, sepse mund ti ndodhë se kur të ngrihet për kërcim “orkestrës” të mos i punojë kallami. E si të mos mjaftojë vetëm dora që i ofron PD me çorientimin e saj, Ramës i vjen në ndihmë edhe LSI. Partia e dalë nga gjiri i PS-së është tkurrur sa gishtat një dorë, duke hequr “gishtin e madh”… Për më shumë edhe ata që janë vështirë të gjejnë në fjalorin politik shumë fjalë për të përballuar trysninë që vjen brenda dhe jashtë, sidomos qitja me preçizion të lartë nga “Rruga e Elbasanit”. Kryeministri nuk e ka me betejën me kundërshtarin që vegjeton mbi ekzistencën ose jo të saj, por me veten. Për shkak të trazirave ndërkombëtare në rajon e përtej rajonit, Rama do të kërkojë personalisht vëmendjen dhe atë di ta marrë me mjeshtri. Sot në treg është çështja afgane, më vonë mund të jetë ballkanike, e ca më tutje krizë emigrantësh. Në të trija rastet kamerat duhet të qëndrojnë ndezur, pasi shfaqja nuk do të mungojë, Rama do të jetë aty. Ndërsa në politikën e brendshme ekonomia, punësimi, shëndetësia dhe arsimi, që duhet të jenë parësorë mund të kalojnë dorë e dytë.
Edhe SHBA ka nevojë për lëvizje
Shpallja “non grata” është një mënyrë e re amerikane për të zgjidhur me një firmë të shpejtë atë që nuk e bën dot sistemi i drejtësisë së vendeve autoritare apo me demokraci hibrite. Berisha akuzohet për “korrupsion masiv” dhe një akuzë të tillë në çdo vend demokratik ta ngre sistemi i drejtësisë, fillimisht prokuroria dhe në fund vendos gjykata, me vendim të formës së prerë. Kjo nuk po ndodh në Shqipëri, drejtësia e re mbetet ende e brishtë para hapjes së dosjeve të mëdha ku personazhe janë politikanë që as në ëndrra nuk janë parë të prangosur për fenomenin e korrupsionit. SHBA është e kujdesshme edhe në perceptimet publike, sidomos për to. Në një numër jo të pakët ka një gjykim se SHBA po godet vetëm njërën anë. Kjo nuk i pëlqen aspak superfuqisë botërore që Shqipërinë e ka ndoshta të vetmin vend më pro amerikan në botë. Nëse nga ambasada dhe aktorë të tjerë, duke përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit çështja “non grata” shtrihet edhe në palën tjetër për balancë, sërish duket pa vlerë. Rreziku është që shpalljet “non grata”, pa u shoqëruar me hapje procesesh penale do të ktheheshin në “letra bakalli” që kapërdihen lehtë nga çakejtë e politikës sonë. As përhapja masive e lajmeve të krijuara nën haluçinacione se se lista “non grata” është e gjatë dhe do të na shpëtojë Amerika, nuk do zerë vend për muajt në vijim. Çelësi i vetëm që hap arkën e drujtë ku mbahet “thesari i korrupsionit” mbetet vetëm drejtësia e pavarur dhe profesionale. A e kemi ne një të tillë? Ende jo. Ata 12 prokurorë të SPAK po mpaken me veten duke vegjetuar në dosje të vjetra dhe herë pas here lëshuar ndonjë sinjal se “arrestimet e mëdha do të vijnë”. Një histori që zgjatet e zgjatet me dekada. Sa kryeprokurorë shpreheshin se: “në vjeshtë do kemi arrestime të bujshme, po hetojmë ministra dhe ish-ministra”? Ik një vjeshtë dhe afro një tjetër. Nuk u kthye asnjëherë në stinë arrestimesh me rënien e politikanëve, por vetëm stinë normale me rënien e gjetheve të pemëve. Në këtë situatë SHBA-së apo BE-së që u investuan në çështjen e Reformës në Drejtësi nuk do i duhet shumë të bëjë politikë, por të nxisë drejtësinë, atë të pavarurën. Edhe ambasadorja Kim pavarësisht se dukshëm është në rolin e protagonistes, mund ti nevojitet për të qenë edhe më protokollare. Nuk mjaftojnë vetëm statuset në rrjetet sociale, as afishimi i “natyrës shqiptare” që viziton shpesh, por mbi të gjitha as falenderimet e shumta për ministre që lenë detyrën, apo të tjera që janë në detyrë, pasi fundja detyrën po bëjnë. Faktet kërkohen dhe mbi të gjitha është klithja qytetare e lodhur me këtë klasë politike edhe pse po qytetarët janë “lodhur” duke i votuar dhe rivotuar. Me mallin e importit ndërkombëtar që quhet “stabilokraci”, vendi është ngopur dhe velur prej kohësh. Ushqimi i vetëm që duhet të prodhohet në vend, qoftë edhe duke sjellë “farën” nga SHBA, është demokracia, shteti ligjor, meritokracia dhe zhvillimi ekonomik, të tjerat janë gjethe vjeshte që kalben në tokë.