Nëse hetimet ndaj Fatmir Mediut si ish-ministër do të nisin apo jo, tashmë një vendim gjyqësor pritet të merret në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kryetarja e Apelit të GJKKO-së, Saida Dollani do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu më 17 shtator 2021.
Në Apelin e GJKKO-së, SPAK ka dorëzuar ankimim pas vendimit të Gjykatës së Lartë që shpalli moskompetencë dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
SPAK kërkon revokimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, që ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për rihapjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Në vendimin e GJKKO theksohej që Prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej 2012 nuk ka pasur imunitet dhe vepra është parashkruar.
Saida Dollani ka shqyrtuar më parë çështjen e Emiljano Shullazit, e cila ka marrë edhe kërcënime dhe më pas u mor në mbrojtje nga policia.