“Nis lufta”/ Berisha-Basha shqyejnë partinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Armiqësia mes dy njerëzve të pandashëm, që mbajtën pushtet dhe opozitë bashkë duke mbrojtur pafundësisht njëri-tjetrin për 16 vjet u prish në pak minuta, duke lajmëruar një luftë të ashpër që do të mbyllet me mbijetesën e Berishës ose të Bashës. Dhjetra mbështetës të Berishës Sulmojnë Bashën pasi largoi liderin demokrat nga Grupi Parlamentar i PD-së, nën presion e SHBA-ve që e shpallën Berishën “non grata”. Çfarë deklarojnë ata dhe vendosmëria e Berishës për të rimarrë PD-në.

“Berisha, Berisha, Berisha…”, “O Sali, o hero gjithë Shqipëria ty të do…”, “Sali Berisha, Sali Berisha…”. me këto fjalë është pritur Sali Berisha në hyrjen e Kuvendit, ditën e djeshme, përpara se të fillonte seanca plenare. “Partia Demokratike del nga kjo betejë më e fortë, më e sigurt se kurrë në fitore. Rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria. Sot nis beteja jonë, sot nis beteja jonë për shpëtimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë nga pazaret e turpshme të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës”, u tha Berisha mbështetësve të tij. E ndërsa Berisha ka pasur një përkrahje relativisht të vogël nga shjetëra simpatizantë, kreu aktual i Partisë Demokratike Lulzim Basha është pritur me fjalë fyese nga ky grup qytetarësh. “Turp, turp, turp…”, “agjent i Soros”, kanë thënë në kor simpatizantët e Sali Berishës. Kështu ka nisur dita e parë në selinë blu, pasi kryetari de jure dhe de facto Lulzim Basha përjashtoi nga grupi i Partisë Demokratike ish liderin historik Sali Berisha. Tashmë ka një thyerje e madhe midis Bashës dhe Berishës.

Basha guxoi të merrte vendimin që nuk pritej, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ja kishin “plumbin” mbi tavolinë për një vendim pa asnjë negociim: Berisha duhet të përjashtohet nga Grupi Parlamentar i PD-së”. Basha vendosi që të “vrasë” babain e tij politik, duke e vënë në dijeni për vendimin e tij vetëm 30 minuta përpara se ai ta shpërndante në mendia dhe vetëm pak orë para se të niste seanca e parë plenare për këtë legjislaturë. Por Berisha nuk ndalet. Ai mbremjen e së enjtes bëri akuza të forta në drejtim të Bashës, duke e akuzuar deri tek bashkëpunimi mes tij dhe Ramës për vendimin që ka marrë. Nuk dihet ende se çfarë do të bëjë dhe është në gjendje të bëjë Sali Berisha për tu hakmarrë ndaj Bashës, për vendimin që mori kundër tij. Kur Berisha u shpall “non grata” nga amerikanët, Lulzim Basha në qëndrimin e parë u duk në krah të Berishës duke nënvizuan se duhen paraqitur prova. “Bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA-në në nivelet më të larta”, shprehej Basha. Kjo ishte edhe deklarata e vetme e kryedemokratit për këtë çështje pasi stafetën e udhëheqjes së debatit publik e mori Berisha në dorë.

“Kam vendosur të padis sekretarin amerikan të shtetit. Ky është një vendim i kundërshtarëve të mi politik”, shprehej Berisha. 10 shtatori ishte afati i fundit që amerikanët i kishin vënë Lulzim Bashës për të marrë një vendim që mungoi për muaj të tërë. Pikërisht atëherë kur çdokush e kishte ndarë mendjen se kryetari do të vijonte të ishte në krah të Berishës, Basha kishte programuar vrasjen publike të babait të tij politik përmes një videomesazhi të regjistruar, që u transmetua si surprizë mbrëmjen e 9 shtatorit, pak orë para nisjes së legjislaturës së re. “Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Basha. Tashmë marrëdhënia Berisha-Basha është futur në një kapitull të ri që shënon edhe krizën më të madhe politike brenda selisë së PD-së. Ish-kryetari ka lajmëruar publikisht ndërmarrjen e hapave konkretë për të rimarrë kontrollin e partisë.

Sali Berisha

Ish kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se është përfshirë në “pazare të fëlliqura” me Edi Ramën. Ai tha se Basha do të marrë përgjigjen që meriton. “I vetmi që do të marrë përgjigjen që meriton është njeriu që shet PD-në me pazare të fëlliqura me Edi Ramën. Lëvizja ime e radhës do të jetë një lëvizje statutore e tëra e bazuar në rivendosjen e legjitimitetin dhe sovranitetit të PD-së, të grabitur poshtërsisht në marrëveshjen Rama-Basha”, tha Berisha para gazetarëve. Berisha tha se ai do të vazhdojë të denoncojë, duke lënë të kuptohet dosjet që ai mban për kreun aktual të PD, kur ai ka drejtuar ministri dhe bashkinë e Tiranës. Ai thekson se përjashtimi i tij ka ardhur si pasojë e kompromisit Rama-Basha, por e kundërshton duke deklaruar qartë se vijon të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD. “Jam më i votuar se kurrë në jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë.

Për të mbrojtur interesin kombëtar të kombit shqiptar për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimit, regjim i cili ka zgjedhur trillimin, kurthet, pazaret për eliminimin e opozitarëve shqiptarë. Se çfarë date është pakti, do ua le juve dhe historianëve. Garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha”, tha ai. Ish-kryetari i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar se vendimi ndaj tij për përjashtimin nga grupi parlamentar është nul. Më tej ai paralajmëron se mund të hyjnë në selinë e PD në çdo kohë dhe siguron të gjithë se do të jetë shumë e afërt dita kur partia që drejtonte të rifitojë forcën. ”Do marrë çdo nisëm brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Si të shihni, unë jam anëtar i grupit parlamentar i PD. Vendimi, kompromisi Rama-Basha është nul, s’ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale në pazaret mbrapa shpine ndaj një force politike. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD dhe të jeni të sigurtë që do jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, të gjithë vendosmënrinë, legjitimitetin, për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës dhe pazareve të fëlliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë opozitë. Tani kaq. Grupi ishte në krahun e vet kur hyri”, tha Berisha. Ndryshe nga çdo herë tjetër, ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, s’do të hyjë në këtë parlament si pjesë e grupit parlamentar të demokratëve, por si deputet i pavarur. Kjo pasi mbrëmjen e së enjtes Basha mori vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, deri në zgjidhjen e çështjes që lidhet me vendimin e DASH për shpalljen non-grata nga SHBA.

Lexo edhe :  "Çdo bub kur leh e ka me të keq do dhe të hajë", Basha akuza ndaj Rithemelimit

Bashkëqeverisje PD-PS/ Rama: Dora është e shtrirë për integrimin e vendit

Kryeministri Edi Rama i qëndron idesë se bashkëpunimit mes Partisë Saocialiste dhe Demokratike për të çuar përpara integrimin e Shqiëprisë. Rama nuk pranoi ti përgjigje pyetjes nëse ka një “dill” me Bashën për të hequr Berishën nga politika

Një ditë pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë për gazetarët, pas seancës plenare, kreu i qeverisë tha se dora do të jetë e shtrirë për opozitën në këtë mandat të tretë. I pyetur nga gazetarët, Rama u shpreh se pavarësisht zhvillimeve politike brenda PD, ftesën për bashkëpunim e ka bërë edhe më parë. “Ne vijmë në këtë kuvend me dorën e shtrirë, këtë e kam thëne pavarësisht si do të shkonin zhvillimet brenda PD. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit dhe të interesave të njerëzve”, tha Rama. Kreu i Partisë Socialiste u shpreh se mazhoranca sheh vetëm nga e ardhmja dhe nuk e kthen kokën pas. “PS-ja e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë pasi humb horizontin. Ne jemi shumë lart dhe nuk mund të ndalojmë, të kthejmë kohën prapa, të ulim kokën poshtë, për të parë se çfarë ndodh, ne do të shkojmë para dhe kush do të bashkohet me ne është i mirëseardhur. E shkuara mbetet e shkuar, ne jemi e ardhmja”, u shpreh Rama. Kur u pyet nga gazetarët për atë që konsiderohet vrasja e babait politike, Rama u shpreh: “PS ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër. PS është në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të saj. Duhet të ndjejë përgjegjësinë e çuarjes së Shqipërisë në një nivel tjetër dhe sa pak të rëndësishme janë këto të tjera”. Rama iu shmang pyetjes, për pazaret politike me Bashën, siç pretendon ish-kryeministri Berisha. “Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin i pari. Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashje, pa menduar se mund të kem tejkaluar kufirin kam krijuar shqetësime për ju jap fjalën që do bëj çmos”, tha kryeministri. Shefi i Qeverisë deklaroi se Partia Socialiste do të harxhojë energjinë e saj në favor të qytetarëve si dhe për sfidat që ka vendi. “Ndalova për t’ju uruar të gjithëve një punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtore të publikut në këtë shesh këtu në hyrje të parlamentit. Unë do të angazhon personalisht dhe PS do të bëjë përpjekjen që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit për problemet reale, për sfidat që ka vendi për ëndrrat dhe shpresat e tyre dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë vite duke u bërë një pronë e politikanëve të cilët kanë abuzuar vijmësisht për interesa apo ambicie që mund të jenë edhe të natyrshme, por që nuk janë kurrë të mjaftueshme për tu ngritur mbi hallet e qytetarëve”, është shprehur Kryetari i Partisë Socialiste.

Strazimiri: Asnjë kryetar PD-je nuk ka patur kompetencë për përjashtimin e askujt

Gent Strazimiri, me anë të një postimi në Facebook, është shprehur kundër vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. “Në 30 vjet ekzistencë të saj, asnjë kryetar i Partisë Demokratike nuk ka patur kompetencë të përjashtojë ASKËND, KURRË!!! Nuk ekziston një kompetencë e tillë!!! Kjo është e vërtetë, ashtu sikurse dielli do të lindë sërish nesër”, shkruan Strazimiri në rrjetin social. Sipas tij, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes non grata nga DASH të Sali Berishës. “Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Berisha shoqërohet nga Noka e Paloka, i zënë edhe vendin në Kuvend

Ish-kryeministri Sali Berisha pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së ka shkuar në seancë plenare, ku është pritur nga militantët të shumë demokrat. Sali Berisha është shoqëruar nga tre deputetët të PD-së, Edi Palokën, Tritan Shehun dhe Flamur Nokën. Këta të fundit e kanë shoqëruar gjatë hyrjes në Kuvend, ku Berisha lëshoi akuza të forta ndaj Lulzim Bashës të cilin e cilësoi si “pazarxhi’ që “shiti PD-në”. Pas ‘dëbimit’ nga Grupi i PD, Berishës i kanë zënë dhe vendin në Kuvend, teksa është parë që ai është ulur në rreshtin e parafundit të sallës së Kuvendit. Vendin e tij e ka zënë nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, ndërkohë që përkrah Berishës është ulur Tritan Shehu, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili. Gjatë daljes nga Kuvendi, Berisha është pritur me brohoritje dhe një militante i ka puthur dorën kreut të PD-së. Ndërkohë që kanë lëshuar fyerje ndaj Lulzim Bashës, të cilin e kanë quajtur si “agjent të Soros”.

Nishani: Basha një skuth politik që punon për Ramën

Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar kundër vendimit të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha që e përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale, Nishani e quan këtë vendim si “dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”. “Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik”, shprehet Nishani ndërsa i bën thirrje demokratëve “të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjesimin e fondamenteve me bazike të demokracisë”. Ai shkruan se cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. “Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi”, është shprehu Nishani. Ai ka thënë se Basha është kthyer në një argat të Edi Ramës. “Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike”, shkuran Nishani.

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV