PD-ja si hall privat i dy B-ve

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Vetëm pak orë para se të niste seanca plenare, e para për këtë legjislaturë, Lulzim Basha publikoi në media një deklaratë që e përjashtonte Sali Berishën, liderin historik nga grupi parlamentar. Si e lexoni këtë taktikë të Bashës?

Vendimi i zotit Basha ishte veprimi i duhur, por në kohën e gabuar, ishte hap i kushtëzuar, por i pakushtëzuar me moral, ishte akti që bind, por ishte akt dyshues. Ishte gënjeshtra që i përgjigjej gënjeshtrës. Vetëm pak ditë mbas asaj që ndodhi, nëse lexohet heshtja e autorit Basha dhe gjëmimet e “viktimës” Berisha, kuptohet lehtë sesa të pasinqertë janë të dy në mesazhet e koduara që shkëmbejnë, sa të pasigurt ndjehen të dy në referimet që i bëhen të njëjtit faktor, amerikanëve dhe sa e hollë është cipa që mbështjell miqësitë politike në vend që nuk mbillen nga parimet e qëdnrueshme, por korren vetëm nga interesat e çastit. Vetëm pak ditë më pas u kuptua raporti i deformuar mes të dyve, që në rastin më të mirë për zotin Berisha është pengmarrja reciproke që ata i kanë bërë sidomos në katër vitet e fundit njëri-tjetrit. Në fakt është shumë më keq se kaq për Doktorin, që tani, pak nga pak po dallohet se është pengu fatkeq i krijesës së tij cinike, që e largoi nga partia me mjetet që vetë ai ka përdorur për të hequr një numër dëshpërues demokratësh më parë. Lulzim Basha nuk e ka për “sefte” këtë teknologji. Madje për Doktorin përdori bisturi delikate kur e preu nga grupi parlamentar. Ja tha ca llafe të mira në tekstin e ekzekutimit. Të tjerët i ekzekutoi në heshtje. Me Topallin e Imamin, Bregun, Patozin, Nishanin, Kadillin, Harxhin apo Shehajn e shumë të tjerë, ai është treguar shumë më brutal dhe arrogant duke i ndarë me sopatë nga partia e tij. Kjo e shkuar do të mjaftonte që edhe vetë Berisha të kuptonte se herët a vonë do të ishte edhe rradha e tij. Me të gjitha gjasat, politikani dinak e ka ndjerë një gjë të tillë, por njëkohësisht ka llogaritur edhe pafuqinë e tij për ta ndryshuar atë që ishte paragdhendur për të. Njeriu që ka shkruar në mënyrë dramatike fatin e gjithë shoqërisë shqiptare, përfundoi këto katër vjet i paaftë të ndryshojë fatin e vet. Sepse është peng i krijesës së tij Lulzim Basha.

Vendimi që mori Basha pas lënies mbi tavolinë të “Urdhërit” të SHBA për përjashtim e Berishës e lexoni se ndodhi pa dijeninë e Berishës apo ai ishte në dijeni për vendimin e Bashës? Kujtojmë që Berisha tha se është njoftuar 30 min para daljes së vendimit në media?

Nuk ka pikën e rëndësisë një kuriozitet i tillë. Ai nuk shton dhe nuk pakëson ujin e ndenjur të marrëdhënieve mes të dyve. Eshtë vetëm një dëshmi e detaj më shumë për raportin e pasinqertë mes të dyve, të cilët në mënyra të njëjta, por me kuptime të ndryshme citojnë amerikanët. Nëse për Berishën ky është fakt, për Bashën u shtua edhe vetë Berisha në zërat që thonë se edhe kryetarit të PD-së i është pamundësuar udhëtimi drejt SHBA-së. Dhe nëse ka një fakt që mund të rishkruajë gjithë historinë e së paku tre – katër vjetëve të trazuar të politkës shqiptare, që me djegien e mandateve dhe refuzimin e zgjedhjeve lokale, ky është pikërisht raporti mes dy B-ve të PD-së dhe amerikanëve. E sigurt është që deri më tani gjithë propaganda zyrtare e PD-së për atë që ka ndodhur është një gënjeshtër e jashtëzakonshme dhe vetë PD-ja është përdorur për halle private të dy B-ve. E thënë ndryshe, dalja e opozitës nga sistemi dhe rikonfirmimi i Ramës për herë të tretë në qeverisje, gjithë privacionet e demokratëve të thjeshtë, sakrificat e tyre dhe e gjithë idealistëve, vanitozëve, pazarxhinjve a interesaxhinjve që donin rotacion, u vunë të gjitha në funksion të tyre. Eshtë ulëritëse të mendohet që atentati më i egër që i është bërë demokracisë shqiptare, vetënxjerrja e opozitës nga sistemi, ka në themel jo vetëm këtë gënjeshtër të përbindshme, por edhe interesa kaq private të të parit të djeshëm të PD-së dhe të dytit pas tij, i parë në PD-në e sotme. Dy B-të tendosën marrëdhëniet e partisë kryesore opozitare të vendit, partisë së dytë më të madhe në vend me SHBA-në, deri dhe duke i shantazhuar ato me aftësinë e tyre për të cënuar stabilitetin e vendit. Shumë më shumë se drejt zyrave të Edi Ramës, molotovët e protestave të dhunshme të opozitës jashtë sistemit, ishin provë force për SHBA-në. Po e pranojnë pak nga pak të dy protagonistët e tyre.

Lexo edhe :  Ofroi leje mjedisore kundrejt pagesës, arrestohet drejtori i IKMT-së në Dibër dhe administratori i një kompanie

Si mendoni se do e ketë punën në parti Basha, jo vetëm me deputetët por edhe me bazën?

Më shumë se Basha, punët keq do t’i ketë PD-ja, e cila ka monopolizuar debatin publik në vend menjëherë mbas humbjes së zgjedhjeve. Fillimisht dublikimi i tyre me zgjedhjet për kryetar brenda PD-së, sherret spirale që i pasuan ato dhe tani edhe qëndrimi ndaj Non Grata-s amerikane, kanë spostuar vëmendjen në këtë parti që di të bëjë mrekullisht vetëm një gjë: të rrudhet, të tkurret dhe të humbasë. E vënë në funksion të fateve private të një grushti fare të vogël njerëzish, këto ditë janë fatkeqe për gjithë shoqërinë shqiptare e cila sheh degradimin në një karikaturë të PPSH-së së djeshme të partisë që përmbysi komunizmin. Kur partia e Hoxhës kaloi ylberin në qershor 1991 dhe përjashtoi gjithë skotën e matufëve të Byrosë dhe tentoi të shplajë mykun e kufomës që po dekompozohej, pati pak më shumë dinjitet se këto ditë të palavdishme të PD-së. atëherë ishte marrëzi e pastër, tani edhe marrëzia ka kundërvleftë në para.

Berisha e quajti Bashën “vegël mjerane të Ramës” ose e thënë ndryshe një bashkëpuntor i Ramës duke shkërmoqur partinë. Si e shihni ju këtë akuzë?

Kjo është një akuzë që pritet dhe është në stilin e Doktorit. Ai i ka të parafabrikuara ato për këdo dhe ndaj kujtdo, mjaft që të jenë kundër tij. Nesër ato do të shtohej edhe më tej. Ndaj këtu nuk bëhet fjalë për raportin e atyre akuzave me të vërtetën, por për deformimin e jashtëzakonshëm që ka vetë akuzatori me gishtin e tij tundës e kërcënues. Inkoherenca, guna që ndjek drejtimin e erërave të interesit dhe interesi vetjak mbi gjithçka, janë tre kolonat që kanë frymëzuar gjithë aksionet politikë të Berishës, i aftë të ndeshet me dhëmbë edhe me ëngjëj, i gatshëm të puthet edhe me çdo djall.

Cilat mendoni se janë hapat që Berisha do ndërmarr, sepse ai po lexohet që do të rrëzojë Bashën si kryetar?

Kurba e sjelljes së Bashës do të jetë pak a shumë paralele me atë të vetë Berishës. Dukshëm i favorizuar përballë tij, Basha pak nga pak, vetë ose me të tjerë do të përpiqet të shpjegojë pamundësinë e tij reale për t’u sjellë ndryshe dhe për ta shitur aktin e tij si një sakrificë vetjake dhe jo sakrifikim të Berishës për hir të PD-së. Me gojën e tij apo me duart e të tjerëve, mbase do të fillojnë të dëgjohen e dërgohen si mesazhe jo vetëm për publikun ato që Philip Rëker pretendohet se i ka thënë Bashës në prani të dy zyrtarëve të partisë së tij. Dhe jo vetëm kaq, por nëse Berisha do të ashpërsojë gjuhën dhe veprimet, do të përfshihen edhe aktorë të tjerë në një lojë që nuk dihet mirë sesi dhe pse filloi, por dihet sesi do të përfundojë.

Basha do të jetë “i vetëm me grupin e tij”, apo nëse rrezikohet vërtetë mund të ketë sërish ndërhyrje nga SHBA që Berisha të ketë larg duart nga drejtimi i partisë?

Parashikimi i vetëm që mund të bëhet në këtë çast është që asgjë nuk mund të parashikohet më. SHBA ka ndërhyrë në mënyrë të plotë dhe shtëruese. Një gur që rrokulliset poshtë nuk ka nevojë të shtyhet edhe më tej. Ai nuk ndalon pa mbërritur në fund fare të humnerës, sepse nuk ndalon as forca e gravitetit. Sesa e thellë është humnera për politikanët e pandëshkueshëm deri tani të tranzicionit shqiptar, kjo mbetet ende për t’u verifikuar. Edhe Zoti lart në qiell, siç i referohet shpesh zoti Berisha, për të kryer punën e nisur, ka nevojë për ndonjë dorë konkrete kur ka vendosur të ndëshkojë mëkatarët me rrënim.

 


Të fundit

PD-ja si hall privat i dy B-ve

Nga Lorenc Vangjeli Vetëm pak orë para se të niste seanca plenare, e para për këtë legjislaturë, Lulzim Basha publikoi...

Tiranë/ Policia sekuestron 21 kg kanabis në formë çokollate, në pranga 37-vjeçari

21 kg e 35 gram lëndë narkotike kanabis e përpunuar në formë çokollate është sekuestruar nga policia e Tiranës. Në kuadër të operacionit 'Camel'...

Rruga e Berishës pa ardhmëri, mbështetja për të vetvrasje politike

Nga Plator Nesturi Vetëm pak orë para se të niste seanca plenare, e para për këtë legjislaturë, Lulzim Basha publikoi në media një deklaratë që...

Basha zgjodhi SHBA-në, Berisha po gabon dyfish

Nga Leonard Karaj Vetëm pak orë para se të niste seanca plenare, e para për këtë legjislaturë, Lulzim Basha publikoi në media një deklaratë që...

Kancelarja Merkel vjen sot në Tiranë, zbardhet axhenda

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vjen sot në Tiranë. Në kuadër të vizitës së saj, ku do të takohet edhe me liderët e Ballkanit, Kancelarja...

Lajme të tjera

Web TV