Kryetarja e sapo zgjedhur e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i ka kërkuar bashkëpunim opozitës për të çuar përpara reformat e nisura. Ajo kërkon votat e opozitës për shtyrjen e afateve të anëtarev të KPK, kjo edhe për një arsye, pasi PD dha konsenusin për Reformën në Drejtësi.
Kryetarja e Komisonit të Ligjeve Klotilda Bushka i ka bërë thirrje Partisë Demokratike për të bashkëpunuar gjatë qeverisë “Rama 3” me ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Kryetarja e re e Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputete e PS-së deklaroi se maxhoranca i ka bërë një ofertë të sinqertë për bashkëpunim opozitës. Bushka tha se synim i këtij mandati qeverisës është fokusi te qytetari dhe vijimi i zbatimit të reformave të ndërmarra deri më tani. Ajo theksoi se reformat duhet të ndihen tek qytetarët. “Detyra e re është një sfidë, është përgjegjësi. Detyra shtohet dhe do të punojë me të njëjtin intensitet. Synimet i kemi të qarta. Një nga synimet është që t’i përgjigjemi besimit të qytetarëve. Ata presin nga ne më shumë. Që të rimëkëmbet ekonomia, pas sfidave të mëdha që kemi kaluar. Presin që qytetarët t’i ndjejnë reformat tona. Kemi sfida për të bërë administratën tonë model në shërbimin ndaj qytetarëve, për të parë fryte të çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë”, tha Bushka.
Vetttingu
Po ashtu deputetja socialiste tha se vetëm gjysma e emrave që janë në listat e vettingut, e kanë kaluar këtë proces, ndërsa shtoi se PS do të kërkojë zgjatjen e mandatit të anëtarëve të KPK dhe të Komisionerëve Publikë që merren me këtë proces. Ajo theksoi se do kërkohet edhe mbështetja e opozitës për ndryshimet kushtetuese. “Ne kemi një procedurë pune në Kuvend. Aktiviteti i punës miratohet nga seanca plenare. Aktet e para që do të shqyrtohen janë ato që lidhen me masat anti-covid dhe popullatën, siç është dhe vaksinimi. Apo dhe çështjet që lidhen me nismat e deputetëve. Javën tjetër do të kemi një kalendar pune. Një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi është ajo që lidhet me vettingun në drejtësi. Në fillim u nis kjo reformë, më pas u krijuan organet e reja të drejtësisë. Ky mandat do ta ketë reformën në drejtësi si prioritet sa i takon dhe ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Procesi i vettigut është një nga proceset më të rëndësishme, që ka funksionuar normalisht. Por kemi disa të dhëna që nga plani dhe detyrat e organit të vettingut, kemi mësuar se janë arritur vetëm gjysma e këtyre emrave. Afati i mandatit të anëtarëve të KPK mbaron në qershor 2022. Por duke parë numrin e atyre që kanë ngelur pa u vettuar, ne besojmë se do të jetë e mirë për të shtyrë afatin që do të kërkojë ndryshime kushtetuese”, tha Bushka. Ajo nënvizoi se votat nuk duhen vetëm për të kaluar këto “nevoja” por edhe sepse reforma ka pasur konsensus kur u votua. “Jo vetëm për hir të votave që kërkohet nga opozita, por dhe për faktin se reforma ka pasur konsensus në fillim kur u miratua. Ndaj duhet bërë njësojë. Të gjitha këto analiza janë duke u parë në proces. (Për vonesat në procesin e vettingut). Organet e vettingut nuk u ngritën në kohë. Ka pasur vonesa më pas edhe pjesa e plotësimit të trupave me administratë, që mori kohën e vetë. Qëllimi kryesor është që të kemi të njëjtin standard vettingu dhe për ata që e presin këtë proces. Kjo do të ishte në të mirë të interesit publik dhe të drejtësisë. Konsultimet për këtë çështje nuk kanë nisur ende. Reforma në drejtësi u miratua me konsensus, ku BE dhe SHBA ishin me ne. Ata kanë qenë në çdo hap, dhe ne zbatimin e reformës”, tha ajo. Kryesusja e Komisionit të Ligjeve tha se gjatë gjithë kohës do të ketë konsultë për partnerët ndërkombëtar. “Ne do të konsultohemi edhe me partnerët ndërkombëtarë. Procesi ka rregullat e veta, subjektet kanë të drejtën e ankimit. Merren vendime duke respektuar rregullat. Procesi zgjedhor që patën këtë vit ka qenë ndër më të mirat. Fjalët i merr era, ngelen proceset ligjore dhe në fund flitet me fakte (akuzat e opozitës për vjedhje të votës)”, pohoi Bushka.
Përjashtimi i Berishës
Duke u ndalur te vendimi i kryetarit Lulzim Basha, i cili përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar, Bushka tha se kjo është një çështje e brendshme e PD. “Problemet e PD janë çështje e tyre të brendshme. Janë vetë ata që militojnë në atë parti dhe mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. Sa më takon mua, në kuadër të politikës në vend, puna në Kuvendin e Shqipërisë, e opozitës duhet të jetë e ndarë, pasi ata kanë një rol të rëndësishëm në komisionet parlamentare, për çështje të cilat duhet të na fokusojnë te interesi qytetar. Ne duhet t’i krijojmë këtë hapësirë opozitës që të tregojnë veten. Debati progres sjell dhe në fund të një pune ku jemi të gjithë së bashku, ne më shumë së bashku bëjmë për qytetarët.”, tha ajo.