Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti duket sikur kanë shtensionuar situatën e krijuar gjatë debateve për “Ballkanin e Hapur”. I ndohur për vizitë në Kosovë, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të ri ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Duke u nisur nga situata në Veri të Kosovës, ku çdo ditë afrohen tanket dhe helikopterët ushtarakë serbë, Rama tha se me vëllanë të lidh gjaku, e shkuara dhe ardhmja. Nga Prishtina mesazhet ishin të qarta për Serbinë nga Kryeministri i Shqipërisë. Konflikti i krijuar ditët e fundit dhe lëvizjet e ushtrisë serbe në kufi janë për Ramën shfaqje teatrale-ushtarake që mbajnë peng serbët e Kosovës të cilët sipas tij janë më të sigurt se kurrë. Për kryeministrin shqiptar e drejta është me Kosovën dhe këtu nuk ka asnjë dyshim.
Kosova dhe Serbia
Kryeministrit Rama tha se i takon Sebrisë që të njohë Kosovën, që tashmë është një realiteti i njohur. Ai theksoi se çështja e njohjes së Kosovës është përparësi për Shqipërinë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurisë në OKB. “Çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës në Nju Jork dhe mbetet e tillë. Po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare e përkohshme në KS në OKB do të jetë nxitja e njohjes si përmbyllje e kapitullit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Nuk ka asnjë diskutim që Serbia duhet ta njohë këtë realitet dhe është për të ardhur keq që në vend të njohjes reciproke sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake. Këto manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës, siç pretendohet nga Beogradi, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së humbur, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”, tha kryeministri Rama. Sipas tij, qytetarët serbë të Kosovës jetojnë të pa kërcënuar, madje u paguhet edhe fatura e energjisë nga qeveria këtu. “Këto manovra nxisin nacionalizimin vandal të zjarrvënësve të institucioneve publike. Aplikimi i reciprocitetit të targave është një normë dhe një marrëveshje e arritur mes të dyja qeverive”, theksoi Rama. Në emër të qeverisë Shqiptare Rama tha se e drejta është me Kosovën. Ai shtoi se zgjidhja e vetme mund të vijë me dialog mes dy vendeve. “Dua ta them qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë, qysh nga çasti i parë që u shfaq ky konflikt, e drejta është më Kosovën dhe pikë, Kosova nuk ka pse ti kthejë targat në një konflikt të përditshëm. Kosova thjesht po kërkon zbatimin e një marrëveshje të dakordësuar. Tani që problemi është shtruar dhe askush nga miqtë nuk e diskuton domosdoshmërinë e regjimit të reciprocitetit, duhet bërë kujdes që çuarja e forcave të mos kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria ndan bindjen se problemi duhet zgjidhur me dialog”, tha ndër të tjera Rama.
Open Balkan
Teksa u pyet se çfarë do të ndodhë me Ballkanin e Hapur pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi, ai tha se: “Kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta edhe mes rrjeteve sociale për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht larmisë së toneve thelbi ishte: po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur? Tani jam edhe më i bindur se Ballkani i Hapur është rruga jonë për të mirën e përbashkët”. Sipas tij ka një dallim mes nacionalizmit dhe patriotizmit. “Kemi një mosdakordësi në këtë pikë me Albinin dhe kjo është e natyrës politike dhe duhet ta trajtojmë si të tillë. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre. Është e pashmangshme dhe Serbia do ta njohë Kosovën, por edhe falja për krimet e luftës do të vijë, por pyetja është kur do të vijë?”, tha Rama.