Real Madrid bëri gjithçka për ta rrëmbyer Kylian Mbappe nga PSG, i cili në fund vendosi të refuzojë ofertën e pasur të të bardhëve, pavarësisht kontratës që i skadon verën e ardhshme. Mbappe foli mbi dëshirën për ta lënë Parisin edhe në mikrofonat e ‘L’Equipe’, duke specifikuar se si Real Madridi përfaqësonte opsionin e tij të vetëm:
“Kur flas për lamtumirë, po flas për ofertën e Real Madridit. Mendova se koha ime te PSG kishte mbaruar. Largimi do të ishte hapi logjik i ardhshëm. Nuk kishte klube të tjera në kokën time: Unë jam i dhënë pas Parisit dhe, nëse do të isha larguar, do ta kisha bërë vetëm për Realin”.
Negociatat për rinovimin janë në një ngërç, që nuk ka gjasa të lirohen: “Unë qëndrova te PSG dhe jam i kënaqur me këtë, por jemi shumë larg nga nënshkrimi i një kontrate të re dhe qëndrimit tim, sepse doja të largohesha këtë verë. Sa i përket situatës sime, ka dy muaj që nuk po diskutoj rinovimin, meqë thashë se doja të largohesha”.
As ardhja e Messit nuk i ndryshoi planet e Mbappe, i vendosur për t’u përfshirë diku tjetër, me një sfidë të re: “Ideja ime ishte gjithmonë e njëjtë, edhe me ardhjen e Messit. Ai është i mrekullueshëm dhe të luash me të është një privilegj, por nuk marr vendime bazuar në impulse të papritura. Tashmë e kisha bërë zgjedhjen time prej disa kohësh. Para Kampionatit Evropian i thashë PSG-së se nuk dua të rinovoj, pas këtij kompeticioni i thashë se do të largohesha. Doja që gjithçka të përfundonte me një shtrëngim duarsh mes meje, PSG-së dhe klubit blerës”.