Kryeministri Edi Rama në një mbledhje jashtë rendit ka shpallur emergjencën energjetike në vend. Kreu i qeverisë lajmëroi se kjo krizë fillon tani dhe sipas ekspertëve pikun do ketë në mesin e viti që vjen.
Kryeministri Edi Rama ka shpallur emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike në vend. Ditën e djeshme, jashtë rendit, kryeministri ka mbledhur qeverinë për të bërë gati planin për të përballuar situatën që po përballet Shqipëria dhe vendet e tjera. Për të menaxhuar këtë krizë do të ketë një plan, që sipas kryeministrit do të prezantohet ditën e sotme. Rama theksoi se piku i krizës pritet të jetë në mesin e vitit të ardhshëm, ndërsa shtoi se edhe pas kësaj periudhe çmimi nuk pritet të kthehet aty ku është aktualisht. “Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit për të marrë një vendim, për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative. Sot (dje), me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Sipas tij, në aspektin e goditjes kjo situatë është e ngjashme me periudhën e pandemisë. “Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në këtë kuptim të gjithë janë të prekur. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është të mbrojmë konsumatorët tanë”, u shpreh Rama.
Furnizimi me energji
Gjatë konferencë për shtyp, kryeministri Edi Rama iu përgjigj dhe interesit të gazetarëve se nëse kriza energjetike do të përkthehet dhe në ndërprerje të furnizimit gjatë periudhës së dimrit. Kreu i qeverisë u shpreh se ndërprerja e energjisë do të ishte e kollajshme, por në këto momente nuk flitet për këtë gjë, por për mbrojtjen e konsumatorit. “Nëse do të ishte një dimër pa drita do t’i kishim rënë shkurt do iu thoshim bëhuni gati lajmet në orën 15:00 dhe në orën 19:00 errësirë. Ne po diskutojmë si të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Mbyllja e dritave do ishte kollaj. Por ne nuk jemi këtu që t’i biem kollaj gjërave dhe as për të më qarë hallin mua. Të gjithë duhet të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe së përbashkët. Britania e Madhe po paralajmëron sot një plan kufizimesh për ndërprerjen e energjisë”, tha kryeministri. Ai tha para gazetarëve se qeveria po mundohet se si të shpëtojë konsumatorët nga furtuna.
Rritja e çmimit
Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë deklaratës për shtyp edhe për rritjen e çmimit të naftës. Rama hoqi përgjegjësinë nga shteti shqiptar duke ia atribuuar tregut botëror. Duke e krahasuar me vitin 2013, kryeministri thotë se çmimi i naftës është edhe më i ulët, pa marrë parasysh çmimin në bursë dje dhe sot. Rama u shpreh se taksa e karbonit do vazhdojë të qëndrojë pasi, sipas tij, kush ndot më shumë do paguajë më shumë. Për të gjithë ata që pretendojnë se Shqipëria prodhon mjaftueshëm naftë sa për të plotësuar nevojat, Edi Rama ka një përgjigje: “Nafta e Shqipërisë është e rëndë dhe që shitet për nënprodukte”. “Për çmimet e tjera të jeni të qartë; ne e kemi zgjedhur këtë sistem 30 vite më parë dhe nuk mund të diskutojmë më çmimin e bukës, i cili ka ardhur në rritje. Rritja reflekton tregun, kërkesën dhe ofertën. Sdo të prodhohej bukë nëse do të mbetej në magazina. Çmimet i vendos tregu jo qeveria. Në komunizëm i vendoste shtetit, këtë e kemi mbyllur.”, tha Rama. Kreu i qeverisë theksoi se në disa momente Shqipëria vihet para disa zgjedhjeve, kur ka reshje të dendura shiu, ose të shesë energjinë, ose të derdhë ujërat e mbledhura në HEC-e apo më keq akoma, të shkaktojë përmbytje me to. “Nga ana tjetër që edhe ata që e kanë këtë shqetësim dhe e thonë me të drejtë, të dëgjojnë kur i themi që thonë broçkulla që; “Shqipëria ka ujë, e prodhon energjinë vetë”. Këto duhen lënë mënjanë që të kuptojmë mirë se ça falsin. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet, ku është fakt. Shqipëria shet energji. Po pse? Në momentin kur ka reshje me tepri, ka dy rrugë; ose ta shesë, ose ta derdhi prurjen e reshjeve. Jo ta derdhi, por edhe të përmbytë. Atëherë e shet. Kur është mot i përgjithshëm reshjesh dhe lagështie, çmimi është më i ulët dhe ti e shet kur kërkesa rreth e rrotull teje është e lartë. Një ekonomi e varur nga Zoti, pra nga reshjet, ka të mirën e vet, pasi ka energji të gjelbër, por ka dhe të keqen se nuk ka energji të planifikuar”, tha Rama. Kryeministri donte të qetësonte shqiptarët duke marrë shembullin e Italisë se janë në rradhë për të marrë bukën pa lek duke dashur të nënkuptojë se Shqipëria është mirë nga ana ekonomike. “I keni njerëzit në Itali, pyetemi se sa të lumtur janë me rrogat dhe pensionet dhe çmimet. S’ka ndodhur në Shqipëri, në Tiranë që të hapen pika për të marrë bukë falas. Ka ndodhur në Milano. Radhë të tëra për të marrë bukë falas. Bukë! Mos të harrojmë dhe një gjë tjetër. Një pjese e madhe dhe kryesisht ata që qahen më shumë, janë ata që kanë më shumë të ardhura se sa tregojnë. Mos ta harrojmë dhe këtë. Nëse i besojmë të ardhurave të deklaruara, shumëçka nuk do të shkonte si shkon. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve, depozitave të vogla. S’po flas për depozitat e të pasurve. Ça është kjo? Tregon se gjendja është alarmante apo e qëndrueshme?! Kush i krijon këto eksporte? I krijojmë ne. Ne sportojmë fjalë, ju importoni deklarata dhe i shisni në ekran. Këto duhet të na vendosin në kushtet se ku jemi dhe mos të humbasim toruan. Për sa kohë që jam këtu, s’ka asgjë të mundshme që mund të bëhen për ata që janë në nevojë dhe ne që do e bëjmë. Nëse jo, do kishim rënë në politikat e Vebiut dhe Sudes.”, theksoi ai.