Nga Lorenc Vangjeli
Kreu i Partisë Demokratike i është rikthyer institucioneve edhe pse ka lëshuar akuza për “kapje” nga ana e Qeverisë. Basha pas bojkotit kontestoi zgjedhjet e 25 prillit në Kolegjin Zgjedhor, dërgoi në SPAK disa dosje që lidhen me korrupsion, i është drejtuar Kushtetueses, por u rikthye edhe në Parlament, pas tre viteve. A lidhet ky veprim me atë që Basha tha në Kuvend se nuk do të përsërisim gabimet…
Dukej si humor i zi dikur, por pohimi se në zgjedhjet e 25 prillit, opozita kishte një fitore të parasiguruar që para se të hynte në zgjedhje, ishte krejtësisht i vërtetë. Duke hyrë në ato zgjedhje, duke pranuar rregullat e sistemit dhe duke u rikthyer në sistem, opozita rifitonte normalitetin që e kishte shkatërruar me djegien e mandateve. Duke e gjykuar atë të shkuar të afërt me mënyrën sesi rrodhën ngjarjet, me rezultatin që u prodhua nga ai akt dhe me gjithë atë zinxhir shkaqesh e pasojash që provokuan gjithë shoqërinë, mund të tërhiqet një leksion i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, por tërësisht normal për demokracinë perëndimore: periodiciteti i zgjedhjeve dhe vota, qoftë edhe e deformuar dhe e denatyruar, janë elementët e vetëm që sjellin ndryshim qeverisjesh. Kush mendonte dje si kallashnikov për mosbindje civile, kush predikonte revolucionin në vend të evolucionit, ka pasur probleme kalendari dhe me kalendarin që dëshmon se ajo lloj kohe ka vdekur edhe në këtë hapësirë ballkanike. Nëse opozita e djeshme do të ishte më së paku normale, nëse do të respektonte rregullat e lojës, Edi Rama nuk do të kishte asnjë shans për të mandat të tretë. Kjo është e vërteta e thjeshtë nga e cila përfituan fituesit dhe që po qajnë ende humbësit. Sot opozita zyrtare e legale po tenton të bëjë të njëjtën gjë që duhet të kishte bërë dikur, por në rrethana të ndryshme. Tani, pavarësisht “elegancës” prej foke në propozimet për ndryshime kushtetuese dhe sjelljen e saj në Kuvend, problemi i saj është që ka “ariun” në prag. PD është përballë sfidës politike të shkaktuar nga ndërhyrja amerikane për statusin e Sali Berishës. Amerikanët bënë atë që shqiptarët në përgjithësi dhe Sali Berisha Junior, nuk arritën ta bëjnë: të parët edhe mbas tre dekadave që janë dominuar prej tij, i dyti edhe mbas tetë vjetësh, kur mbasi i trashëgoi partinë, thjesht e imitoi atë, madje duke u bërë shumë më radikal edhe se vetë Mjeshtri i hershëm i sherrit.
Në dukje Basha duket sikur ka fuqizuar shumë pozitat e kryetarit të partisë, duke dalë totalisht nga “lëvozhga” ku e kishin mbështjellë, duke hapur luftë mes Ramës, Berishës dhe Metës. Nga i vjen kjo siguri, duke u nisur nga deklaratat se ai do të jetë përballë Ramës, dhe jo Berisha?
Po të besosh Bashën kur thotë se ka mbështetjen e 97 për qind të demokratëve, atëherë krijohet bindja se ai mezi po pret të ketë ballafaqim force me ish-të fortin e partisë se tij. Në fakt, atij i kanë hedhur një dorashkë si sfidë politike, por ai po i përgjigjet me gjuhë teknike, po kërkon të shmanget me procedurë ndaj një halli politik që teorikisht duhet ta kishte zgjidhur. I pafuqishëm ndaj Berishës që po bën betejën e jetës së tij, dy armiqësitë e tjera ai po i paketon si armë kundër Berishës. Kur mallkon qeverisjen e Ramës, ai ka parasysh Berishën, kur e gozhdon edhe Metën brenda trekëndëshit të tij, ai i bie me cekiç gozhdës së Berishës. Eshtë si ata lojtarët që kur humbin dorë mbas dore në poker, edhe pse nuk ju ka mbetur ndonjë shumë e madhe në xhep, luajnë blofin duke trefishuar bastin. Nga ana tjetër as tre “armiqtë” bashkë të Bashës nuk mund t’i bëjnë atij më shumë sesa do t’i bënte secili prej tyre veç e veç: ta lejonin të humbiste sërish!
Nga ana tjetër kemi një Berishë që po garon për kreun e PD, dhe siguria ju rrit më shumë, kur ai deklaroi se është pranuar kërkesa për në gjykatën franceze për Sekretarin Amerikan të Shtetit Blinker. Çfarë po ndodh? A është situate e qartë, apo po luhen skenarë që nuk po kuptohen?
Parisi është sfond dhe vetëm një sfond i largët sepse skena ku po luhet kjo melodramë tipike ballkanase është tërësisht lokale. Aktorët janë gjithashtu lokalë dhe temat janë ato të zakonshmet: pushteti, hakmarrja dhe cikli që sa më shumë ndryshon, aq më shumë sillet si e njëjta gjë. Procedura ligjore në Francë, sado groteske te duket e gjitha kjo, është diçka që zgjat më shumë se mandatet e njëpasnjëshëm të Edi Ramës, kurse halli për të cilin ajo procedurë po përdoret në Tiranë, është i shpejtë. Berisha pretendon se ka nisur të rrëzojë diçka që është përfundimtare, por kjo është diçka që i vlen shumë më pak sesa ajo çfarë është duke bërë nëpër Shqipëri. Eshtë kaq e qartë: Do partinë për të qenë sërish herët a vonë një faktor me të cilin duhet të bisedohet në tavolinë. Në politikë nuk ka as miq të përhershëm dhe as armiq që e zgjasin gjithë jetën kundërshtinë. Në politikë ka vetëm interesa. Me siguri, Doktori që e ka pasion gjeopolitikën, në mbrëmjet e tij kur mendon revansh në Tiranë, mendon se amerikanët që mund të bisedojnë dhe negociojnë edhe me talebanët në Afganistan, ndoshta do të kenë interes ta dëgjojnë edhe këtë krijues dhe mishërues te talebanizmit dramatik shqiptar.
Në momentin kur Berisha u shpall “non grata”, shumë menduan se listë tjetër e gjatë do dilte edhe për personazhe të tjerë politik, majtas e djathtas, por kjo nuk po ndodh. Po ashtu dy sondazhe të fundit tregojnë se ka nje mosbesim të shtuar ndaj reformës ne drejtësi, por edhe një skepticizëm në “pro amerikanizëm”, përse ndodh kjo?
Janë shtuar zërat që deformimet lokale, që deshtimet kombëtare, që dramat dhe pafuqitë shqiptare dhe mbarëshqiptare madje, i adresojnë në anën tjetër të Atlantikut. Janë shtuar sovranistët, neokomunistët, anarkistët dhe gjithfarë snobësh qesharakë që kanë nisur ta shohin hapësirën ku ndjehet p*rdha e tyre si kufiri ekstrem i gjithë botës. E gjithë kjo masë që herë merr një fytyrë e një herë tjetër një zyrë, e gjithë kjo polifoto njerëzore që herë krihet si Trump kur shpreson të ndryshojë Tiranën dhe herë beson si Putin në perëndimin e SHBA-së, gjithë këta strategë të gjeopolitikës që i tundin hënës gishtin kur gremisen në shkallët e pallatit, gjithë këta Doktorë të aftë të gjejnë kurën për tumoret duke përdorur hudhra autoktone, po rriten si tumor i lig në mendimin e shoqërisë shqiptare. Janë po ata që flasin më shumë për armë sesa për vota, janë ata që besojnë se duhen përdorur bomba për të këputur kopsat e këmishës së kundërshtarit, janë ata që për interesin e pleshtit të tyre, djegin gjithë bllokun e pallateve ku banon dynjaja që mendon ndryshe. Janë ajo turmë masturbuesish që flenë në ekstreme dhe që janë të bindur se në Uashington ngrysen duke pritur që të gdhihet në Bruksel që të gjejne si i duhet përgjigjur filanit nga Shqipëria që del në televizor apo fistekut që ka marrë gjithçka nga Shqipëria dhe nuk e mendon të nesërmen e këtij vendi pa atë vetë në skenë. Por fatmirësisht, përtej kësaj pakice të zhurmshme, këtyre “kolaboracionistëve” të ligj që i shërbejnë të ligës, ka një shumicë absolute që do të pranonte të ndërtonte kisha ku të lutej çdo mbrëmje, që do të hynte zbathur në xhami për t’u lutur çcdo ditë jave, që do të bënte kurban edhe vaktin e çdo ditë në Teqe apo që do të përgjërohej me dorë mbi Kushtetutë dhe Kodin Penal, vetëm që amerikanët të vazhdonin me vëmendjen e tyre për Shqipërinë. është e dhimbshme që në Shqipëri ende pritet “zbarkimi” amerikan për të shpëtuar shoqërinë nga mëkatarët e saj. Ata janë të lutur ta bëjnë sa kohë ende, edhe mbas tre dekadash pothuaj pluralizëm, në Shqipëri nuk është ngjizur një shoqëri demokratike që zgjedh me votë dhe ndëshkon me drejtësi. Nga miqësia apo dashamirësia amerikane nuk duhet pritur të dhurojnë ndonjë arkë me peshk; ata tregojnë si përdoret kallami. E megjithatë, pavarësisht kësaj, ata kanë filluar ta bëjnë punën që duhet ta bëjnë shqiptarët: nuk po dhurojnë pranga, por po përpiqen të tregojnë sesi ju vihen prangat mëkatarëve.
©Copyright Fjala.al
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.