Nga Leonard Veizi
“Good Morning Vietnam” është një film hollivudian me aktorin Robin Uilliams i cili tregon se si në ditët e vështira të luftës një radio dhe një spiker spektakolar arrinte të mbante gjallë atmosferën e ushtarëve të dërmuar gjatë kohës së qëndrimit në kazermë. Në të vëtetë industria e kinemasë hollivudiane i ka kushtuar shumë filma luftës së Vietnamit, ku një herë me Çak Norris e herë tjetër Silvester Stalone, tregonin për bëmat e ushtarëve amerikanë në vendin aziatik, e ku ushtarë të shumë stërvitur mund të bënin gjëmën, që se bënin dot as helikopterët legjendarë “Bell”. Por në të vërtetë bilanci i kësaj lufte nuk ishte aspak krenar për fuqinë më të madhe të botës. Por për të qenë më afër vërtetësisë amerikanët prodhuan një tjetër film, këtë herë me aktorin Tom Kruis, të titulluar “Born on the Fourth of July” pasur nga një tjetër film me aktorin Tom Henks: “Forrest Gump”, ku gjithsesi do të pranonin me dhimbje humbjen e luftës në një vend aq rezistent që mbizotërohej nga vietkongët…
… Lufta e Vietnamit, njohur gjithashtu si Lufta e Dytë e Indokinës, ishte një konflikt në Vietnam, Laos dhe Kamboxhia nga 1 nëntori 1955 e deri në rënjen e Saigonit më 30 prill 1975. Kjo ishte e dyta e Luftërave të Indokinës dhe u luftua zyrtarisht ndërmjet Vietnamit të Veriut dhe Vietnamit të Jugut. Vietnami i Veriut mbështetej nga Bashkimi Sovjetik, Kina dhe aleatët e tjerë komunist; Vietnami i Jugut mbështetej nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Filipinet, Austrialia, Tailanda dhe nga aleatët e tjerë anti-komunistë. Lufta zgjati për 19 vite, ku në vitin 1973, dy vite para përfundimit, me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara, solli epokën komuniste në Vietnam, Laos dhe Kamboxhia.
Më 7 gusht 1964 amerikanët nisën luftën në Vietnam. Kongresi amerikan autorizoi presidentin Lyndon Johnson për të dërguar ushtarë në këtë vend aziatik. Lufta e Vietnamit është konsideruar në vazhdimësi nga amerikanët si një prej veprimeve më të pamatura të Shteteve të Bashkuara, të cilët e filluan atë konflikt me qëllimin që të mbrojnë aleatin e tyre ndaj komunizmit, dhe për moszgjerimin e ideologjisë së të majtës ekstreme në Azi. Por edhe pse dërguan 500 mijë ushtarë kundër udhëheqësit komunist Ho Shi Min, ata e humbën luftën
Fillimi
Fillimi i kësaj lufte përkon me vitet ’50 të shekullit të kaluar. Vietnami në 60-të vitet e fundit luftonte për pavarësi nga çizmja e ushtarëve francez. Në atë kohë ushtria e Francës u detyrua të largohet pas disfatës së plotë përballë forcave vietnameze të udhëhequra nga Ho shi Min. Në konferencën e vitit 1954 në Gjenevë, Franca dha pëlqimin për pavarësinë e tre shteteve koloni të saj në rajonin e Indo-Kinës: Kamboxhias, Laosit dhe Vietnamit. Konventa përkohësisht lejoi ndarjen e Vietnamit në dy pjesë, në pjesën veriore ku u vendos pushteti komunist dhe jugore. Në konferencë ishte vendosur që pas zhvillimit të një referendumi popullor, të përcaktohej çështja e pushtetit në vend. Por ngjarjet morrën një tjetër rrjedhë. Amerika nga frika e zgjerimit të komunizmit, ishte kundër kësaj marrëveshje dhe për këtë arsye inkurajoi qeverinë e Vietnamit të Jugut të udhëhequr nga Negu Din Dim që të mos marrë pjesë në negociatat në lidhje me referendumin. Në vitin 1955 u shpall shteti i pavarur i Vietnamit Jugor. Mos zhvillimi i referendumit u bë shkak që forcat e dislokuara në Vietnamin Jugor të formonin frontin për çlirimin e Vietnamit. Për fat të keq Negu Din Dim nuk ishte një udhëheqës i njohur dhe për me tepër njihej si një udhëheqjes i dobët. Prandaj komunistët arritën që të vendosin ndikimin komunist në pjesën jugore të Vietnamit dhe formuan grup të quajtur Vietkong. Në fund të vitit 1963 u vra Negu Din Dim gjatë një grusht shtetin. Si pasojë e vdekjes së tij u krijua një kaos i vërtetë dhe pushtetin e morën ushtarakët.
Lufta
Deri në këtë kohë Amerika në Vietnam kishte mbi 16 mijë trupa ushtarakë dhe ky numër rritej për çdo ditë. Ndërkaq trupat amerikane ende nuk kishin rol aktiv në luftë. Me ardhjen në pushtet të presidentit Lindon Xhonson në SHBA, Amerika mori qëndrime më agresive ndaj Vietnamit. Këto qëndrime u ashpërsuan deri në atë masë saqë në vitin 1964, presidenti amerikan Xhonson në fjalimin e tij, deklaroi se nuk do të lejoj që të humbet edhe Azia Juglindore ashtu siç ndodhi me Kinën. Duke ndjekur një politikë të tillë, Amerika që nga viti 1964 forcoi praninë e saj ushtarake në Vietnam dhe nga kjo kohë filloi vala e ushtarëve amerikanë në Vietnam.
Në 4 gusht 1964, Vietnamezët Verior sulmuan dy avionë gjuajtës amerikan në gjirin e Tonkin-ut. Situata mori një drejtim tjetër. Në këtë kohë anijet luftarake amerikanë kryenin operacione ushtarake në brigjet e Vietnamit Verior. Pas një kohë të shkurtë presidenti amerikan arrit të marrë aprovimin e Kongresit për ta filluar luftën. Në këtë mënyrë Lindon Xhonson në janar të vitit 1965, pasi u rizgjodh president i Amerikës, dha pëlqimin për dërgimin e 185 mijë ushtarëve amerikan në Vietnam. Në pranverën e vitit 1965, forcat ajrore amerikane filluan bombardimet ajrore kundër Vietnamit Verior më avionë B 52 dhe F-111 të cilat zgjatën 44 muaj. Megjithëkëtë, kjo luftë nuk shkoi ashtu siç kishte planifikuar. Humbjet e forcave ajrore amerikane ishin të mëdha, ndërsa ushtarët amerikanë nuk kishin eksperiencë të luftës në zona malore me pyje të dendur, e sidomos kur bëhet fjalë për forcat guerile të vendosura nëpër pyll.
Bilanci
Gjatë kësaj periudhe mbi 938 avionë dhe helikopter amerikanë u rrëzuan nga forcat kundër ajrore të Vietnamit Verior. Në vjeshtën e vitit 1966, qindra mijëra trupa ushtarake të Vjetnamit Jugor përkrah 45 mijë trupave amerikane nën mbrojtjen e helikopterëve amerikanë, filluan një ofensivë të ashpër kundër forcave VietKong të Vietnamit Verior. Gjatë këtyre luftimeve u vranë rreth 100 mijë persona nga të dyja palët, por forcat VietKong nuk e lejuan armikun që të avancojë dhe në këtë mënyrë ofensiva dështoi. Ushtria amerikane deri në vitin 1967 humbi mbi 15 mijë trupa ushtarakë. Ndërkohë Amerika vetëm gjatë këtij viti kishte bërë shpenzime në vlerë prej 25 miliardë dollar për këtë luftë. Sipas raporteve që u publikuan më vonë, bombarduesit amerikanë vetëm gjatë periudhës 1964-1969 me më shumë se 100 mijë fluturime kanë hedhur rreth shtatë milionë ton bomba në Vietnam. Në këtë kohë numri i trupave ushtarake amerikane arriti shifrën e 500 mijë ushtarëve. Kjo luftë shkaktojë vrasjen e rreth 4 milionë njerëzve, ku 56 mijë persona ishin shtetas amerikanë. Amerika nga kjo luftë gjithashtu pati edhe 300 mijë ushtarë të plagosur të cilët mbetën me të ndryshme fizike dhe psikologjike. Mosha mesatare e ushtarëve amerikanë të vrarë në këtë luftë ishte 23 vjeç.
Fundi
Gjatë viteve të ‘60, shumë njerëz në SHBA protestonin kundër luftën në Vietnam. Me ardhjen në pushtet të presidentit Riçard Nikson, u bënë disa ndryshime në politikën e Amerikës. Në vitin 1969 Amerika ishte plotësisht pasive dhe vijat frontale të luftës u reduktuan në masë të madhe. Si pasojë e largimit gradual të ushtrisë amerikane dhe reduktimit të mbështetjes, Vietnami Jugor gradualisht e humbi forcën ushtarake. Ky proces vazhdoi deri në vitin 1974 kohën kur u larguan tërësisht trupat ushtarake amerikane nga rajoni. Kjo çështje ishte e mjaftueshme që lufta të quhej e përfunduar plotësisht në këtë rajon. Më në fund qindra mijëra forca VietKong përkrah ushtrisë së një milion trupave të Vietnamit të Veriut në një ofensivë të plotë, i dhanë fund kësaj loje vdekjeprurëse. Më 30 prill 1975, Saigoni u pushtua plotësisht në kohën kur helikopteri i fundit amerikan transportonte personelin e ambasadës amerikane nga kryeqyteti vietnamez. Vietnami Jugor dhe Vietnami Verior në mënyrë zyrtare u bashkuan në vitin 1976.