Vrau njërin vëlla, tjetrin e plagosi/ Autori: E paralajmërova që mos ta ngacmonte më motrën time 14-vjeçare

Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për Ardit Hidën, i cili akuzohet se vrau me thikë 26-vjeçarin Florenc Kovaçin dhe plagosi rëndë vëllain e këtij të fundit, Mikel Kovaçin. Autorit i krimit ka rrëfyer para gjykatës se ai ka qenë i dehur në momentin kur ka sulmuar me thikë dy vëllezërit.

Dëshmia e të riut para trupës gjyqësore:

“Pasi kam pirë edhe një birrë tjetër në një lokal në një rrugicë aty afër ku ndodheshin dy vëllezërit Kovaçi dhe një tjetër, shkova te ata dhe e paralajmërova atë që të mos e ngacmonte kurrë më motrën time minorene 14 vjeçe.

Por ata reaguan duke më kërcënuar se do më bënin atë që nuk merret me mënd. Pas kësaj m’u errën sytë dhe nxora biçakun që kisha me vete që e kisha marrë për vetëmbrojtje dhe nuk mbaj mënd se çfarë kam bërë. Pasi u përlesha me 19-vjeçarin Mikel Kovaçin që donte ta kishte me zor time motër, ndërhyri dhunshëm i vëllai që më qëlloi dhe e kam qëlluar për vetëmbrojtje. Më pas i gjakosur jam larguar nga aty dhe nuk e di sesi kam shpëtuar kokën. Më vonë më ka kapur policia dhe ende jam ne gjendje shoku”, tha i riu.