U nda nga jeta më 17 nëntor 2013, në moshën 94 vjeçare
Doris Lessing është noveliste, poete, skenariste, libretiste, biografe dhe tregimtare britanike, fituese e çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2007. Akademia vlerësoi 87-vjeçaren britanike për portretizimin që i ka bërë përvojës sociale të femrës. Në motivacionin për çmimin, Akademia e Çmimit Nobel i cilëson shkrimet e saj si vepra me vizion që hedhin dritë dhe analizojnë një qytetërim të përçarë.” Akademia e cilëson romanin e zonjës Lessing “Blloku i Artë” të botuar në vitin 1962 si një shkrim novator. Ky roman doli në kohën kur lëvizja feministe ishte në vitet e saj të para dhe u shndërrua në një vepër frymëzuese ku portretizoheshin pikëpamjet e shekullit të 20 mbi marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave. Ndër vepra të tjera të rëndësishme të autores përfshihen “Vera para Errësirës” i vitit 1973 dhe “Fëmija i Pestë” botuar në vitin 1988…
…Ka lindur nga prindër anglezë më 22 tetor 1919 në Persi (Iran) dhe është ndarë nga jeta më 17 nëntor 2013. Në krijimtarinë e saj u ndikua shumë nga Virgjinia Vulf, Usdom, Peter Lesing, etj. Ka fituar disa çmime letrare gjatë karrierës së saj.
Fillimet
Doris lindi u rrit në Rodezinë koloniale (Zimbabve), pasi prindërit emigronin sa nga një vend në tjetrin, për shkak të luftës. Një nga gjërat që mbante mend nga fëmijëria është të lexuarit. Lexonte pareshtur çdo gjë që i binte në dorë dhe me një pasion përpirës që i çudiste të gjithë. Në të ri ishte e shëndoshë dhe kjo ishte një nga paranojat e saj. Në moshën 15-vjeçare braktisi shtëpinë dhe shkollën për t‘u martuar me Frank Wisdom, që në atë kohë ishte 19 vjeç. Ishte një njohje e rastësishme. Menjëherë nga martesa pati dy fëmijë dhe përvojën e vështirë të mëmësisë në moshë të re e në kushte të vështira. Në vitin 1945, në moshën 26- vjeçare, ajo e braktisi familjen dhe u martua me Gottfried Lessing, një komunist i thekur. Së bashku patën një djalë, Peterin. Por edhe kjo martesë nuk zgjati shumë. Çifti u nda 4 vite pas njohjes, por Doris e mbajti mbiemrin e dytë përgjithnjë, çka mund të duket si e çuditshme për një feministe si ajo. Më pas emigroi në Britaninë e Madhe, së bashku me Peterin dhe dorëshkrimin e librit të saj të parë me titull: “Kur këndon bari”. Ngjarjet zhvillohen në Rodezi dhe në faqet e tij përshkruhet jeta e një fermeri të varfër, gruaja e të cilit kishte një marrëdhënie me shërbëtorin zezak. Libri i botuar në vitin 1950 e ngjiti atë menjëherë në maja dhe ajo u konsiderua nga të gjithë si një yll i ri i letrave. Ky libër i tregoi Dorisit se ajo kishte lindur për të shkruar dhe se kjo i vinte kaq natyrshëm. Ajo u detyrohet shumë shkrimtarëve rusë, shkollës ruse të të shkruarit, veçanërisht Dostojevskit dhe Tolstoit. Ajo mendonte se jeta e një shkrimtari duhet të jetë një jetë egoiste. Sipas saj, sentimentalizmi është i patolerueshëm, sepse është një ndjenjë false.
Karriera
Në periudhën kur u vendos në Londër, u përzje me njerëz të ndryshëm, kryesisht të botës së letrave, dhe bënte një jetë prej femre të lirë. Sipas disa prej miqve të saj të dikurshëm, Lessing u ngjante personazheve të saj pozitivë: ishte e shkujdesur, egoiste, kërkuese, kurioze. Në librat e saj Doris u përpoq që të nxirrte thelbin e brendshëm të njerëzve, marrëdhëniet mashkull-femër, perversitetin e komunizmit, faktin që mosha nuk ka të bëjë aspak me pasionin dhe çka është më e rëndësishme, ajo foli shumë për neurozën femërore. Libri i saj më me influencë ishte “Blloku i artë”, i botuar në vitin 1962 dhe që konsiderohet sot si një nga klasikët e feminizmit. Ai flet për jetën e Anna Wolf, për gjithë përsiatjet e saj të brendshme, frustrimin, ndjesitë e fshehta, pra gjithçka të patreguar. Teksa jeton edhe situatën e sotme, ajo është e kënaqur, pasi në thelb mendon se betejat janë fituar e tani duhet pak kohë që gjërat të shkojnë në vendin e tyre dhe femra shumë shpejt do të shkojë në vendin që realisht i takon në shoqëri dhe në familje. Për sa i përket jetës pas “Nobel”-it, Lessing duket sikur i gëzohej faktit që fjalët e saj kishin shumë më tepër peshë se para se të merrte çmimin. Deklarata e saj menjëherë pas marrjes së çmimit në gazetën spanjolle “El Pais” ishte një tregues i kësaj. Lessing tha: “Sulmet e 11 shtatorit ishin të tmerrshme, por nëse dikush do të shohë pas në kohë, në historinë e IRA-s në Irlandën e Veriut, ato dy ngjaje nuk kanë të krahasuar dhe më vjen keq, por 11 shtatori nuk më duket aspak i tmerrshëm”. Sigurisht që deklarata të tilla shkaktuan shumë diskutime e pakënaqësi në Amerikë, por ndërkohë Lessing- ut iu bë qejfi. Por sigurisht që Lessing kishte kohë që ishte mësuar me çmimet letrare dhe “Nobeli” ishte vetëm përmbyllësi i një liste të gjatë. Çmimin e parë e mori në vitin 1954 dhe ishte çmimi “Somerset Maugham”. Ky ishte i pari pas të cilit ajo ka fituar çdo lloj çmimi tjetër letrar, përveç çmimit “The booker”, për të cilin ka kandiduar 5 herë. Për sa i përket “Nobel”-it, ajo ka idenë e saj shumë të qartë se përse i erdhi kaq vonë në jetë. Sipas saj, arsyeja është se shkrimet e saj nuk janë shumë konvencionale. Me librin e saj të fundit ajo e mbyll ciklin e gjatë të romaneve që e marrin temën nga fëmijëria e saj në Rodezi. Në këtë libër ka një kapitull shumë prekës, në të cilin ajo përshkruan rikthimin në Zimbabvenë e sotme të një gruaje plakë. Dikur kjo grua e kishte dashur shumë vendin afrikan, por ajo çka gjen në të është shkatërrimi nga regjimi i Mugabes. Edhe pse e rritur në një vend me zezakë, Doris nuk e kishte për turp të pohonte se kishte ushqyer edhe ndjenja raciste, të cilat, sipas saj, vinin jo nga thellësitë e qenies njerëzore, por nga sjelljet e njerëzve dhe qëndrimet që mbante dikur shoqëria ndaj të ndryshmëve, ndaj atyre që nuk ishin të bardhë.
Ndjeshmëria
Për sa i përket vdekjes së fëmijës së saj, ajo shprehet: “Të të vdesë një fëmijë, është të përjetosh një gjë që është kundra natyrës. I shkreti Xhoni im, ai e donte kaq shumë jetën dhe nuk duhet të kishte vdekur aq i ri, të paktën jo ai”. Po në lidhje me burrat? Për sa u përket bashkëshortëve, Lessing mban mend vetëm burrin e dytë dhe idetë e tij të çmendura komuniste. “Ai nuk e merrte seriozisht faktin se unë shkruaja. Më tallte për këtë. Ai vetë mbeti komunist gjatë gjithë jetës dhe vdiq si i tillë”. Sipas Lessing, komunistët ishin vrasës me ndërgjegje të pastër, por që të dilte në këtë përfundim, asaj iu desh shumë kohë dhe shumë fakte bindëse. “Kam shkruar shumë gjëra të bukura në librat e mi për komunizmin dhe marksizmin. Në atë kohë ajo ishte bindja ime, por tani sigurisht që mendoj ndryshe. Mendoj që çdo lloj ideologjie e tepruar është e dëmshme. Ndërsa në lidhje me Margaret Theçer-in ajo vazhdonte të ishte skeptike dhe nuk e shihte kurrsesi ngritjen e saj në pushtet si një fitore të femrave.
Vdekja
Gjatë fundit të viteve 1990, Lessing pësoi një goditje në tru, gjë që e ndaloi atë të udhëtonte gjatë viteve të saj të mëvonshme. Ajo ishte ende në gjendje të ndiqte teatrin dhe operën. Ajo filloi ta përqendronte mendjen te vdekja, për shembull duke pyetur veten nëse do të kishte kohë për të përfunduar një libër të ri. Vdiq më 17 nëntor 2013, në moshën 94 vjeç, në shtëpinë e saj në Londër, e paravdekur nga dy djemtë e saj, por la pas vajzën e saj, Jean, e cila jeton në Afrikën e Jugut.