Nga Besnik Gjongecaj
Menjëherë pas daljes të librit të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, e gjithë Shqipëria, ky kamp përqëndrimi i rrethuar me tela dhe i shtypur brutalisht nga diktatura, u përfshi në një debat të vrrullshëm dhe të panjohur më parë. Dy gjëra përfshinë të paktën rininë e vendit në këtë debat, veçanërisht rininë e qyteteve dhe shkollave më të njohura. E para, jeta sedentare e të rinjve te rruga e Dibrës, që në këtë libër dilte dukshëm jasht nga skema e “heroit të punës socialiste”. E dyta, gjë a gjëza që tregohej nga të rinjtë e rrugës së Dibrës, sipas të cilës përgjigja e saktë e pyetjes se “ç’del nga martesa e gjarprit me iriqin?” do të duhej të ishte “dy metër tel me gjëmba”. Në debat u përfshinë të gjithë, por pjesa më e madhe e tyre, ekzaktësisht më të ndriturit e shoqërisë, nuk dukeshin, nuk dëgjoheshin, bisedonin në hije, në mënyrë sekrete, aq sa të kujtonin klasat e përmbysura të përshkruar po në një libër tjetër të Kadaresë. Ndërsa sharlatanët, kodoshët, shërbëtorët e regjimit, bisedonin hapur, me zë të lartë, në grupe të mëdha njerëzish, trashnin zërin dhe shkruanin te njëra apo te të dyja gazetat regjimit. Sipas të dytëve, ishin shkelur parimet e shoqërisë komuniste dhe për këtë, libri i Kadaresë do të duhej të digjej në turrën e druve, ndërsa shkrimtari të linçohej, publikisht. Veçanërisht u egërsuan ushtarakët, të përbetuarit. Përfshirja e tyre pa kuptim në një debat letërsie u shoqërua edhe me një ngjarje, e cila nuk u kuptua asnjëherë nëse kishte ndodhur vërtet apo ishte produkt i imagjinatës popullore. Thuhej që gjatë takimit në një nga kinematë e qytetit, pasi u bombardua rëndshëm nga kritikat idioteske të ushtarakëve, shkrimtari, në një moment thyerje, iu tha se përfshirja e tyre në diskutimin e këtij libri do të duhej të ishte e ndaluar ekzaktësisht ashtu si disa filma ndalohen për t’u parë nga fëmijët nën moshën katërmbëdhjetë vjeç. Ishte reagimi më therrës për gjithkënd të pasinqertë, për katilët, për ata që stërmundohen të vendosen në krye të gjërave që nuk i kanë kuptuar kurrë, madje, që e kanë të pamundur t’i kuptojnë ndonjëherë. E gjithë kjo sot më duket edhe më therrëse, madje edhe si një paralajmërim i emetuar pothuajse pesëdhjetë vite më parë qëllimisht për të arritur të sotmen. Një paralajmërim nga e shkuara për ata që merren sot me universitetet. Që si ushtarakët e asaj kohe, as nuk i kanë kuptuar dhe as nuk do t’i kuptojnë kurrë ato.
* * *
Dërgimi i parasë atje ku institucionet kanë përfunduar së ndërtuari është në thelbin e mbijetesës së një sistemi kapitalist. Vetëm kështu paraja shndrrohet shpejt në kapital dhe ky i fundit rezulton i maksimizuar në rrethanat konkrete. E gjitha kjo quhet efektivitet dhe përcakton suksesin e përdorimit të parasë dhe të zhvillimit të shoqërisë si të tillë. E gjitha kjo, megjithatë dhe paradoksialisht, ka qenë gjithmonë, dhe akoma më shumë është sot, jasht vullnetit politik të qeverisë, jasht orbitës së vëmendjes së saj, të paktën kur konsiderohet ajo pjesë e buxhetit që i dedikohet arsimit të lartë të vendit. E dinë të gjithë, sigurisht, që pjesa e buxhetit e ndarë për arsimin e lartë është gati gati qesharake, madje e turpshme. Por, këtu vetëm fillon tallja, apo ravijëzimi i cinizmit qeveritar në raport me universitetet, universitarët. I zhytur në paqartësi, në një mjergull të dendur e të paanë, prandaj edhe në një mjerim të thellë dhe jo vetëm për shkak të mungesës së ristrukturimit, por mbi të gjitha për shkak të një rrëmuje e konfuzioni që lanë pas të ashtuquajturat reforma akademike, administrative, strukturore dhe financiare, sistemi universitar i këtij vendi është bërë unik në shëmtinë e tij. E gjitha kjo nuk është, megjithatë, çështje estetike. Mbi të gjitha është një çështje efektiviteti. I pastrukturuar, çdo lek që thith sistemi ekzistues universitar jo vetëm që nuk ka efektivitet, jo vetëm që nuk shkon për të mirë, për përmirsimin e gjendjes universitare, por vetëm sa thellon më shumë krizën e mosreformimit, shpejton rrënimin e tij përfundimtar.
* * *
Edhe pas të ashtuquajturës reformë, sistemi ynë universitar ruajti gjendjen strukturore të përbërë nga universitete të specializuara, ekzaktësisht siç e kishte trashëguar nga ish Lindja. Ashtu si para viteve 90, edhe në sistemin e sotëm të arsimit të lartë dija monopolizohet dhe monopoli mbi dijen nga universitete individualë vetëm sa nulifikon, bën zero, konkurrencën në tregun universitar. Një sistem i arsimit të lartë me universitete të specializuar dhe jo të universializuar është pjesa më e shëmtuar që kemi trashëguar nga ish sistemi komunist, prej së cilës nuk u ndamë asnjëherë. Monopoli mbi dijen, ose një sistem universitetesh të specializuar, kufizon jo vetëm konkurrencën e tregut universitar, por edhe funksionimin e mjaft elementëve të tjerë të futur në sistem me qëllim të sendërtimit të konkurrencës. Kështu, nëse Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, AKKSh, do të bëjë vlersimin e një projekti (kriteri, publikimi, kërkimi, etj.) të prodhuar nga Universiteti Politeknik, psh., nga do t’i marrë vlersuesit e fushës (peers for review) përveçse nga ky universitet? A do të mund ta sigurojë në këtë mënyrë objektivitetin e vlerësimit? Sigurisht që jo. Nga ana tjetër, universializimi i universiteteve publike të vendit do të zgjidhte një nga problemet më tragjikomike që ka sistemi ynë i arsimit të lartë: numrin shumë të madh të universiteteve për njësi popullsie. Nëpërmjet riorganizimit të universiteteve ekzistuese do të mund të ndërtonin një sistem me një universitet për një milion banorë, dhe nëse e bënim këtë, do të përputhnim sistemin me standardin si dhe, nga ana tjetër, do të gjenerohej një konkurrencë reale dhe e natyrshme midis universiteteve të universializuar me fakultete të ngjashëm. Mbi të gjitha do të maksimizohej efektiviteti i funksionimit të sistemit dhe i vetë universiteteve, dhe prandaj, çdo lek i investuar merrte kuptim sinjifikativ duke i rikthyer shoqërisë një vlerë gjithmonë e më të madhe.
* * *
Reforma e zbatuar pak vite më parë te universitetet shqiptare i gjymtoi ato barbarisht. Në fillim u gjymtua balanca e pushtetit brenda universitetit dhe pastaj ajo midis tij dhe qeverisë. Gjymtimi i balancës së qeverisjes universitare si një kombinim i llogaridhënies së jashtme – Bordi i Jashtëm (external accountability) me manaxhimin e brendshëm (Këshilli Administrativ: manaxhim i burimeve, plus Senati: administrim çështjeve akademike) nëpërmjet eleminimit të njërës anë të saj, pra nëpërmjet eleminimit të Bordit të Jashtëm, nxori jasht funksioni mekanizmin “checks and balances”, gjë që e përçudnoi plotësisht shpërndarjen dhe kontrollin e pushtetit brenda universitetit si institucion. Në universitetet tona pushteti i shoqërisë nuk balancohet me atë të universitetit dhe prandaj, bëhet i pamundur kontrolli i efektivitetit të përdorimit të parasë publike brenda universitetit. Qeveria dhe universiteti nuk i ndërtojnë marrëdhëniet mbi bazë të mekanizmit “checks and balances”, por të një mekanizmi tjetër “alla shqiptar”. Mandati i Bordit të Jashtëm iu transferua një strukture të brendshme universitare, Këshillit të Administrimit, duke shkelur njëherazi disa parime të rëndësishme në ndërtimin e institucioneve dhe duke e kthyer ndërtimin strukturor të universitetit në një lëmsh të vërtetë, sepse: e para, ngarkon një strukturë të brendshme për të dhënë llogari edhe të jashtme edhe të brendshme njëkohësisht, çka e çon qeverinë (qeveria bëhet pjesë e universitetit dhe kontrollon brenda tij paranë që e ka dhënë vetë) në një konflikt të thellë interesi; e dyta, ndan universitetin në dy pjesë pa u kujdesur të vendosë një lidhje midis tyre (administrimin dhe çështjet akademike), gjë që e ul dramatikisht efektivitetin e qeverisjes universitare edhe sepse midis dy pjesëve nuk ka dhe nuk mund të funksionojë mekanizmi “checks and balances”, si dhe, edhe pse të dy pjesët e të njëjtit trup (universiteti) do të kenë dy autoritete të pavarur nga njëri tjetri. Efektet e gjithë këtij lëmshi institucional janë dy: eleminohet sinergjizmi, që prodhohet kur administrimi dhe aktiviteti akademik bashkëveprojnë institucionalisht, si dhe gjymtohet parimi i përfaqësimit, sipas të cilit, autoriteti universitar është një individ (që jo vetëm është një zgjidhje e përbashkët, por edhe përfaqsues i shqetësimeve dhe aspiratave të çdo universitari), çka do të thotë se bëhet e pamundur që universiteti të ketë dy autoritete të ndryshme me të njëjtin legjitimitet përfaqësimi dhe në të njëjtën kohë. Është, prandaj, e qartë që çdo financim në këtë rrëmujë të mbrapshtë, do ta bëjë atë edhe më të mbrapshtë.
* * *
Sistemi ynë universitar dështoi të krijojë në hierarkinë e tij struktura ndërmjetëse sipas standardit sepse nuk i dha atyre natyrë buferike (amortizuese). Strukturat ndërmjetëse gjejnë legjimitet vetëm atëhere kur nuk lejojnë ndërhyrjen direkte të qeverisë te universitetet për çështje jetike si akreditimi, financimi, kërkimi shkencor. Ja pse ato përmbushin përgjegjësi që nuk mund t’iu lihen as qeverisë dhe as universiteteve, njëkohësisht. Në praktikën e sotme të sistemit arsimor të Shqipërisë ndodh e kundërta. Struktura ndërmjetëse si Agjensia e Sigurimit të Cilësisë (ASCAL), Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSh), Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), etj., strukturohen nga vetë qeveria në të gjitha kuptimet dhe vendosen absolutisht nën pushtetin e saj. Automatikisht, prandaj, nulifikohen disa nga parimet më të rëndësishme në ndërtimin e institucioneve, veçanërisht parimi i “shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël (subsidiarity principle)” dhe parimi i “konkurrencës strukturore brenda sistemit“. Prandaj, si mund të jetë efektiv një buxhet i aplikuar në këto kushte?! Pra, në kushtet e një sistemi të ndërtuar jasht standardeve, me frymën e zënë nga qeveria dhe në errësirën e izolimit.
* * *
Ka kohë që, për shkak të daljes nga standardet, universitetet publike të vendit janë bërë përgjegjës për gjendjen e rënduar të sistemit të arsimit të lartë po aq sa edhe vetë qeveria. Ka përfunduar koha kur universitetet dhe universitarët kërkonin reforma dhe bënin përgjegjës qeverinë për mungesën e tyre. Fatmirësisht, gjatë betejave me qeveritë universitetet zhvillonin debatin brenda vetes, çka i mbronte nga formalizmi, korrupsioni, degradimi akademik, shkencor, intelektual. Mosreagimi i gjatë i të gjitha qeverive të vendit në kryerjen e reformave universitare ose reagimi primitiv i tyre, ndryshoi gradualisht edhe sjelljen e universitarëve, i qullosi ata, i demotivoi, ndërsa universitetet i la pa substancë, i shndërroi nga pole të lirisë së mendimit akademik dhe kërkimit shkencor në pellgje korrupsioni dhe parajsa të paaftësh. Ja pse tani po jetojmë atë kohë të frikshme, absurde, në të cilën korrupsioni dhe paaftësia po paraqiten në shoqëri nga universitetet si sukses, si vlerë, dhe ata, universitetet publike të Shqipërisë, për këtë fallco arsye (fake reason), pacipërisht, po kërkojnë legjitimitet prej shoqërisë. Ndërsa qeveria, nëpërmjet një buxheti gjithsesi qesharak, me dashje apo pa dashje, po i financon universitetet e vendit që të zhyten në një paaftësi edhe më neveritëse, në një korrupsion edhe më therrës. Për t’u riprodhuar të nesërmen si të tillë. Madje, për këtë shkak, edhe për të mos u zhbërë më. Këtu fillon edhe pjesa horror në degradimin e sistemit të arsimit të lartë. Paradoksialisht, përmes financimit nga qeveria, sistemi ynë universitar po bëhet edhe më lindor se më parë, sepse po degradon edhe më shumë në një sistem të cilit i mungon konkurenca në thelbin e tij. Përmes financimit nga qeveria universitetet dhe sistemi i arsimit të lartë po bëhen edhe më të varur nga politika, sepse tashmë qeveria i përcakton universitetit se si të akreditohet, ç’kërkim të bëjë, si të përdorë paranë që i jep dhe cilët do të duhet të jenë ata që do të bëjnë administrimin e saj. Aq sa autonomia universitare ka marrë vlerën e një furçe pastrimi tualeti. Tragjikisht, e gjithë kjo po ndodh me shpejtësi edhe në riprodhimin e një gjenerate mësimdhënësish e kërkuesish të rinj që nuk kanë asnjë pasion apo lidhje me shkencën. Aq sa, madje edhe përmes votimit, sepse ai kryhet nga masa të paaftësh dhe të korruptuarish, apo në rastin më të dhimbshëm nga universitarë të friksuar deri në palcë për humbjen e vendit të punës, po riprodhohen autoritete universitare që as haberin nuk e kanë mbi universitetin dhe jo më ta udhëheqin atë drejt ndryshimit. Ja pse shoqëria shqiptare duhet të paralajmërohet për mundësinë e një kolapsi të padëgjuar më parë. Ja pse, prandaj, m’u kujtua edhe atmosfera që u krijua pas botimit të librit “Dimri i vetmisë së madhe”. Si një kohë degradimi, kur ata që janë në krye jetojnë injorancën e tyre dhe mbështillen me zhulin e saj për t’u ndjerë ngrohtë në ngricën e një shoqërie të tradhëtuar. Duke mos harruar të pikëllohen për tragjizmin e saj, sigurisht.