Nga: Bujar Meholli
(Analizë e romanit “Shkuma e ditëve”)
Gjysma e parë e shekullit XX, në letërsi, karakterizohet me vrullin, dinamikën, me shumë ide e motive që e pasurojnë artin e të shkruarit. Regjimet totalitare, luftërat, kampet e përqendrimit, rendja pas lirisë së individit dhe botëkuptimeve të tij – padyshim janë të ngjizura në këtë art. Ato rezonojnë në vepra të ndryshme letrare që krijojnë kështu simbiozën e asaj që quhet letërsi moderne. Dhe në vazhdën e këtyre reagimeve artistike kemi edhe romanin interesant me titullin karakteristik “Shkuma e ditëve”, të autorit francez Boris Vian. Veprimtaria e tij intelektuale është e gjerë: ai qe poet, këngëtar, përkthyes, trumbetar xhazi, kritik e aktor. U bë i famshëm me këngën anti-luftë “Dezertori” (Zoti president, nuk dua ta bëj këtë luftë, nuk jam mbi tokë që të vras njerëz të mjerë… do të dezertoj!) si dhe me disa shkrime tjera nën pseudonimin Vernon Sullivan – parodi të çuditshme, trille kriminalistike, që në atë kohë hapën debat mes qarqeve intelektuale – shkurt, krijimtaria e Vianit konsiderohej e papërshtatshme për shkak të pikëpamjeve jokonvencionale.
“Shkuma e ditëve”, (shqipëruar nga Edmond Tupja) është një nga krijimet e tij më të përfolura. Një roman që gjatë kohës kur doli në dritë ishte dështim i plotë. Askush nuk interesohej për të, shitjet qenë minimale. Ishin vitet ’40. Ky njeri i shumanshëm, njohës dhe pasionant i madh i xhazit për të cilin shkroi recensione dhe u bë urëlidhëse që artistë si Hoagy Carmichael, Duke Ellington, Miles Davis, Sidney Bechet e të tjerë – të bëhen të njohur e të admirueshëm në Francë. Në vitet ’60, publiku do t’i kushtojë vëmendje romanit pas ribotimit; shpejt ai do të bëhet i famshëm, kult për të rinjtë. Duke qenë 26-vjeçar kur e botoi këtë roman xhazi, Viani frymëzohet nga një mori burimesh që prej xhazit të New Orleansit, punës si inxhinier, sëmundjes së gruas Michelles, interesimit për letërsinë e Faulknerit, ekzistencializmin e Jean-Paul Sartre-s e deri te kinematë dhe filmat e animuar amerikanë. I gjithë ky konglomerat idesh e motivesh derdhet në “Shkumën e ditëve” ku Viani projekton një botë interesante, absurde, të çuditshme, ku ngjizet një dashuri prekëse që fillon me gëzim e përfundon me tragjedi.
Ky produkt letrar është tipik surreal, me fantazinë e “shfrenuar” të Vianit që ngatërron lexuesin kur ky lexon “prerjen e qepallave”, bisedën e minjve të cilët banojnë me njerëzit madje i lajmërojnë ata për ndonjë gjë që ndodh në shtëpi, ngjalave që kapen në tubacionet e lavamanit apo “zemërshkulësen” që merr jetët e njerëzve. E gjithë kjo atmosferë luhatet mes burleskes dhe fantashkencës. “Po të kishin kohë të ndërtonin makineritë, njerëzit s’do të kishin nevojë të bënin asgjë. Ata punojnë për të jetuar, në vend që të punojnë për të ndërtuar ato makineri që do t’u jepnin mundësi të jetonin pa punuar”, shprehet Koleni për punën. Kjo përmbysje bizare është një tjetër tipar surreal i Vianit, i cili luan me tradicionalen, me kishën dhe punën. Tutje, tallja e Vianit përshkallëzohet – policët ai i paraqet si të “pa tru”. Kështu përmbyset i gjithë rendi; kisha përfaqësuese e altruizmit dhe urtësisë, policia e rregullit dhe drejtësisë vihen në lojë dhe portretizohen në kundërshtim me rendin zyrtar.
Përmes poetikës surreale, Boris Viani mëton ta portretizojë një botë që e karakterizon vënia në pah e tjetërsimit të njeriut nga puna – pasionet gllabëruese që e shpien drejt konsumit të shfrenuar e rrënues, por njëkohësisht proklamohet pasioni erotik që lulëzon mes patetizmit të vetë ekzistencës – dashuria dhe muzika janë polet çliruese që e shpëtojnë individin dhe i krijojnë besimin (!) në një botë më të mirë. Siç e dimë, karakteristikë e surrealizmit është mohimi i kodeve të shkrimit; në prozë ky refuzim arrihet përmes lojës së fjalëve për çka Viani konsiderohet usta i vërtetë. Disa nga shembujt mund t’i marrim: pianokokteji, (Piano dhe koktej), Zhan-Sol Partri (shtrembërim fonetik i emrit të filozofit Jean-Paul Sartre). “Turma shtyhej për të mbërritur te salla ku Zhan-Sol Partri do të mbante ligjëratën e radhës.” Kjo është njëra ndër veçoritë e padiskutueshme të shkrimit të Vianit: krijimi i një fjalori të ri, gjuhe të re, krejtësisht imagjinative që mëton krijimin e një universi barok.
Koleni, protagonisti i romanit, ka elemente të vet autorit. Në pjesën e parë të romanit ai kalon një jetë luksoze, me të mira materiale që i gëzon nga xhaxhai i tij, me kuzhinierin Nikolain që gatuan ushqime të bukura nga librat me receta dhe me Shikun, mikun e tij, i cili koleksionon veprat e Partrit. Më vonë Shikut i bëhet mani blerja e çdo libri derisa në fund përfundon tragjikisht pranë rafteve. (Këtu kemi parodizimin e Vianit kundrejt ekzistencializmit sartrian). I riu Kolen takohet me Kloen, (emër i frymëzuar nga një pjesë muzikore me të njëjtin emër e Duke Ellingtonit) të cilën do ta dashurojë dhe e cila më vonë do të vuajë nga sëmundja – zambaku i ujit në mushkërinë e djathtë. “Kloe po flinte. Gjatë ditës, zambaku i ujit i jepte lëkurës së saj atë ngjyrë të bukur krem, por, në gjumë e sipër, nuk ia vlente dhe në faqe i shfaqeshin sërish njollat e kuqe.” Aliza, një vajzë e bukur dhe pëlqyer nga Koleni, lidhet me Shikun të cilin përpiqet ta shpëtojë nga mania dhe shpenzimi i parave. Ajo e takon Partrin në kafene teksa ky punonte. “Shiku harxhon tërë paratë për të blerë gjithçka ju shkruani. – Do të bënte mirë të blinte tjetër gjë, tha ai, unë nuk i blej kurrë librat e mi. – Por atij i pëlqejnë librat tuaj. – Është e drejta e tij, tha Zhan-Soli. – Ai ka bërë përzgjedhjen e vet. – Unë nuk mund të vras mendjen për çdo gjë, tha Aliza, meqenëse para së gjithash, dua t’ju vras. Aliza mblodhi të gjitha forcat dhe, me një lëvizje energjike, ia nguli Partrit zemërshkulësen në kraharor…”
Kloe dhe Koleni janë çift shumë interesant, fundi i të cilëve përmban nota prekëse. Kritiku Raymond Queneau e quan si “ndër romanet më prekëse në letërsinë bashkëkohore”. Viani tregohet unik në portretizimin e këtij çifti; Koleni përpiqet të gjejë punë anekënd për t’i blerë lule Kloes (pasi i kanë mbaruar dopioxhixhat) dhe për ta rrethuar me to, që ishin kura e saj. Megjithatë në faqet e fundit “kanceri i zambakut të ujit” e venit këtë dashuri sepse Kloe vdes. “Përse e detyruat të vdiste e pyeti Krishtin e varur në murin e kishës. – Mmmm, ia bëri Jezui. – Ajo ishte aq e ëmbël, tha Koleni. Kurrë nuk bëri keq, as me mendje, as me vepra. – Kjo nuk ka asnjë lidhje me fenë, mërmëriti Jezui duke gogësitur. – Nuk e kuptoj çfarë kemi bërë, tha Koleni. Jezui nuk u përgjigj.” I tërë romani është i mbushur nga ritmet e xhazit, nga incizime të ndryshme të Duke Ellingtonit dhe artistëve tjerë të xhazit, zhanër i cili proklamon lirinë e individit; ritmet e xhazit të orëve të para, siç dihet, shquhen për aksentët jo të drejtë, format josimetrike e sinkopat e shpeshta. Kështu, penda e Vianit pikas hipokrizinë e mjediseve fetare, joshjen e klerit pas të mirave materiale dhe ikjen nga detyra e shenjtë. “Shkuma e ditëve” është simbiozë e modernitetit letrar, avangard, që mëton thyerjen e konditave letrare duke synuar dhe ndjekur modelet e reja të krijimit letrar prozaik.